E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shfaqet në SHBA dokumentari “Illyria”

Mbreti Zog, Enver Hoxha, Berisha, Moisiu e Rugova në optikën e regjisores çifute

Nga Nju Jorku, Beqir SINA
Në njërin prej mjediseve të Konsullatës së Përgjithshme të mbretërisë belge, në Nju Jork, ekselenca e saj Renilde Loeckx Drozdiak, konsulle e përgjithëshme, organizoi shfaqjen private të filmit dokumetar “Illyria”, një realizim i producentes dhe skenaristes amerikane me origjinë hebreje, Myriam Abramowicz. Shfaqja u bë para një auditori, i cili ishte kryesisht me të ftuar nderi; një grup historianësh, muzikantë, diplomatë, kineastë, gazetarë e artistë. Miq e bashkëpuntorë të regjisores Abramowicz morën pjesë të hënën, në këtë shfaqje. Meqënëse, filmi flet për Shqipërinë e shqiptarët, origjinën e tyre dhe meqënse vet ajo është e miqësuar në këto 10-15 vitet e fundit me shqiptarët, Abramowicz preferoi të ftojë në këtë shfaqje edhe disa nga miqtë e saj si ish-kryesuesin e misionit të OSBE-së, “heroin i Reçakut”, ambasadorin William Walker, z.Agim Karagjozi, kryetar i Federatës PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, dr. Ana Kohen, kryetare e shoqatës humanitare të grave shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”, kompozitoren e njohur që banon në SHBA, Dhora Leka, violinistin e kompozitorin e talentuar Arenc Leka, z.Agim Rexhaj, afaristët e suksesëshm Zyhdi Karagjozi e Sejdi Hysenaj. “Fillimisht, dëshiroj t’ju them ‘falemnderit’ të gjithëve ju, që me prezencën tuaj, po më nderoni mua në shfaqjen e këtij filmi të papërfunduar. Gjithashtu, më duhet të falënderoj edhe Kosnsullatën e Përgjithshme të Belgjikës, e cila hapi dyert për këtë shfaqje. Falënderoj edhe ata, të cilët me kontributin e tyre, u bënë pjesë e këtij filmi”, ka thënë në fillim të shfaqjes realizuesja e filmit dokumetar “Illyria”, Myriam Abramowicz. Dokumentari i prezantuar në Nju Jork është një punë e kujdesshme 10-vjeçare e producentes Abramowicz, e papërfunduar, e cila jep një tablo të plotë nëpërmjet dokumeteve, pamjeve filmike e dëshimive të përpjekjeve të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci.

Zhvillimet shqiptare në shekullin e fundit

Në nje hark kohor më shumë se 100-vjeçar, veç paraqitjes së një sërë ngjarjesh nga më të rëndësishmet që lidhen me kohën e mbretit Zog, në dukumentar jepen pamje filmike e dokumenta që tregojnë zhvillimet historike të kombit shqiptar, politikës, dhe çështjes së Kosovës e Çamërisë ndër vite. Presidenti i ndjerë Rugova, presidenti dhe kryeministri Berisha, ish-presidenti Alfred Mosiu, ish-ministri i jashtëm Arian Starova, gazetarë, studiues, historianë, politikanë, presidenti i SHBA-ve William J. Clinton, ish kryesuesi i misionit të OSBE-së, “heroi i Reçakut” ambasadori William Walker, mbreti Leka Zogu I, ish-kongresmeni, Joseph DioGuardi, ish-udhëheqës komunistë (e veja e diktatorit Hoxha, Nexhmije Hoxha), kongresmenë e senatorë amerikanë, segmenete të ish-sigurimit të shtetit, refugjatë nga Kosova, intelektualë e njerëz të thjeshtë, me intervistat e tyre, fjalimet, opinonet e studimet janë pjesa më tërheqse dhe më e bukur e filmit me metrazh të gjatë “Illyria”. Filmi që zgjati 150 minuta ka kushtuar rreth gjysmë milionë dollarë.

Komunizmi, tragjedia më e rëndë kombëtare

Një pjesë të mirë në dokumentar zë diktatura 50-vjeçare e komunistëve në Shqipëri. Ajo përshkruhet si tragjedia me e rëndë kombëtare. Dokumentari nis me një paraqitje të burgjeve, internimeve e persekutimit të intelektualve, poliitikanëve, pronarëve, klerikëve fetarë e patriotëve shqiptarë nga “partia shtet” dhe përfundon me një alternativë të vlerësuar si më të mirën për të ardhmen e Shqipërisë, që është demokracia e vendosur pas rrëzimit të komunizmit. Lufta për pavarësinë e Kosovës dhe çështja e Çamërisë janë dy probleme të tjera që trajtohen prej dokumentarit. Ngjarje e zhvillime këto të cilat nëpërmjet celuloidit, na shfaqen në ekran duke treguar qartë faktet, historinë tragjike të shqiptarëve dhe mbi të gjitha, të vërtetën.
Filmi fillon me një Shqipëri, të “zhuritur”, të katandisur në skamje e mjerim, varfëri totale që u la dhuratë nga sistemi komunist. Më pas, rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha, (sekuenca të marra nga një televizion polak), fytyra njërëzish të raskapitur, xhama të thyer, pllakat e rrugëve e bulevardeve, kapakët e hekurit të pusetave të vjedhura, lypsarë në rrugë e njerëz me thika në duar, apo tufa bagëtish rrotull Lanës janë pamjes rrëqethëse të filmit. Statistikat nuk mungojnë në këtë film. Në Shqipëri, zyrtarisht janë ekzekutuar 5 577 burra dhe 450 gra. Janë dënuar 26 768 burra dhe 7 367 gra. Kanë vdekur në burg 1 065 persona. Kanë humbur aftësinë mendore 408 vetë. Kanë vdekur në internim 7 022 vetë. Në 50 vite diktaturë komuniste, nga kjo shtresë janë kryer 914 000 vite burgu dhe 256 146 vite internim.

4 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›