E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjana Qatipi - Ëndërra e përmbushur pas 13 vitesh internim



Sonila Merolli

Në orën 7:00 të mëngjesit atë mund ta hasësh nëpër rrugët e kryeqytetit, duke bërë kronikën e mëngjesit, pasi siç thotë dhe ajo vetë, pa terrenin nuk ka jetë, nuk ka gjallëri. Kjo ndjesi nuk i ka ndryshuar asnjëherë, edhe pse mban mbi supe 58-vite jetë. Vështirësitë e punës ende nuk e kanë dorëzuar, përkundrazi energjia që i jep puna e rinon edhe më. Ca orë më tej, kur dita ka nisur për të gjithë, atë e gjen fare lehtë te “Kështjella magjike”, pranë RTSH, ku të gjithë e thërrasin “moma”. Arjana Qatipi është një nga gazetaret dhe zërat e radios, që ka rezistuar mes dy brezave të gazetarëve. Në intervistën e mëposhtme ajo tregon për karrierën e saj si gazetare, si vijoi ëndrra e lënë përgjysmë. E rritur mes ambicies për t’u bërë gazetare, pas një pune më se 13- vjeçare si mësuese, në fund të viteve 1990, Arjana prek ëndrrën e saj.
Ju jeni një gazetare që prej 20 vitesh i keni qëndruar besnike terrenit. Si i kujtoni fillimet tuaja në gazetari?
Kam mbaruar për gazetari në vitin 74’-75. Për shkaqet politike të kohës, më internuan në fshatrat e Mirditës. Nuk pata mundësi të nisja karrierën time për gazetari, një dashuri e shenjtë për mua, por krijova lidhjen me gazetarët e Radio Tiranës.
Përse ju internuan?
Babai im u godit me grupin e ushtarakëve, me të ashtuquajturin “Grup puçist i ushtrisë” dhe për këtë arsye na çuan si dënim në Mirditë.
çfarë bëtë gjatë atyre viteve?
Punova në arsim për 13 vjet, por u mora edhe me aktivitete kulturore artistike, për më tepër. Vitet më të bukura të jetës më kaluan andej, pavarësisht viteve të vështira, më ndihmuan të ecja pasi u largova nga familja ia dola e vetme. Më pas u martova, u bëra nënë herët dhe sot i kam si shok. Vitet e para që ata kishin nevojë për prezencën time ju isha pranë. Kështu kaluan vitet. ndërsa ëndrra në sirtar vijonte...
Me se u morët kur u kthyet në Tiranë?
Punova në një revistë për bujqësinë. Për mua ishte një eksperiencë. Por hyrja tek Radio Tirana ka qenë një ndër ditët më të bukura të jetës. Për mua deri në 1989, RTSH ishte një “mollë e ndaluar” dhe vetëm, unë mund ta prekja atë. Këmbëngula me çdo kusht të plotësoja ëndrrën time. Më kishte mbetur ora tek Radio Tirana. Ishte shumë e vështirë, pasi duhet të kishe biografi pa cene, megjithatë falë shoqërisë arrita të takoj Thimi Mitkon. Mora guximin dhe i thashë se nuk kisha lënë takim, nëse mundej të më priste. Si duket atij i bëri përshtypje tipi im i drejtpërdrejtë dhe pranoi të më dëgjonte. Me bindje i thashë se isha e përshtatshme për të punuar në radio dhe i kërkova një mundësi.
Cili është emisioni më i arritur që keni realizuar në radio?
Së bashku me gazetarin Agim Pipa ne hapëm emisionin e ri “Zemër”. Këtu i dedikoheshim pikërisht emigrantëve klandestinë, lidhjeve me familjet e tyre. Me këtë emision, ne u lidhëm me gjithë botën. Filluan të na kuptonin dhe të na dëgjonin shumë. Lidhëm shumë familje. Lidhëm shumë prindër me fëmijë. Përpos faktit që ishte e dhimbshme të bashkoje njerëzit, ishte dhe një scoop gazetaresk. Lidhëm 25 fëmijë me prindërit. Ne ishin si ‘Don Kishotë’, që luftonim me mullinjtë e erës, por luftonim veç. Luftonim pa e vrarë mendjen për pasojat. Dhe arritëm të japim mesazhe të forta.
çfarë përbënte për ju ky kalim nga radio në televizion?
U bëra egoiste përse mos provoj televizionin. Brenda meje ishin pjekur të gjitha aftësitë për të kaluar në televizion. Tashmë doja të isha me dëgjuesin e drejtpërdrejtë me tema të veçanta, të pa realizuara më parë. Radioja dëgjohet shumë, por televizioni është më i prekshëm, më i dukshëm. Ishte kërkesë ndaj vetvetes, ndaj bëra një kërkesë në Drejtorinë e Televizionit, e cila mu aprovua menjëherë. Mendoj që godita në shenjë. U mora me emisione speciale që nuk ishin trajtuar. Me të prekur nga SIDA, me të përndjekurit, me varfërinë, dikush i dhunuar, i dënuar padrejtësisht, me njerëzit me aftësi të kufizuara dhe shumë probleme të tjera. Prej tyre shumë tabu, si ato të edukatës seksuale, njohuritë e para sesi të mbrohemi për një seks të sigurt etj. Morëm emërtime të ndryshme, pasi të flisje për kontraceptivët në atë kohë ishe e ndryshme nga kolegët dhe njerëzit më paragjykonin. Prandaj dhe emisionet e mija dëgjohesh, por edhe paragjykoheshin, por unë e kisha marrë përsipër riskun me kolegun tim.
Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga RTSH?
Mezi erdha pas 13 vjet ëndrrash këtu tek kjo “kullë e fildishtë”, që kur vija në Tiranë, këmbët më sillnin vetiu për ta parë. ëndrra të përditshme. Kjo e para. Ofertat i kam pasur të shumta. Diku shefe, diku gazetare speciale etj… Por ëndrra ime, ka qenë kjo “kullë e fildishtë”. Tashmë që ajo më ka dhënë shumë dhe i kam dhënë, është shumë e vështirë ta tradhtoj. Nuk ma bën zemra ta tradhtoj dhe pse vendet që më janë ofruar ishin me rrogë më të mirë.
I keni thënë ndonjë herë vetes boll Ariana me aventura?
Dëshira qëlloi më e fortë. Megjithëse familja ishte në një rrezik të përsëritshëm, Zoti na ndihmoi. Më ishte mohuar për shumë vite me radhë e drejta për të ndjekur ëndrrën time, në momentin që e kisha mundësinë brenda meje, përse t’ua mohoja të tjerëve. Ndoshta ishte shumë e re dhe e dëshiruar për t’u bërë gazetare, të gjitha këto ndikonin.

