E Shtunë, 31 Tetor 2026

Molieri me motive shqiptare

Regjisori francez Frantz Helmer vë në skenën e Teatrit Metropolitan "Bashkëshorti Konfuz" të Molierit. Komedia-balet shoqërohet nga tinguj folklorikë të muzikës shqiptare. Pjesa do të luhet në frëngjisht dhe shqip


Për të vënë në skenë "George Dandin" të dramaturgut francez Molier (1622-1673), regjisori Frantz Helmer tregon se është frymëzuar nga novela "Kush e solli Doruntinën" e Ismail Kadaresë. Mes historisë së Molierit dhe asaj të Kadaresë regjisori francez ka parë ngjashmëri: të dyja protagonistet martohen me të huaj, që nuk i përkasin sërës së tyre sociale dhe të dy historitë përfundojë në fatkeqësi. Për këtë arsye ka për ta sjellë në dy gjuhë, shqip dhe frëngjisht.


Të vendosura në një fshat të Shqipërisë ngjarjet e "George Dandin" ose "Bashkëshortit konfuz" atij i janë dukur shumë pranë realitetit shqiptar. Helmer tregon se kjo pjesë vjen për publikun shqiptar pothuajse njësoj si është shfaqur nga Molieri për herë të parë përpara mbretit Luigji XIV, më 1668-n.

Regjisori thotë se komedia-balet "George Dandin" që ai po përgatit nuk do të shoqërohet me muzikë franceze por me motive të muzikës folklorike shqiptare. "Këtu tek "George Dandin", pjesën më të madhe të materialit e kanë sjellë aktorët dhe unë e kam pranuar. Bëhet fjalë për mënyrën e të interpretuarit.

Gjëra që më duket se janë tipike ballkanase dhe që i kam integruar në spektakël",- thotë regjisori. Për të realizuar këtë shfaqje që ndërthur njëherësh aktrimin, këngën dhe kërcimin në ndihmë i ka ardhur valltari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Rexhep Çeliku.



Helmer thotë se vënia në skenë e një vepre për teatër në dy gjuhë është gjithmonë një sfidë sepse gjithë qëllimi i punës është shkëmbimi i kulturave të dy vendeve. Në rastin e "Bashkëshortit konfuz" çdo dialog mes aktorëve do të përcillet nga titra.
Frantz Helmer vjen në Shqipëri në sajë të një bashkëpunimi mes Ambasadës Franceze, Teatrit Metropolitan të Tiranës, Akademisë së Arteve dhe Aleancës Franceze.

Në kuadër të përhapjes së kulturës francezë në botë Helmer ka gati 30 vjet që udhëton në shtete të ndryshme dhe vë në skenë vepra të autorëve francezë, si Molier, Hygo, Didëro etj. Ndalesa e radhës është Shqipëria ku në kuadër të nismës së shërbimit kulturor të Ambasadës Franceze në Shqipëri, më 20 dhe 28 mars vihet në skenë në dy gjuhë "George Dandin".

I diplomuar për aktrim dhe regji në Francë ai tregon se asnjëherë nuk ka realizuar një shfaqje në vendin e tij. Gjithë krijimtarinë e ka të shpërndarë në vende si Maroku, Rusia, Katari, etj ku ka vënë pjesë klasike si "Tre musketierët", "Don Zhuani", "Katerina", etj.

Ngjarjet e "Bahkëshortit konfuz" zhvillohen në Francën e viteve 1600, dhe tregojnë historinë e Zhorzh Dandit (George Dandin). Një fshatar me origjinë nga shtresat e varfra i cili arrin të bëhet i pasur. Në atë kohë pasuria nuk kishte shumë vlerë pa një titull fisnikërie.

Kjo e shtyn Dandin të martohet me Anzhelikën, vajzë e një familjeje aristokrate, që, e zhytur në borxhe, nuk kishte asgjë përveç emrit. Nuk do të kalojë shumë kohë dhe ajo do ta tradhtojë Dandin me një djalosh me prejardhje fisnike.


Pasi zbulon tradhtinë Dandi i drejtohet prindërve të Anxhelikës, të cilët edhe pse para provave të dukshme mbrojnë vajzën e tyre, duke kontribuar në poshtërimin e mëtejshëm të fshatarit Zhorzh.

Për këtë pjesë aktorët janë zgjedhur nga teatri i Metropolit, mes tyre ka profesionistë dhe jo profesionistë. Protagonistin, burrin konfuz e luan aktori dhe pedagogu i regjisë në Akademinë e Arteve, Alert Çeloaliaj, Anzhelikën - Adelina Muça, Klitandrin - Vilson Muçaj (student i gjuhës frënge), Klodin - Marsela Lena, (studente në Akademinë e Arteve) Lubin - Klodjan Hoxha (student në Akademinë e Arteve), Zonja Sotonvil - Elois Lepetit (pedagoge e gjuhës frënge).

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›