E Diel, 1 Nëntor 2026

Arjana Bekteshi: “Gati shpërndarja e shpërblimit për mësuesit”

Sa shpërblim do të përfitojnë 44 mijë mësuesit në vend për festat. Kush prej tyre nuk do të marrë pagën shtesë për rezultatet e mira në punë

Jonida Tashi

Gati shpërndarja e shpërblimit me rastin e festave të fundvitit për mësuesit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Albania” nga drejtoresha e Drejtorisë Arsimore në Tiranë, Arjana Bekteshi. Sipas Bekteshit, mësuesit do të marrin shpërblimin para festave të fundvitit. Gjithashtu, Bekteshi sqaron se edhe këtë vit mësuesit do të përfitojnë dy shpërblime: atë prej 10 mijë lekësh të akorduar nga qeveria dhe atë për rezultate të mira në punë. Ky i fundit varet nga vlerësimet që drejtorët e shkollave kanë bërë për punën e çdo mësuesi. “Gjithçka është gati. Mësuesit do ta marrin shumë shpejt shpërblimin, brenda datës 24 dhjetor, sepse pas kësaj date mbyllen llogaritë bankare dhe ne nuk mund të kryejmë dot asnjë veprim”, - shprehet drejtoresha Bekteshi. Sipas saj, tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat për llogaritjen e shpërblimeve dhe pritet vetëm nisja e shpërndarjes, që do të nisë menjëherë pas kalimit të parave në llogaritë bankare. Kështu, gjatë tërheqjes së pagës mujore, arsimtarët do të përfitojnë shpërblimin e dhënë nga qeveria dhe atë që drejtori i shkollës u ka caktuar. Arsimtarët, që, për arsye nga më të ndryshmet, nuk janë vlerësuar pozitivisht për punën e bërë nga eprori i tyre do të mjaftohen vetëm me shpërblimin prej 10 mijë lekësh.
Rroga shtesë
Përveç 10 mijë lekëshit të akorduar nga qeveria për festat e fundvitit për të gjithë punonjësit e administratës, mësuesit do të përfitojnë edhe shpërblimin për mbarëvajtjen në punë. Këtë shpërblim, që nuk do të jetë më shumë se 1 (një) pagë mujore, do ta përfitojnë mësuesit që kanë realizuar programin vjetor të punës. Shpërblimi për rezultate të mira në punë do të jepet në bazë të rezultateve individuale në punë, sipas parimeve dhe procedurës së përcaktuar në legjislacionin e shërbimit civil. Njëkohësisht, drejtuesit e institucioneve përkatëse kanë bërë vlerësimin e punës së bërë nga mësuesit gjatë vitit për të përcaktuar se cili prej tyre do të përfitojë këtë fundviti edhe pagën shtesë. Vlerësimi i mbarëvajtjes në punë bazohet në arritjen e objektivave për çdo vend pune dhe në aftësitë kryesore që nevojiten për të kryer detyrat. Vlerësimi i përgjithshëm bëhet në katër nivele të mbarëvajtjes në punë, që janë: “Shumë mirë”, “Mirë”, “Kënaqshëm” dhe “Jo mjaftueshëm”. Tre nivelet e para janë vlerësime pozitive, që lidhen drejtpërdrejt me procedurën e konfirmimit në fund të periudhës së provës, të lëvizjes paralele dhe ngritjes në detyrë. Gjithashtu, për këto tre nivele, nëpunësi civil shpërblehet në vlerë monetare në fund të vitit të vlerësimit të rezultateve individuale, ndërkohë që niveli 4 është vlerësim negativ. Për të gjitha shkallët, shpërblimet janë: Niveli 1, “Shumë mirë” një pagë mujore; Niveli 2, “Mirë” 70 për qind të pagës mujore; Niveli 3, “Kënaqshëm” 50 për qind të pagës mujore. Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim. Normalisht, vlerësimi kryhet nga eprori i drejtpërdrejtë, por në raste të veçanta mund të zbatohen procedura të tjera. Për rastet e veçanta, procedura vendoset nga bashkëpunimi i njësisë përgjegjëse për menaxhimin e burimeve njerëzore të institucionit përkatës dhe Departamentit të Administratës Publike.
Përfituesit
Aktualisht, të gjitha drejtoritë arsimore në vend kanë përfunduar vlerësimin e punës së çdo mësuesi. Gjatë këtij viti, 44 mijë mësues në vend pritet të shpërblehen për vështirësinë e punës. Dhënia e shpërblimeve bëhet në një pagesë të vetme, gjatë muajit dhjetor, pasi është mbyllur viti i vlerësimit dhe është bërë vlerësimi i mbarëvajtjes. Shpërblimi llogaritet në bazë të pagës totale që ka marrë individi gjatë vitit të vlerësimit. Rrjedhimisht, personat që janë emëruar ose ngritur në detyrë gjatë vitit të vlerësimit do të marrin një shpërblim që reflekton periudhën e tyre të punës në rast të emërimeve të reja dhe të pagave të niveleve të ndryshme që ka marrë në rastet e ngritjeve në detyrë. Nëpunësit që pushohen nga puna para fundit të tetorit nuk përfshihen në shpërblimet për mbarëvajtjen në punë. Ata nëpunës që dalin në pension, që japin dorëheqje, transferohen në një strukturë tjetër të administratës shtetërore ose kalojnë në listë pritjeje marrin shpërblim. Nëse në fund të vitit të vlerësimit fondi i shpërblimeve nuk konsumohet plotësisht, për shkak të vlerësimeve “Jo mjaftueshëm” të mbarëvajtjes në punë, sekretari i përgjithshëm mund të autorizojë një rritje të masës së shpërblimeve për punonjësit e vlerësuar me nivelet nga 1 deri në 3, brenda fondit të përcaktuar.

Shpërblimet për mbarëvajtjen në punë sipas vlerësimit
Shpërblimet për mbarëvajtjen në punë bëhen në bazë të performancës vjetore të secilit nëpunës civil.
Për të gjitha shkallët, shpërblimet janë si më poshtë vijon:
Niveli 1, “Shumë mirë”, një pagë mujore
Niveli 2, “Mirë”, 70 për qind të pagës mujore
Niveli 3, “Kënaqshëm”, 50 për qind të pagës mujore
Punonjësit, mbarëvajtja e të cilëve është vlerësuar me nivelin “Jo mjaftueshëm” (niveli 4), nuk marrin shpërblim.

Niveli 1, “Shumë mirë”
Mbarëvajtja në punë është në nivelin e pritshëm. Nëpunësi ka përmbushur saktësisht të gjitha objektivat e përcaktuara në fillim të vitit apo edhe ato të shtuara gjatë vitit të vlerësimit.
Niveli 2, “Mirë”
Mbarëvajtja në punë arrin nivelin që pritet në pjesën më të madhe të objektivave, por, gjithsesi, në disa prej tyre pritet realizim në nivele më të larta.
Niveli 3, “Kënaqshëm”
Mbarëvajtja në punë përmbush kërkesat bazë të vendit të punës, pa dobësi serioze.
Niveli 4, “Jo mjaftueshëm”
Arritjet në punë janë nën nivelin e pritshëm, të paktën në disa prej fushave kryesore dhe kërkon përkushtim më të madh dhe aftësi për të arritur një nivel të përgjithshëm të kënaqshëm.

24 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›