E Shtunë, 31 Tetor 2026

KLD-në e zgjedhim vetë

Më në fund gjyqtarët do t’i zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Gjithçka ka ardhur pas vendimit të dhënë nga Gjykata Kushtetuese, e cila rrëzoi ligjin e vitit 2005 “Për organizimin dhe funksionimin e konferencës gjyqësore kombëtare”. Në një intervistë për “Korrierin”, magjistrati Klodian Rado, përfaqësuesi i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, shpjegon të gjitha pasojat që do të ketë ky vendim për gjyqtarët shqiptarë, por njëkohësisht flet edhe për betejat e tjera ligjore për reformimin e pushtetit gjyqësor

-Si përfaqësues i SHKGJ-së në Gjykatën Kushtetuese, si e vlerësoni vendimin më të fundit të këtij institucioni për shfuqizimin e ligjit për Konferencën Gjyqësore?

“Ishte me të vërtetë një vendim dinjitoz i Gjykatës Kushtetuese, me anë të së cilit gjyqtarëve iu rikthye një e drejtë e mohuar për të përfaqësuar vetveten në Konferencën Gjyqësore, si dhe për të zgjedhur me votën e tyre dhe jo me delegim përfaqësuesit në institucionet e drejtimit të gjyqësorit. Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve me këtë rast vlerëson vendimin e dhënë nga gjykata, e cila demonstroi edhe një herë se është garantuesja themelore e respektimit të Kushtetutës. Po ashtu, mendoj që me vendimin e saj të fundit, Gjykata Kushtetuese tregoi rolin e saj parësor në konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri, por edhe në procesin e reformave të domosdoshme në sistemin e drejtësisë”.

-Përveç faktit që tashmë çdo gjyqtar do të përfaqësojë veten në Konferencën Gjyqësore, cilat janë pasojat e tjera që do të ketë ky vendim?

“E drejta e çdo gjyqtari të Shqipërisë, i çfarëdo niveli qoftë për të përfaqësuar veten e tij në Konferencë Gjyqësore Kombëtare, është vetëm një nga pasojat e dukshme të këtij vendimi. Por pasojat e mëtejshme do të ndihen menjëherë sapo të mblidhet Konferenca Gjyqësore Kombëtare, ku për herë të parë pas rreth katër vjetësh, më në fund do të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët e Shqipërisë. Po ashtu, më në fund ky organ do të shfaqet i plotë dhe sipas projektimit të Kushtetutës me të gjithë përbërjen dhe rolin e vërtetë të tij. Konferenca Gjyqësore Kombëtare është një organ kushtetues, i cili ka si funksion themelor zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së. Ky është një funksion mjaft i rëndësishëm, sepse 9 nga 15 anëtarët e KLD-së zgjidhen pikërisht nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, që në fakt është mbledhja e të gjithë gjyqtarëve të të gjithë niveleve të Republikës së Shqipërisë. Avantazhe të tjera që burojnë nga ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, është edhe fakti që tani në rendin juridik shqiptar ka një ligj antikushtetues më pak dhe në kuadër të reformës në drejtësi që po zhvillohet, kjo çështje duhet rirregulluar nga Kuvendi sipas sugjerimeve të Gjykatës Kushtetuese. Në thelb të këtyre sugjerimeve ishte procedura e miratimit të këtij ligji, por edhe detyrimi që në Konferencën Gjyqësore Kombëtare të marrin pjesë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, pasojë e menjëhershme do të jetë edhe rivendosja në vend e dinjitetit të Kushtetutës, të përdhosur nga ky ligj që sapo u shfuqizua. Gjithashtu, vlen të përmendet edhe mundësia e rivendosjes së demokracisë së drejtpërdrejtë në KGJK, si një institut mjaft i rëndësishëm që i lejon çdo gjyqtari të ketë mundësinë e një vote, duke rivendosur jo vetëm gjithëpërfshirjen, por dhe barazinë e votës së çdo gjyqtari. Po ashtu, tani KGJK-ja kthehet në një organ dinjitoz, të plotë dhe më i fuqishëm përballë çdo presioni që mund të jetë me origjinë politike apo nga pushtetet e tjerë”.

