E Hënë, 2 Nëntor 2026

Arjan Selimi nuk ka gjyqtarë në Apel për ta gjykuar

11/05/2005  TIRANË – Një prej pjesëtarëve të grupit të madh, dyshuar se për vite me radhë kanë bërë trafikun ndërkombëtar të drogës, ka mbetur në "ajër". Që nga dita e arrestimit deri tani, Arjan Selimi që ndodhet në Burgun e Sigurisë së Lartë 302, në pritje të marrjes së dënimit, ose deklarimit të pafajshëm, ka bërë dhjetëra kërkesa në drejtim të Apelit. Kërkesa e fundit bërë nga Selimi është ajo për kundërshtim të zgjatjes së afateve të hetimit, që Prokuroria bëri për të pak kohë më parë. Por tashmë për Selimin nga ka mbetur më trup gjykues që ta marrë në shqyrtim kërkesën e tij. Në këto kushte, Selimi do të detyrohet të përballet me Gjykatën e Apelit Ushtarak. Ka bërë disa herë kërkesë për revokimin e masës së arrestit, por ka humbur. Ankesat e Arjan Selimit janë të shumta. Nëpërmjet avokatit të tij Ardian Leka, ai i ka paraqitur këto ankesa në gjykatë, por përsëri ka dështuar. Kështu, i revoltuar, Arjan Selimi është shprehur se gjykatat nuk janë të pavaruara për aq kohë sa ato marrin në konsideratë vetëm provat e akuzës, duke shpërfillur mbrojtjen. Ankesat e Selimit i janë bërë prezente dje edhe përfaqësuesve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, gjatë një takimi në ambientet e burgut. Selimi së bashku me shokët e tjerë mbahen në burg pas provave të dërguara nga autoritetet italiane me letërporosi. Ardhja e letrës bëri të zbatohej edhe urdhri për arrestimin e tyre. Akuzohen për trafik të lëndëve narkotike parashikuar nga neni 283/a paragrafi 3, KP.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›