E Hënë, 2 Nëntor 2026

Malaj, kujdes me kazinotë

11/05/2005  Kanë të lartë rrezikun për pastrimin e parave

Hapja e kazinosë në mes të Tiranës dhe plani për katër kazino të tjera në të gjithë vendin, ka rritur vëmendjen e ministrit të Financave karshi pastrimit të parave. Sektori i lojërave të fatit është dhe segmenti më i preferuar për pastrimin e parave dhe duket se Shqipëria ka marrë sinjale të qarta lajmërimi nga ndërkombëtarët për këtë çështje. “Pas disa shqetësimeve të ngritura nga opinioni i brendshëm dhe ndërkombëtar, ministri i Financave i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave të bashkëpunojnë me strukturat homologe të vendeve të tjera, në fushën e lojërave të fatit dhe kazinove”, bën të ditur zyra e shtypit pranë ministrit të Financave. Kështu, duket se jo vetëm tatimorët, por dhe Drejtoria e Pastrimit të parave do të angazhohen në kontrollin e rreptë të bilancit financiar të kompanive që do të japin kazino në Shqipëri. Fillimisht do të kontrollohet burimi i kapitalit të tyre dhe legjitimiteti i gjithë dokumentacionit të dorëzuar. Kështu, ministri i Financave ka kërkuar një bashkëpunim më konkret midis institucioneve në lidhje me sigurimin e një transparence, përsa i takon certifikimit të burimit të kapitalit themeltar prej subjekteve të licensuara në fushën e kazinove, si dhe të transaksioneve që ato do të kryejnë gjatë ushtrimit të aktivitetit. Jo vetëm kaq, por Drejtoria e Pastrimit të Parave duhet të rrisë bashkëpunimin me strukturat homologe të vendeve anëtare të organizatës ndërkombëtare “Egmond Group”, në të cilën është dhe anëtare për të kërkuar zyrtarisht adoptimin e metodave të kontrollit dhe të mbikëqyrjes. Punonjësit e kësaj drejtorie duhet të mësojnë të përgatisin raportet mbi analizën e herë pas hershme që do t’u bëhen kazinove. “Eshtë nevoja të përsoset kuadri ligjor ekzistues, në lidhje me marrëdhëniet e këtyre subjekteve të licensuara me subjektet e tjera shtetërore, që janë objekt i këtij ligji”, ka bërë të ditur në një deklaratë për shtyp, Arben Malaj, ministër i Financave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›