Serenata Napoletane në Tiranë
Edicioni i 9-të i Sezonit Koncertor Ndërkombëtar i Muzikës Klasike sjell në Tiranë serenatën Napoletane. Nesër në orën 19:00 në skenën e Akademisë së Arteve tenori Pietro Quirino së bashku me kuartetin Calace i përbërë nga Giovanni Dell'Aversana (kitarrë) Michele De Martino (mandolinë), Agostino Oliviero (mandolinë), Edoardo Converso(mandolë) interpreton këngë të njohura të krahinës së Napolit. Në repertor përfshihen pjesë si "Tarantella Napoletana" e R. Calace, "E spingole frangese" e S. Di Giacomo dhe E. De Leva, "Funicula funicula" e G. Turco dhe L. Denza, "I te vurria vasa" e V. Russo dhe E.Di Capua, "La Danza" e G. Rossinit, "Serenata napulitana" e S. Di Giacomo dhe M. Costa, "Duie paravise" e C. Parente dhe E. A. Mario, "Torna 'a Surriento" e G. B. De Curtis dhe E. De Curtis etj. Koncerti organizohet me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës.
Filmi i të enjtes në "Marubi" paraqet "Brazil"
Ndonëse në një situatë të vështirë, Akademia e Filmit dhe Multimedias "Marubi" vazhdon traditën e shfaqjes së filmit të së enjtes. Edhe pse i është ndërprerë elektriciteti dhe i është shkatërruar një pjesë e oborrit, Akademia njofton se filmi i të enjtes do të vazhdojë të shfaqet. Nesër, në orën 19:00 fton të gjithë dashamirësit e kinemasë shfaqjen e filmit "Brazil" të regjisorit Terry Gilliam. Është një dramë fantashkencore për historinë e një burokrati që kthehet pas në kohë dhe përpiqet të rregullojë një gabim administrativ. Në këto përpjekje ai bëhet armik i shtetit. Interpretojnë Jonathan Pryce, Robert De Niro, Katherine Helmond, Ian Holm, Bob Hoskins etj. Filmi është prodhim i vitit 1985 dhe zgjat 124 minuta.
Galeria shpall "Artistët e emergjencës"
Galeria Kombëtare e Arteve ka bërë publikë dje në mbrëmje emrat e fituesve të projektit "Artistët emergjentë". Komisioni i përbërë nga Rubens Shima, Genti Gjikola dhe Flutura Agaj shpallën fitues Alban Hajdinajn, Lubjana Dashin, Bahrije Toptanin, Kreshnik Hoxhallin, Oriana Kamberin dhe Ermir Hoxhën. Gjashtë të përzgjedhurit do të kenë mundësinë të punojnë në GKA për një periudhë 5 mujore gjatë vitit 2009. Galeria njofton se artistët duhet të paraqiten pranë GKA-së për të lidhur kontratë nga data 25 deri më 28 shkurt.