E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arian Madhi nuk dyshon

Kreu i deputetëve republikanë thotë se kodi i ri zgjedhor merr parasysh kërkesat e partive të vogla. Sipas tij, për fazën dhe sistemin zgjedhor, ky është produkt i mirë

Kryetari i grupit parlamentar republikan, njëkohësisht anëtar i saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Arian Madhi, thotë për gazetën “Korrieri”, se republikanët nuk kanë më dyshim se vota e tyre mund të shpërdorohet, tashmë që edhe kodi i ri zgjedhor përfundoi. Duke folur për formulën e shpërndarjes së mandateve ku republikanët kishin propozimin e tyre, Madhi thotë se në kod nuk është përcaktuar formula e tyre, megjithatë ajo që është caktuar, merr për bazë edhe interesat e partive të vogla. Ndërkaq, duke folur për votën që republikanët do t’i japin draftit, kreu i deputetëve republikanë thotë se ajo do të jetë pro tij. Ndërkaq, duket se rreziku që republikanët të dalin nga koalicioni me Partinë Demokratike ka kaluar, sepse ata shprehen se do të jenë pjesë e imazhit të koalicionit të djathtë të kryesuar nga Partia Demokratike.


-Tashmë drafti zyrtar i kodit zgjedhor është gati. Sa janë përfaqësuar kërkesat e Partisë Republikane në këtë draft?

“Komisioni përfundoi dy çështje mjaft të rëndësishme, siç është ajo e administratës zgjedhore dhe ndarjes së mandateve. Partia Republikane i gjen ato në përputhje me kriterin e përcaktuar për përfaqësimin me komisionerë. Ndërsa për sa i përket shpërndarjes së mandateve, Partia Republikane e vlerëson si një formulë, e cila në çdo rast do të mund të garantojë përfaqësimin politik të republikanëve në përputhje me votat që ata do të marrin. Pra, ne nuk kemi më dyshime që vota republikane do të mund të shpërdorohej apo të shkonte në favor të ndonjë subjekti tjetër zgjedhor. E thënë ndryshe, votat e republikanëve do të numërohen dhe do të përkthehen në mandate për Partinë Republikane”.

-Formula për shpërndarjen e mandateve është ajo që keni propozuar ju si republikanë?

“Formula për shpërndarjen e mandateve parlamentare që është përcaktuar në draft, është një produkt i përbashkët i diskutimeve profesionale dhe politike. Është një formulë e cila nuk merr për bazë vetëm interesat e republikanëve, por është një formulë që merr për bazë edhe interesat e partive të vogla, se Partia Republikane futet në klasifikimin e partive të vogla”.

-Në deklarimet e mëparshme, ju dhe krerët e tjerë të lartë të Partisë Republikane e kanë kritikuar vazhdimisht kodin zgjedhor që po hartohej. A mund të thoni nëse ky është një ligj i mirë, apo një ligj i keq?

“Jo. Partia Republikane nuk është e vërtetë që e ka kritikuar. Partia Republikane ka pasur rezervat e saj mbi mënyrën sesi po draftohej projekti. Po bëhej pa prezencën e Partisë Republikane, po bëhej pa prezencën e aktorëve të tjerë politikë, po bëhej nëpërmjet një procesi të mbyllur e të zvarritur, jotransparent etj. Pra, të gjitha këto ishin kritikat e republikanëve. Por në përfundim të projektit, Partia Republikane e studioi atë dhe e ballafaqoi edhe me kërkesat e OSBE/ODIHR-it, duke parë edhe atë që është primare në interesat e Partisë Republikane, pra përkthimi i votave në mandate. Atëherë, ne e konstatuam si një produkt, i cili nuk mund të them se ky është produkti më i mirë dhe se do t’u rezistojë të gjitha kohërave, po momentalisht, në fazën që jemi, në sistemin që është imponuar, ky është një produkt i mirë, dhe sigurisht që votat republikane do të jenë pro kodit zgjedhor”.

-Produkti përfundimtar i kodit të ri zgjedhor duket se ka qenë edhe një faktor ndikues për koalicionin tuaj me Partinë Demokratike. Mos do të thotë kjo, se edhe në zgjedhjet e ardhshme ju do të jeni në koalicion me Partinë Demokratike?

“Partia Republikane do të jetë me një grup partish të tjera, të cilat përsëri do të bëjnë një koalicion shumëdimensional të djathtë. Parashikoj që përsëri shumica e aktorëve politikë të djathtë që do të garojnë, do të jenë të përfshirë në një koalicion, ku sigurisht edhe Partia Demokratike do të jetë një nga anëtarët e këtij koalicioni. Por nuk mund të themi që Partia Republikane do të jetë me Partinë Demokratike, pasi do të jetë në koalicion edhe me aktorë të tjerë. Por veçoj faktin, që përsëri Partia Republikane do të votohet si Parti Republikane. Por në këtë rast, koalicionet janë më shumë koalicione imazhi që tregojnë një vullnet bashkëpunimi parazgjedhor dhe paszgjedhor, sesa është një koalicion i tipit që do të ndikojë në procesin zgjedhor të votimit. Votimi do të jetë për Partinë Republikane dhe nuk do të ketë impakt qenia në një bllok koalicioni, i cili do të mund t’i shtojë votat Partisë Republikane. Përkundrazi, ne do të ndajmë të mirat dhe të këqijat e bashkëqeverisjes me të gjithë aktorët që kemi qenë bashkë në qeverisjen e djathtë. Në këtë rast, vlerësimi do të jetë si për Partinë Demokratike, ashtu edhe për aksionet që ka mundur të sigurojë Partia Republikane në qeverisjen e këtij mandati”.

-Tashmë duket sikur gjithçka ka përfunduar, me përjashtim të mbledhjes së tryezës së djathtë. A keni ndonjë të dhënë se kur mund të mblidhet ajo?

“E kam të vështirë të shprehem për mbledhjen e tryezës politike, sepse është mbledhje e krerëve politikë. Por nuk besoj se momentalisht do të mblidhet kjo tryezë për të diskutuar çështjet e kodit zgjedhor, pasi nuk di që të ketë ende për t’u diskutuar në tryezën politike çështje që kërkojnë zgjidhje. Mendoj se ato që ishin më të rëndësishmet u zgjidhën. Besoj se tryeza pas kësaj do të operojë me një plan pune sesi do të koordinohet procesi parazgjedhor,  fushata, veprimtaritë etj”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›