Pazaret “pushtojnë” Kategorinë 1
Leonard Karaj
Fitojnë katër kryesueset e vendeve të para, Partizani humbet thuajse çdo shpresë për të kapur një vend ‘play-off’-i për tu ngjitur në Superiore.
Ndeshjet e javës së 29-të të Kategorisë së Parë kanë regjistruar mjaft rezultate surprizë, ndër të cilat edhe të “fabrikuara”, siç mund të konsiderohet përballja në Bilisht mes vendasve dhe Elbasanit, por edhe fitorja “in extremis” e Kamzës ndaj Luftëtarit. Sidomos në Bilisht, atje ku golat dhe përmbysjet ndodhën si në një ndeshje lagjesh, ku mungonte fare rivaliteti. Pa përmendur këtu skuadra të tjera, që luftojnë për mbijetesë, të cilat kanë marrë pikë të çmuara (në fakt të dhuruara) në transferta të vështira. Më i humburi i kësaj jave duket se ka dalë Skrapari, i cili jo vetëm s’u ka bërë nder rivalëve të Lushnjës (të kuqve), të cilën e priste në shtëpi, por është mundur thellë 3-0, duke e pasur njërën këmbë një kategori më poshtë. Javën e ardhshme do të luajë në kryeqytet, ndaj Partizanit, i cili nuk mund ta mëshirojë absolutisht. Pasi priste ndihmën e skraparlinjve këtë javë, në luftën për në katërshen e kreut në Kategorinë e Parë, gjë që nuk ndodhi, ndaj hakmarrja e Partizanit pritet të jetë e dyfishtë ndaj Skraparit, pas 1 jave. Një ngjeshje e tmerrshme sa i takon kreut, ku Elbasani dhe Kamza, kanë kuotë të njëjtë pikësh, në vendin e dytë dhe të tretë, nga 59 pikë, ndërsa Lushnja dhe Partizani e shikojnë veten në të njëjtën kuotë pikësh, nga 57 pikë, në vendin e katërt dhe të pestë. Në këtë mënyrë, do të jetë java e fundit, që do të vendosë fatin e skuadrave që mbajnë shpresa Superlige. Më saktësisht, skuadra që do të renditet e dyta dhe hyn direkt në kategorinë e më të mirëve, dhe dy të tjerat, që do të pozicionohen në vendin e tretë dhe të katërt, që do t’i nënshtrohen ‘play-off’-it, si “provimi” i fundit për Superioren.