BERATTemperaturat e ulëta tejmbushin me fëmijë të sëmurë Repartin e Pediatrisë
Temperaturat e ulëta të shënuara 3 ditët e fundit në qytetin e Beratit, kanë rritur numrin e fëmijëve të sëmurë, të cilët kanë tejmbushur Pavijonin e Pediatrisë në spitalin rajonal të qytetit. Situata e rënduar që është krijuar këto ditët e fundit ka ardhur si rezultat i mosvlerësimit të situatës së temperaturave të ulëta dhe moskujdesit të treguar nga prindërit në vlerësimin e këtyre temperaturave. Shefi i Repartit të Pediatrisë në spitalin rajonal të qytetit mjeku Vladimir Kumaraku, gjatë një interviste të dhënë për gazetën, ka pohuar se këto ditë janë karakterizuar me një rritje të sëmundshmërisë së rrugëve të sipërme respiratore, të cilat janë pasojë e një viroze që po qarkullon si pasojë e ndryshimeve klimaterike, ku faktorët kryesorë janë ndryshimi i temperaturave dhe nga ndryshimi i lagështisë së ambientit. Mjeku Kumaraku pohon se viroza që po qarkullon në këto ditët e fundit manifestohet me temperaturë të lartë që shkon në shifrat 40-41 gradë celsius, e cila duhet të përballohet vetëm me antipiretikë dhe kompresa me ujë të ftohtë, por që fatmirësisht, siç shprehet vetë mjeku Kumaraku, nga kjo virozë deri tani nuk ka pasur asnjë rast kombulsioni apo ndërlikimi. Mjeku Kumaraku pohon se rastet janë të shumta dhe frekuenca është mjaft e lartë, gjë që ka bërë që ky repart ta kalojë kapacitetin e tij duke bërë edhe dublime të fëmijëve në një shtrat. Mjeku Kumakaku pohon se fëmijët e sëmurë po trajtohen me serume e antibiotikë të ndryshëm, ndërkohë që nënave u është këshilluar që të kenë kujdes për mënyrën e ngrohjes së dhomës, duke mos i lënë fëmijët të djersiten. Nënat e fëmijëve shprehen se kanë nga 2-3 ditë që i kanë shtruar fëmijët në spital dhe gjendja e tyre fillestare ka qenë e rënduar, fëmijët kanë pasur temperaturë mbi 40 gradë dhe ethe të vazhdueshme.
24 Dhjetor 2008