E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koktej krimesh

Policia e Tiranës, përpjekje për të zbardhur lëmshin e disa ngjarjeve kriminale që lidhen mes tyre

TIRANË – Marrja peng dhe torturimi i dy ditëve më parë të një ish-të dënuari për vrasje, nga një tjetër i dyshuar për vrasje, duket se nuk ka qenë aspak rastësore. Po rastësor nuk ishte as atentati i datës 10 korrik, kur një person i maskuar tentoi të vriste me silenciator në zonën e Kombinatit të arrestuarin e dy ditëve më parë. Hetuesit dalëngadalë po arrijnë të kristalizojnë një skemë të qartë që i bashkon këto ngjarje kriminale: Mes Aleksandër Akullit dhe Elvis Gurës ka pasur hesape të vjetra, ndërsa ky i fundit është i dyshuari kryesor për atentatin ndaj Akullit në 10 korrik të këtij viti.

Pengmarrja dhe Akulli

Para dy ditësh, policia e Tiranës tha se kishte vënë në pranga 37-vjeçarin Aleksandër Akulli, pasi kishte marrë peng dhe kishte tentuar të vriste Elvis Gurrën. Ky i fundit u rrëmbye sipas policisë në vendin e quajtur Bregu i Lumit Erzen, në fshatin Arbanë të Tiranës. Fillimisht, motivi i ngjarjes u tha se ishte një zënkë e tyre e kohëve të fundit në zonën e Saukut. Por hetuesit mendojnë se lidhja dhe sherri midis të dyve ka nisur shumë kohë më parë. Policia tha se pas arrestimit, pengmarrësi nuk ka pranuar të flasë dhe as të shpjegojë pozicionin e tij në këtë ngjarje. Akulli në korrik të këtij viti u plagos me një plumb silenciatori, duke u shpëtuar tre plumbave të tjerë. Asnjë autor nuk u vu nën pranga, për shkak të maskimit në momentin e ngjarjes. Nga hetimet paraprake të atyre ditëve, u tha se ngjarja mund të ishte bërë për hakmarrje ndaj 37-vjeçarit, i cili kohë më parë ishte person me precedent penal dhe gjithashtu i dyshuar për një sërë ngjarjesh.

Gurra

25-vjeçari Elvis Gurra ka një kurrikulum edhe më të pasur me precedentë penalë. Në tetor të vitit 2004 ai ka vrarë me armë zjarri nënën e tij, Nurie Gurra. Gjatë gjykimit të çështjes ngjarja është konsideruar si aksidentale, pasi djali kishte tentuar t’i merrte nga dora armën e mbushur nënës së tij. Megjithëse nuk janë sqaruar arsyet se përse nëna e kishte armën në dorë dhe si ndodhi qitja e pavullnetshme, gjykata e ka dënuar 25-vjeçarin vetëm me 3 vjet e 4 muaj burg, vendim i dhënë në shkurt të vitit 2005. I pandehuri kishte pasur gjatë gjykimit edhe mbështetjen e familjarëve, të cilët kishin deklaruar në prokurori se gjithçka ishte aksidentale. Madje, të afërmit e tij kanë dhënë edhe justifikimin për mbajtjen e armës në shtëpi nga Gurra. Ata deklaruan në proces, se familja e të pandehurit ishte në hasmëri me fisin Shkoza dhe ndaj djaloshi mbante armën, me të cilën vrau të ëmën. Por pasi ka kryer vetëm dy vite burg, Elvisi ka kryer një tjetër krim. Në nëntor të 2006 ai ka vjedhur në një banesë dhe për këtë gjykata e ka dënuar me 10 muaj burg.

Atentati i 10 korrikut ndaj Akulli duket se është vetëm një pikë lidhëse mes të dy këtyre personave. Hetuesit po punojnë për të gjetur shkakun e vërtetë që i ka çuar të dy në një hasmëri kaq të ashpër, sa të synojnë eliminimin fizik të njëri-tjetrit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›