E Hënë, 2 Nëntor 2026

Braka, garanci 30 mijë dollarë për të lënë qelinë

11/05/2005  Gjykata refuzon pretendimin e të arrestuarit për trafik droge

TIRANË – "Kërkojmë të revokohet masa e arrestit burg pa afat për akuzën e trafikut të armëve dhe për këtë qëllim japim një garanci pasurore prej 20-30 mijë dollarë. Do të jemi në dispozicion të drejtësisë për të zbardhur të vërtetën". Kjo është kërkesa e bërë dje në Gjykatën e Apelit nga i pandehuri Besnik Braka, i cili, përveçse akuzohet për trafik armësh, ka mbi shpinë edhe veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim. Braka ishte i vetëm dje në bankën e të akuzuarve, pa shokët e tjerë. Kërkoi revokimin e masës për akuzën e parë dhe të dytë. Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin me burg pa afat për veprën penale të trafikut të armëve, duke mos u shprehur për atë të drogës. Ishte Prokuroria ajo që kërkoi kohë për të studiuar dosjen e dytë të ardhur në emër të Besnik Brakës. Vendimi do të shpallet të shtunën, pasi Prokuroria të japë më parë pretendimet e saj. Gjykata e konsideroi veprën penale të trafikut të armëve, kryer nga Besnik Braka, tepër të rëndë dhe për këto arsye ajo nuk mori parasysh lënien e garancisë pasurore në bankë. Braka është konsideruar "truri" i trafikut, njeriu me shumë precedentë penalë dhe i lidhur me koka të krimit të organizuar. Akuzohet se në bashkëpunim me Tajar Leçinin, Zamira Gjongecajn dhe Zamir Ferhatin, të ketë kryer veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike.

Sasia e 5 kg drogë u kap në shtëpinë e të pandehurës Zamira Gjongecaj. Besnik Braka nga Elbasani është quajtur si kreu i grupit të dyshuar kriminal. Droga, sipas akuzës, ishte destinuar të nisej drejt Italisë. Ndërkohë mësohet se të gjithë pjesëtarët e grupit merreshin edhe me shpërndarjen e heroinës në vend. Një nga këto shpërndarëse është edhe e pandehura Zamira Gjongecaj, e cila pretendon se është shtatzënë për të dalë nga burgu.

Trafiku

Besnik Braka njihet tashmë si një prej personave që kanë organizuar trafikun e fishekëve dhe të heroinës. Para se Besnik Braka të jepte shpjegime për trafikun e heroinës nga Shqipëria drejt Italisë, u njoh me një akuzë të re. Që nga data 28 dhjetor 2004, i pandehuri Besnik Braka figuronte person ndaj të cilit ishte vendosur masa e arrestit burg pa afat për veprën penale të trafikimit të fishekëve në drejtim të Greqisë. Braka gati dy vjet më parë u kap duke transportuar drejt Greqisë, me makinën e tij, 500 mijë fishekë. Megjithëse fishekët u asgjësuan, Braka arriti të shpëtonte nga prangat. Megjithatë masa u dha në mungesë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›