E Diel, 1 Nëntor 2026

Kambisti u vra për 30 mijë euro, prangosen 3 autorët

 

DURRES - Akti barbar që i mori jetën kambistit Agush Hyzoti është kryer vetëm për qëllime grabitjeje. Madje, keqbërësit kanë vepruar të maskuar me paruke, por truku nuk ka funksionuar. Policia e Durrësit në një kohë rekord ka zbardhur të gjithë mekanizmin e vrasjes, që i mori jetën babait të tre fëmijëve. Në pranga kanë përfunduar Kevin Ranxha (atentatori), 24 vjeç, i vëllai 30-vjeçar Marvin Ranxha (personi që bënte rojë) dhe Luis Vangjeli, që po i priste me motorin e ndezur në hyrje të pallatit. Nga trupi i gjakosur i kambistit ata kanë nxjerrë 20 mijë euro dhe 1 milion lekë. Por, disa dëshmitarë kyç kanë ndihmuar policinë, e cila arriti të rindërtonte skemën e vrasjes, identifikimin dhe arrestimin e shpejtë të tre autorëve. Dukej se atentati ndaj Agush Hyzotit ishte i planifikuar deri me detaje, pasi atentatorët e dinin se ai vinte nga puna me shumë para në xhep. Madje, ata njihnin edhe orarin kur kambisti kthehej në shtëpi. Falë një pune profesionale janë sekuestruar dy gëzhoja kallashnikovi, një motoçikletë me cilindratë të vogël, një automjet tip "Ford" si dhe një paruke grash, e përdorur nga autori. Pasi kanë përshkuar disa qindra metra me motoçikletë, keqbërësit kanë tentuar të largohen me autoveturën "Ford". Atentatorët kanë arritur t'i shpëtonin për disa kilometra policisë, e cila në kohë reale kishte nisur procesin identifikues. Luis Vangjeli 24 vjeç, banor i lagjes 11 të Durrësit u prangos në shtëpinë e vjehrrit të tij në Shkozet. Ndërsa dy vëllezërit Ranxha, banorë të Elbasanit u arrestuan në shtëpinë e tyre, në qytetin e lindjes. Burime të policisë pohojnë se përballë këtyre provave, autorët kanë pranuar ngjarjen, por nuk kanë bërë të ditur se ky kanë përfunduar paratë. Ndërkohë Prokuroria, e cila po merret me hetimin e çështjes ka formuluar ndaj tre shtetasve akuzat "Vjedhje me pasojë vdekjen", kryer në bashkëpunim dhe "Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake".              o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›