Dhuna, të fikët në gjyq

I pandehuri ka rënë pa ndjenja në sallën e gjyqit, për shkak të drurit të policisë. E kishin marrë me forcë nga spitali
Dhuna e uniformave blu ndaj personave të arrestuar vazhdon të shënojë skandale të denja për librat e rekordeve ndërkombëtare. I fundit duket se ka ndodhur në qytetin e Sarandës, ku një i pandehur është dërguar me forcë në sallën e gjyqit, ku i ka rënë të fikët, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Aristil Gllucaj, 18 vjeç, pas arrestimit tri ditë më parë, nën akuzën e trafikut të klandestinëve, është rrahur në mënyrë shtazarake nga policia dhe si pasojë është dërguar në spitalin e qytetit, ku ka marrë ndihmën mjekësore. Por dje ai duhej të dilte përpara gjykatës, e cila do të vendoste masën e sigurisë për të pandehurin. Sipas familjarëve të Gllucajt, policia e ka marrë 18-vjeçarin nga spitali ku po kurohej dhe me forcë e ka dërguar në gjykatë. Më pas ai nuk ka mundur t’i rezistojë për pak minuta as fillimit të seancës gjyqësore, dhe ka rënë pa ndjenja mbi tavolinë. Menjëherë ai është dërguar sërish në spital dhe procesi ka vijuar pa praninë e tij, por vetëm me të pandehurin tjetër të kësaj çështjeje. Aristil Gllucaj dhe Oltion Varfi, që të dy nga qyteti i Vlorës janë arrestuar tri ditë më parë në autobusin e linjës Sarandë - Qafë-Botë, teksa sipas policisë, po shoqëronin pesë klandestinëve, që do të shkonin në Greqi. Familjarët e tyre i kanë kundërshtuar këto akuza, ndërsa dje gjykata vendosi ndaj të pandehurve masën e sigurisë burg me afat 30 ditë. Gjatë kësaj periudhe organi i akuzës duhet të sjellë prova të mjaftueshme që të vërtetojnë dyshimet e ngritura. Ndërkaq, avokati i Glucajt ka deklaruar dje, se do të ndjekin rrugën ligjore për dënimin e të gjithë veprimeve të dhunshme të policisë që kanë çuar në dëmtimin fizik dhe psikologjik të 18-vjeçarit.