E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frid: “Sfidat më të mëdha për Kosovën, ekonomia dhe siguria”

Me ose pa rezolutë të OKB-së, Kosova është një shtet i pavarur

Ndihmëssekretari i Shtetit amerikan për Europën, Daniel Frid, ka vlerësuar përparimet që ka bërë Kosova pas shpalljes së pavarësisë duke hedhur poshtë të gjitha supozimet e kritikëve të ndryshëm se shteti i ri do të përballej me trazira të shumta.
Megjithatë, Frid ka vënë në dukje se Kosovën e presin sfida të mëdha ekonomike dhe në fushën e sigurisë, si pasojë e bandave politike serbe në veri. Në një konferencë për mediat, Frid pohoi se Kosova e pavarur tashmë është njohur nga 43 shtete, ndër të cilat, krahas Shteteve të Bashkuara, janë shumica e vendeve europiane dhe shumica e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ndihmëssekretari hodhi poshtë idenë se
refuzimi i Rusisë për ta njohur Kosovën dhe rrjedhimisht bllokimi i njohjes së saj unanimisht nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, e lë atë në pozitat e një gjysmështeti. “Kosova është një shtet plotësisht i pavarur, me ose pa një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, që ta sanksionojë atë. Ajo është e pavarur. Ajo është njohur nga dy të tretat e Europës, Japonia dhe Australia. Ajo është një vend i pavarur. Është për të ardhur keq që Rusia zgjodhi rrugën e vështirësimit të procesit, në vend që ta bënte atë më të lehtë, duke krijuar kështu kushte për të rrezikuar stabilitetin, si dhe duke e bërë më të vështirë të ardhmen europiane të Serbisë. Kjo nuk ishte e dobishme”,- tha Frid.
Megjithatë Moska sipas tij, me kalimin e kohës do ta ndryshojë qëndrimin e saj lidhur me Kosovën dhe nuk do të përpiqet ta pengojë qeverinë proeuropiane të Beogradit drejt një të ardhme më të sigurt. Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit tha se parlamenti paralel, i formuar në fund të muajit të kaluar nga serbët në veri të Kosovës, nuk ka status ligjor. Shumë serbë të Kosovës, sipas tij, janë të gatshëm të pranojnë realitetin e ri politik, por kanë frikë ta thonë këtë publikisht, pasi kërcënohen nga gangsterët ekstremistë serbë, disa prej të cilëve kanë hyrë në Kosovë nga Serbia. “Për serbët që kanë hyrë në Kosovë, është vështirë të thuhet nëse ata janë qytetarë të thjeshtë nacionalistë, apo të lidhur disi me qeverinë, apo zyrtarë. Duket se disa prej tyre ose të gjithë janë të tillë dhe serbët nuk duhet të dërgohen me qëllime të caktuara në Kosovë ose për të mbështetur gangsterizmin. Ky nuk është një veprim i përgjegjshëm. Ne shpresojmë që qeveria e re të veprojë në mënyrë të përgjegjshme”,- tha Frid. Ndërkohë Kosova do të përfitojë 400 milionë dollarë gjatë katër viteve të ardhshme nga Shtetet e Bashkuara, në konferencën e donatorëve për Kosovën që do të mbahet më 11 korrik në Bruksel. “Ne presim grumbullimin e fondeve deri në 1 miliard dollarë të cilat do ta ndihmojnë qeverinë kosovare për një fillim të mirë”,- shtoi Frid. Zyrtarë amerikanë ndërkaq kanë bërë të ditur se Kongresi ka miratuar edhe një ndihmë tjetër për Kosovën në vlerë prej 291 milionë dollarë.

Sejdiu dekretoi themelimin e Misionit Diplomatik në Turqi

Presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar dje themelimin e Misionit Diplomatik të Kosovës në Turqi. Presidenca njoftoi se dekretimi u bë në bazë të nenit 84, pika 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 5, pika 1 të Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës dhe pas konsultimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës Hashim Thaçi. Selia e Ambasadës do të jetë në Ankara, ndërsa ky dekret hyn në fuqi në datën e nënshkrimit. Presidenti i Republikës udhëzoi Ministrinë e Punëve të Jashtme që të ndërmerrte të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij dekreti.

