E Shtunë, 31 Tetor 2026

Frenk Lampard te Interi, 9 milionë euro pagë

Për t’u veshur zikaltër është përfolur edhe emri i gjermanit Shvajshtajger

Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, duket se do të transferohet tek Interi: sipas mediave angleze, dy klubet kanë gjetur akordin, sipas të cilit lojtari do të luajë në Serinë A për 7 milionë sterlina (afro 9 milionë euro). Sipas goal.com, kalimi është realizuar pavarësisht faktit se zikaltrit kishin deklaruar publikisht se nuk do të merrnin shërbimet e Lampard gjatë kësaj vere.

Ish-trajneri i londinezëve, Hoze Murinjo, që tashmë drejton stolin e Interit, kishte pohuar në fillim të kësaj jave se ishte e pamundur që 30-vjeçari të blihej këtë verë. Ai kishte lënë të kuptohej se transferimi i mesfushorit mund të realizohej vetëm në fund të sezonit, që do të startojë së afërmi.

Por, gazeta britanike "Daily Mail" shkruante se ardhja e Dekos ka bërë që drejtuesit e Çelsit të kërkonin një sistemim sa më të shpejtë të Lampard. Sipas së njëjtës së përditshme, nënkampionët e Evropës gjetën marrëveshjen me Interin, duke i dhënë fund telenovelës së futbollistit të kombëtares angleze, që gjatë sezonit të kaluar nuk e ka fshehur asnjëherë zhgënjimin për trajtimin që po i bëhej në "Stemford Brixh".

Edhe pse shifrat nuk janë ende zyrtare, mendohet se Lampard do të përfitojë afro 6 milionë sterlina (7.7 milionë euro) rrogë në sezon gjatë qëndrimit në "San Siro", ndërsa kontrata e tij me kampionët e Italisë do të jetë 4-vjeçare. Gazeta theksonte se sapo të përfundojë pushimet e tij në Sicili, Lampard do të zyrtarizohet si blerja e parë e Hoze Murinjos në krye të Interit.

E vërteta do të zbulohet vetëm pas pak orësh, pasi priten edhe reagimet zyrtare të të dyja klubeve, por ndërkohë me siguri mund të thuhet se merkato e teknikut portugez nuk do të frenohet këtu. Tjetër objektiv i zikaltërve ishte edhe Rikardo Kuarezma, por 32 milionë euro dhe Pele të pretenduara nga Porto janë cilësuar të ekzagjeruara. Kjo është arsyeja përse për rolin e mesfushorit të krahut zikaltrit po punojnë për Amantino Mansinin. Për të bindur Romën që të shesë brazilianin, klubi i Moratit është i gatshëm të paguajë 10 milionë euro dhe të përfshijë në marrëveshje edhe Obina. Ndërsa në orët e fundit është përfolur edhe emri i gjermanit Bastian Shvajshtajger, kontrata e të cilit te Bajerni i Mynihut skadon në vitin 2009.

Ksavi Hernandez

Mediat italiane dhe ato spanjolle raportonin se Murinjo i ka kërkuar presidentit Masimo Morati që të blejë edhe yllin e Barcelonës, Ksavi Hernandez. 28-vjeçari fitoi çmimin si "Lojtari më i Mirë i Euro 2008", duke qenë një lojtar shumë i rëndësishëm në triumfin e Spanjës pas 44 viteve në aktivitetin kontinental.

Zambrota: “Asnjë ndryshim midis ligës spanjoll, Serisë e Ligës e angleze”

Zambrota, i cili kaloi në radhët e Milanit nga Barcelona muajin e kaluar, po pret me padurim fillimin e kësaj aventure të re me kuqezinjtë. Pasi kaloi dy vite në Spanjë dhe pasi provoi futbollin spanjoll, Zambro mendon se ndërmjet Ligës spanjolle dhe asaj italiane nuk ka shumë ndryshime. Ai përfshin edhe Ligen angleze, edhe pse këtë të fundit nuk e ka provuar.

"Serie A? La Liga? Premier? Gjithçka varet nga lojtarët që e përbëjnë dhe nga mënyra si ata luajnë", - u shpreh Zambrota në “Il Corriere Canadese dello Sport”.

"Sigurisht, ka ndryshime në mënyrat e lojës pasi në Angli bëhet loje më agresive, në Spanje me fantaziste ndërsa në Itali më e thjeshtë dhe e frytshme. Të tria këto kampionate janë mjaft të bukura dhe presonalisht nuk mendoj se kanë ndonjë ndryshim të madh". "Gjithsesi, është gjithmonë e vështirë të vendosësh se cili nga këto kampionate është më i miri"

Mbrojtësi kuqezi foli gjithashtu për Ronaldinjon, më të cilin kaloi dy vjet në “Kamp Nou” dhe siç dihet është prej kohësh një prej objektivave kryesorë të “Djajve të Kuq”