-Ju keni depozituar një tjetër kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, që lidhet me problemin e administratës gjyqësore. Sa shpresa keni se do të merret parasysh nga gjykata?

“Po, është mëse e vërtetë, madje mund të them që ajo është po aq e rëndësishme sa kjo që na u pranua. Bëhet fjalë për dy dispozita të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor”, që kanë të bëjnë me stafin administrativ të gjykatave. Më konkretisht, sipas ligjit në fjalë, “kancelari emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, ndërsa sekretarët që punojnë pranë gjykatave dhe stafi tjetër ndihmës emërohet dhe/ose shkarkohet nga kancelari”. Por ky lloj rregullimi e vendos tërë administratën e pushtetit gjyqësor në varësi direkte të Ministrisë së Drejtësisë, duke minuar kështu totalisht parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimin e pushteteve. Sipas këtij parimi kushtetues, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe ai gjyqësor duhet të organizohen dhe funksionojnë në mënyrë të ndarë dhe të balancuar. Por për fat të keq, sipas ligjit organik të pushtetit gjyqësor në fuqi, tërë administrata e gjyqësorit emërohet dhe shkarkohet nga ministri i Drejtësisë, që në fakt është vetëm një aktor i pushtetit ekzekutiv, i cili për hir të së vërtetës është edhe pasqyrues i qëndrimeve politike të një mazhorance të caktuar. Por ne mendojmë që ky lloj rregullimi i ligjit në fjalë, jo vetëm që është totalisht joeficient për punën e përditshme të gjykatave, por më e keqja është se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si dhe me aktet ndërkombëtare ku Shqipëria është palë. Po ashtu, edhe praktika e vendeve demokratike evropiane që na rrethojnë është e tillë, që administrata e gjyqësorit si pjesë e pandarë e vetë këtij pushteti, emërohet, shkarkohet dhe rregullohet nga vetë gjyqësori. Vetëm kështu do të rritej jo vetëm eficienca në këtë pushtet, por do të rivendosej në vend edhe dinjiteti i dhunuar i Kushtetutës me këtë ligj. Për këto arsye dhe për të tjera që ne do t’i parashtrojmë para Gjykatës Kushtetuese, shpresojmë, madje kemi bindjen që edhe këto nene do të shfuqizohen nga Gjykata Kushtetuese”.

-Ministria e Drejtësisë ka bërë të qartë se nuk do të tërhiqet nga projektligjet që ka paraqitur në qeveri në kuadër të reformës në drejtësi, me gjithë kundërshtimin e grupeve të interesit, ku përfshihen edhe gjyqtarët. Si do të veproni ju në këtë rast?

“Ne shpresojmë që Ministria e Drejtësisë të ketë si qëllim reformimin e vërtetë të pushtetit gjyqësor, duke pasur si frymëzim vetëm Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë, pavarësisht se ministria ka paraqitur projektligjin për administratën e gjyqësorit në qeveri dhe më tej, nëpër komisione parlamentare, ky proces duket se është pezulluar. Kjo, sepse duhet pritur verdikti përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dy nenet e ligjit të gjyqësorit për administratën. Por në rast se ata vazhdojnë më tej në rrugëtimin për miratimin dhe hyrjen në fuqi të këtij projekti në fjalë, atëherë edhe ne do të ndërmarrim menjëherë masat tona. Dhe natyrisht, masat që mund të ndërmerren në një shtet të së drejtës, janë ato që kanë të bëjnë përdorimin e levave kushtetuese për të frenuar dhunimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kështu, edhe në këtë rast ne do t’u drejtohemi përsëri Gjykata Kushtetuese, si organ i vetëm që garanton në mënyrë përfundimtare respektimin e  Kushtetutës. Megjithatë, shpresojmë dhe urojmë që nuk do të jetë e nevojshme të ndërmarrim një hap të tillë, pasi do të donim që energjitë tona t’i drejtonim drejt dhënies së drejtësisë, dhe jo drejt ruajtjes së pavarësisë së pushtetit gjyqësor, që është detyrë kushtetuese jo vetëm e pushtetit tonë, por edhe e pushteteve të tjera, atij legjislativ dhe ekzekutiv”.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›