Zanieri do të nisë bisedimet Kosovë-Serbi javën e ardhshme

Ashtu siç ishte parashikuar më herët, shefi i ri i UNMIK-ut, Lamberto Zanieri, do të nisë bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë. Lidhur me këtë çështje Zanieri pritet që javën e ardhshme të vizitojë Beogradin, vizitë e cila do të ketë si qëllim fillimin e bisedimeve mes dy vendeve sipas planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Mun. Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i UNMIK-ut Aleksandër Ivanko gjatë ditës së djeshme.
“Siç ka thënë sekretari i përgjithshëm në raportin e tij, shefi i UNMIK-ut do të lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd. Kështu që ai do të shkojë në Beograd, javën e ardhshme, por nuk kemi datën e saktë ende”,- tha Ivanko. Vizita e Zanierit organizohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Beograd. Ivanko u shpreh se para se të shkojë në Beograd, Zanieri do të konsultohet me autoritetet vendore të Prishtinës. “Natyrisht se ai do të konsultohet me ta. Ndryshe, mund të konfirmoj se vizita po organizohet nga zyra e OKB-së në Beograd”,- tha Ivanko. Ndërkohë Prishtina zyrtare pranon që të bisedohet për çështje teknike, por hedh poshtë në mënyrë kategorike çdo mundësi të dialogut për statusin. Në planin e Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki Mun, parashihet që Prishtina dhe Beogradi të bisedojnë për çështjet që lidhen me fushën e policisë, drejtësisë, doganave, trashëgimisë fetare dhe transportit. Vizita e Zanierit në Beograd, shënon vizitën e parë pas dy vjetësh të një shefi të UNMIK-ut në kryeqytetin serb.

Greqi, Papulias: “Çështja e emrit, konflikt me dimensione të mëdha politike”
Presidenti grek, Karlos Papulias, gjatë vizitës së tij në Austri, vlerësoi se çështja e emrit mes Athinës dhe Shkupit mbetej barrë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe stabilitetin në Ballkan.
“Ai nuk është konflikt me karakter psikologjik apo sentimental, por problem me dimensione politike, që paraqet barrë për marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kushtet për stabilitet në rajonin e Ballkanit”,- tha Papulias në intervistën për gazetën “Standard” të Vjenës. Ai theksoi se Greqia disa herë ka theksuar se qëllimi është që të gjendet zgjidhje e përbashkët dhe e qëndrueshme për të dyja palët, por ajo që e ka penguar zgjidhjen është Maqedonia. “Bëhet fjalë për zgjidhje, që do të mbante vulën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe që duhet të jetë e shkruar në Kushtetutën e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë”,- tha Papulias.

Haga e shpalli të pafajshëm gjeneralin Naser Oriç, kundërshton Serbia
Dhoma e Apelit të Gjykatës së Hagës ka shpallur të pafajshëm ish-komandantin e forcave boshnjake, Naser Oriç. Në këtë mënyrë është hedhur poshtë vendimi i Gjykatës që në vitin 2006 e kishte shpallur gjeneralin Oriç fajtor duke e dënuar me dy vjet burg nën akuzat se kishte dështuar të ndalonte torturimin dhe vrasjen e të burgosurve serbë në Srebrenicë në vitet 1992 – 1993. Pas këtij vendimi ka reaguar ashpër Serbia, e cila e konsideroi jo të drejtë lirimin e Oriç. Zëdhënësi i partisë së presidentit serb, Boris Tadiç, u shpreh se ky vendim minonte kredibilitetin e gjykatës.

Maqedoni, përfundoi pa rezultate raundi e tretë i bisedimeve për qeverinë

I mandatuari Nikolla Gruevski ka mbyllur dje raundin e tretë të bisedimeve me dy partitë shqiptare në Maqedoni, PDSH dhe BDI, për formimin e koalicionit qeveritar. Zëdhënësi i Qeverisë, Ivica Bocevski deklaroi se kryeministri Gruevski ende nuk ka vendosur se cilën parti do të përfshijë në koalicionin qeveritar. Bisedimet janë zhvilluar larg mediave dhe nuk janë dhënë detaje lidhur me ecurinë e tyre. “Përfundoi raundi i tretë i bisedimeve për zgjerimin e koalicionit qeveritar. Bisedimet u zhvilluan sipas dinamikës së paraparë dhe afateve të caktuara. Në periudhën e ardhshme do të hapen raundet e tjera për të përcaktuar koalicionin”,- deklaroi Bocevski. Gjatë ditës së djeshme, kryetari i VMRO-DPMNE-së zhvilloi bisedime me kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, ndërsa të mërkurën në mbrëmje është takuar me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, i cili fitoi votat e shqiptarëve në zgjedhjet e përgjithshme.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›