Arjan Beqaj: Jam krenar që jam shqiptar

Portieri i Kombëtares shqiptare, në një intervistë të dhënë për mediat greke, rrëfen dhembjen që ka ndjerë në shpirt kur koret raciste të tifozëve të Olimpiakosit vërshonin në drejtim të tij vetëm për faktin se ai ishte shqiptar.
Por, megjithatë, edhe pse nuk i ka përjetuar mirë këto kore raciste, Beqaj ka theksuar fort se ai ndihet krenar për origjinën.
“Unë jam krenar që jam shqiptar, nënvizoi Beqaj. Jam mësuar me sharje, por këto janë si goditje poshtë brezit (i referohet goditjes së ndalur me rregull në boks). Sidoqoftë, aq sa jam krenar për origjinën time, aq edhe respektoj Greqinë, ku kam kaluar gati gjysmën e jetës”.
Më pas, portieri i Kombëtares shqiptare tregon se ai nuk ka paragjykime për grekët, edhe pse ofendimet ndaj tij për shkak të origjinës nuk i kanë munguar thuajse në çdo ndeshje që ka luajtur.
Për të ilustruar këtë, ai ka dhënë edhe argumente të lidhura edhe me jetën e tij jashtë futbollit, si martesa me një vajzë greke, me të cilën momentalisht ka dy fëmijë.
Por, megjithatë, ai është treguar kategorik në faktin se nuk toleron askënd ta përgojojë për origjinën e tij. “Nuk lejoj njeri, kushdo qoftë ky, që të më paragjykojë për origjinën time, sqaroi Ariani. Unë gjithashtu e di se të poshtrit nuk kanë kombësi, por i përkasin vetëm racizmit”.
Më pas shqiptaro-kosovari, i cili është prej disa sezonesh një nga futbollistët më të mirë të Anorthosis të Farmagustës në kampionatin qipriot, por edhe në impenjimet në arenën ndërkombëtare, ka folur edhe në lidhje me ndeshjen e sotme ndaj skuadrës tjetër greke, Panathinajkosit, e vlefshme për ndeshjet në grupin B të Champions League.
Ai pohoi se “Panathinajkosi është favorit për këtë takim. Do të jetë shumë vështirë për ne. Edhe ne edhe ata në këtë lojë hyjmë për fitore. Do të mundohemi të arrijmë rezultat pozitiv. Panathinajkos ka bërë ndryshime në skuadër, ka investuar, ka ekip të ri, por kualitativ. Do të jetë sfidë interesante”, deklaroi 33-vjeçari.
Megjithatë, ai sqaron se skuadra e tij nuk është dorëzuar dhe shpresat për të grumbulluar tre pikët e para në grupin B janë të mëdha: “Do të japim më të mirën nga vetja në 5 ndeshjet tjera që i kemi përpara, më pas të shohim se ku do të arrijmë. Synimi ynë është që të arrijmë të marrim fitoren e parë në ndeshjet në grupe”.