"Ronaldinjo është një lojtar i madh dhe për mua është një nder që kam luajtur me të dhe shpresoj të luaj sërish", - u shpreh Zambrota. "Kohët e fundit ai ka pasur disa probleme, por jam i sigurt që do të rikthehet në nivelet e tij më të mira. Ka akoma shumë për të dhënë në futboll. Është një lojtar që është në gjendje të bëjë diferencën, një lojtar që kushdo do të deshironte ta kishte në ekip". Milani është në ndjekje të Ronaldinjos prej kohësh por arritja e ketij objektivi duket vërtet e vështirë për kuqezinjtë. Një nga problemet kryesore është shuma e madhe e parave e kërkuar nga Barça për të. Kjo ka bërë që interesimi për sjelljen e brazilianit në “San Siro” të jetë gjithnjë e në ulje.

Çelsi, blerja e madhe quhet Arshavin

E përditshmja britanike “The Mirror” është shprehur se Zenit St. Petersburg ka pranuar ofertën e bluve të Londrës prej 12 milionë sterlinash për Arshavinin dhe gjithashtu thuhet se rusi do të udhëtojë në fundin e kësaj jave në Londër për të pranuar termat personale dhe për të bërë kontrollin mjekësor.

Presidenti dhe njëkohesisht pronari i Çelsit, Roman Abramoviç, po kërkon me ngulm ardhjen e Arshavin tek Çelsi këtë verë dhe pritet që me ardhjen e rusit në Londër, lojtari i cili me siguri do të largohet do të jetë Andrij Shevçenko.

Shevçenko erdhi me bujë të madhe në Londër, por nuk pati aspak shkëlqimin që arriti në radhët e kuqezinjve të Milanit. Dhe tani pritet largimi i tij, pas një sezoni mjaft negativ, ku luajti vetëm 7 ndeshje e duke shënuar vetëm 2 gola.

Trajneri i ri i Çelsit, Luiz Felipe Skolari, pas arritjes së objektivit të parë, marrjes së fantazistit të Barçës, Deco, tani duket se ka drejtuar sytë tek fantazisti i Reali i Madridit, Robinjo, por Abramoviç insiston se Arshavin është një investim më i mirë. Barcelona është gjithashtu e interesuar për 27 vjeçarin, i cili është shprehur se do t'i pëlqente më shumë një kalim në Premiera Division. Një burim nga Zenit pohoi: "Çelsi ka kontaktuar me klubin dhe një marrëveshje është arritur. Arshavin do të udhëtojë drejt Londrës për të biseduar per termat personale me klubin. Ai është mjaft i tërhequr nga ideja e të luajturit në Spanjë, por gjithashtu mendon se futbolli anglez përshtatet më mirë me stilin e tij të lojës dhe me Roman Abramovçin e interesuar për të. Githçka mund të ndodhë".

Kupa UEFA, Kataliniç i trembet Partizanit

Boshnjakët e Shiroki Brijeg ishin përgatitur për një kundërshtar më të lehtë, por, në fakt, menjëherë pas hedhjes së shortit të turit të parë eliminator të Kupës Uefa, ku kundërshtar i tyre doli Partizani (nënkampion i Shqipërisë, 41 ndeshje në Europë), drejtuesit e skuadrës janë parë të shqetësuar.

Ky fakt është bërë i njohur edhe në gazetën vendase "Dnevni List", së cilës i referohet sajti i njohur sportiv goal.com. Në shkrimin e gazetës sllobeve theksohet se ishte një short i pafat dhe se të gjithë kanë ngelur shumë të pakënaqur. Skuadra boshnjako-kroate, e drejtuar nga Ivan Kataliniç, një i njohur i vjetër i Shqipërisë (ka drejtuar për pak kohë Dinamon) do të duhet të bëjë llogaritë tashmë me "demat" e Hasan Likës.

Mërzia vjen edhe për faktin se vetë Katalini nuk është se nuk e njeh Partizani. "Një kundërshtar shumë i rrezikshëm, pohon ai për gazetën "Dnevni List". Janë një nga klubet me më shumë trofe në Shqipëri.

Sezonin e kaluar ishin në betejë pranë e pranë me Dinamon për titullin kampion dhe vetëm në fund të sezonit e humbën betejën. Çdo vit ata luftojnë për vendin e parë. Është e vështirë t‘ju them sesa i fortë është, sepse nuk kam shumë informacion mbi gjendjen e tanishme, cilët lojtarë ikin, cilët vijnë, por për fat të mirë kemi disa lojtarë kroatë që luajnë në Shqipëri.

Janë disa te Dinamo dhe do të mbledhin informacion për ne për të mësuar sesa i fortë është ky Partizan". Megjithatë, duke qenë se ai i njeh klubet më të fortë të Shqipërisë, e parashikon se nuk do të jetë e lehtë, por shpreson te fati, edhe pse e di mirë që shqiptarët kanë shumë dëshirë të luajnë në turin e dytë. Për këtë ai paralajmëron të tijtë të tregojnë shumë kujdes.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›