Drejtësi. Xhafaj, Kondi, Sollaku rezolutë e përbashkët

11/05/2005 TIRANË – Në ditën e inaugurimit të godinës së Ministrisë së Drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Fatmir Xhafaj, kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi si dhe Prokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, nënshkruan një rezolutë të përbashkët të Republikës së Shqipërisë. Po dje, herët në mëngjes, ministri Xhafaj u dërgoi 360 gjyqtarëve nga një kartolinë me stemën e drejtësisë, duke u shkruajtur në to një thënie të Nënë Terezës. Dje në Ditën e Drejtësisë, nga përfaqësuesit më të lartë, u tha se do të përkrahet lufta kundër fenomeneve, si paaftësia, abuzimi me detyrën, mungesa e përgjegjësisë, korrupsioni brenda sistemit gjyqësor, prokurorisë, policisë gjyqësore dhe administratës gjyqësore. Rikonstruksioni i godinës së Ministrisë së Drejtësisë, ka filluar në vitin 2000 dhe përfundoi në vitin 2003. Sot në Ministrinë e Drejtësisë funksionon salla për pritjen e popullit, me një ambient pritjeje për qytetarët, salla e konferencave me një kapacitet vendesh të ulura prej 180 personash si dhe me sisteme bashkëkohore punimi, salla e mbledhjeve të Komisionit të Reformës Ligjore, holli i konferencave për shtyp, Muzeu i Ministrisë së Drejtësisë, që prej krijimit të parë të saj në vitin 1912 e deri më sot si dhe Muzeu i Drejtësisë në Shqipëri, i cili përfshin një periudhë që nga krijimi i akteve të para që rregulluan të drejtën e deri në vitin 1912, me shpalljen e Pavarësisë së vendit.