E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të shpirtit binjak

Ajo nuk mund të qëndrojë në prapavijë. Një gjë të tillë e dëshmojnë edhe këngët e njëpasnjëshme që hedh në tregun muzikor, por me këngën e fundit Shpirti im binjak ka thyer rekordet. Edhe pse ka vetëm një javë që është lançuar, në internet rezulton si një ndër këngët më të klikuara

Melankolike, por edhe optimiste në kërkim të shpirtit binjak, është alternativa më e fundit që sjell Soni Malaj. Ndoshta nuk e ka e gjetur ende gjysmën tjetër që e plotëson në jetën reale, por krijimi më i fundit muzikor flet për të kundërtën. Kësaj here ajo hyn në garë për të fituar trofeun “magjik”, me një këngë të rrymës “soul”, që vjen gjithnjë në zhvillim. Dhe nuk i ka dalë keq, pasi kënga e sapolançuar në internet rezulton një ndër më të klikuarat. Në një prononcim për “Korrierin”, këngëtarja nuk mund ta fshehë dot kënaqësinë nga një sukses i tillë: “Nga informacionet që kam, kënga “Shpirti im binjak” edhe pse ka vetëm gjashtë ditë që është promovuar, ka pasur rekord klikimesh në internet, gjë që më ka lumturuar pa masë”. Kënga është një bashkëpunim i Sonit me Pirro Çakon, i cili ka realizuar tekstin dhe kompozimin e këngës, ndërsa orkestrimin ia ka besuar Enis Preshevës. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe me një tekst të kaq të ndjerë dhe një personazh që kthehet shpesh në qendër të vëmendjes siç është Soni, e cila nuk u shpëton edhe faqeve të shtypit rozë. Por ky nuk është rasti për të përfolur rreth lidhjes së saj me Flori Mumajesin, pasi ajo pohon të kundërtën: “Secili prej nesh është në kërkim të shpirtit binjak, ku me ta gjetur kërkon ta finalizojë në një lidhje serioze. Në të njëjtën fazë jam edhe unë. Me Florin jemi miq të mirë, vetëm kaq”. Në fakt, një gjë të tillë e konfirmon edhe bashkëpunimi më i fundit i çiftit të famshëm, që pritet të prezantohet në festivalin e fundvitit. Mes udhëtimeve të shumta nëpër koncerte dhe krijimeve të reja, këngëtarja ka gjetur kohë edhe për një tjetër bashkëpunim. Që në fillim të javës ajo është duke xhiruar videoklipin e ri, që është një duet me “Tingullin 3NT”, i cili me të mbaruar, do të shfaqet nëpër të gjithë stacionet muzikore. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›