Duro: Jetike, një fitore

Barazimi në Kavajë është rezultat i mirë, për kushtet në të cilat ndodhemi, por na duhet një ose dy 3-pikësha për tu ngjitur në renditje dhe forcuar nga ana psikologjike
TIRANË – Shpëtim Duro duket njëkohësisht shumë i qetë dhe shumë i tendosur për gjendjen ku ndodhet Partizani i tij. Përvoja, tashmë, e gjatë si trajner e bën që të mos jetë më shumë entuziast sesa duhet për barazimin e vlefshëm arritur në Kavajë të premten ndaj Besës së fortë.
“Një pikë në Kavajë, duke pasur parasysh kushtet në të cilat ndodhemi, mund të quhet mjaft e mirë, - thotë ai, - por Partizani edhe pas kësaj ndodhet në një pozicion aspak të lehtë”. Edhe pas atij 0-0, të kuqtë mbeten në vend të fundit në renditje, me vetëm 6 pikë pas 10 ndeshjesh.
Trajneri nuk ka qenë kurrë aq jashtë realitetit të Partizanit. “Skuadrën e kam njohur edhe para se të bëhesha trajner, sepse përgjithësisht e ndjek kampionatin, - shprehet Duro, - por tani, një pjesë e lojtarëve kanë nisur të më njohin mua”. Kjo batutë tregon se ai po përpiqet të vendosë rregullat e tij në skuadër.
“Çdo trajneri ka mënyrën e tij të punës, - sqaron ai, - pra këtu nuk kemi të bëjmë me punë më të mirë apo më të keqe sesa Lika, por unë kam disa kërkesa dhe lojtarët duhet të mësohen me këtë gjë”. Largimi i brazilianëve ka bërë që skuadra të jetë 100 për qind shqiptare, por edhe e paplotë.
“Na duhen nja 3 përforcime (besohet në janar), - kërkon Duro, - si dhe të vazhdojmë të punojmë fort ne që jemi këtu. Në këtë mënyrë jam i bindur se do të dalim nga kjo gjendje e vështirë ku ndodhemi”. Dobësia e disa rivalëve të tjerë si e Lushnjës apo Apolonisë bën që të kuqtë të kenë edhe më shumë shpresë.
“Është e detyrueshme që të fitojmë një ndeshje, dhe pastaj të fitojmë edhe një tjetër”. Kjo është bindja e Shpëtim Duros. “Nga krizat nuk dilet me barazime, pavarësisht se ai në Kavajë ishte i pranueshëm, por vetëm me fitore dhe na duhen nja dy të tilla, - sqaron, - fitorja do të na ndihmonte jo vetëm në tabelë, por edhe në aspektin psikologjik pasi do të rritej besimi në vetvete”.