Gjakmarrja, një plagë e hapur
Aty ku janë problemet sociale më të thella, është edhe Arjana Qatipi. Ajo nuk tutet t’u shkojë gjërave në fund. Një ndër temat që ka ndjekur, është edhe ajo e gjakmarrjes, ende shumë e pranishme në veriun e Shqipërisë. Ka dëgjuar shumë histori të dhimbshme, ka njohur familje të ngujuarish, apo ka marrë pjesë në pajtime. Por sipas saj fatkeqësisht gjakmarrja është një plagë e hapur. “Mund t’i referohemi një rasti konkret. Para tre muajve qytetari Engjëll Aliko, në autostradën Tiranë-Durrës aksidentoi djalin e Zef Tomës. Si rezultat, familja e Tomës, kërkon të marrë gjak për djalin e vdekur. Në bazë të Kanunit gjaku merret mbi të riun e familjes, i cili, në këtë rast, është Ervis Aliko, djali i Engjëll Alikos. Nuk dihet vendbanimi i saktë i Ervis Alikos, por vetëm fakti, që ai jeton në emigracion. Familja e Zef Tomës, ndërkaq, e ka bërë të qartë, se në rast se djali i Engjëll Alikos kthehet në Shqipëri, në bazë të Kanunit, do të marre gjak, çka nënkupton pasiguri jete për të në Shqipëri.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›