E Diel, 1 Nëntor 2026

Bedri Spahiu: Tuk Jakovës i morën jetën në spitalin e burgut



AFRIM IMAJ

Në numrin e djeshëm botuam tekstin e letrës në formë testamenti që Bedri Spahiu, ish-Prokurori i Përgjithshëm dhe ish-ministër i Arsimit, i shkruante Mehmet Shehut nga kampi i Elbasanit në vitin 1966. Me anë të saj vinte në dijeni Kryeministrin për politikën liberale, që regjimi kishte filluar të zbatonte me të burgosurit politikë, duke zbutur ndjeshëm dhunën dhe terrorin e egër ndaj tyre. Po kjo, vren Spahiu, kishte qenë një pranverë e shkurtër që degjeneroi shumë shpejt dhe riktheu kontradiktat e mëparshme midis të dënuarëve politikë dhe administratorëve të burgjeve. Ky tjetërsim, vijon ish-prokurori i dënuar, risolli situatën dramatike dhe në repartet e riedukimit u rikthyen sharjet, druri, hekurat, telat me gjemba, duke shpërfillur hapur masat disiplinore që përmbante rregullorja. Bedri Spahiu informon Kryeministrin se perspektivat e përmirësimit të konditave për të burgosurit u errësuan dhe atyre ju humbi çdo shpresë për t’u liruar. Politika e dhunës, shkruan ai në letrën e tij, i detyroi të burgosurit që të tentonin arratisjen, ashtu siç ndodhi në kampin e Laçit ku u arratisën tre vetë dhe Drejtoria e Kampit, ekzekutoi njërin prej tyre, duke e lënë trupin e tij për 24 orë në oborrin e burgut, në këmbët e të burgosurve. Ajo gjë ndodhi edhe në Kampin e Fushë-Krujës, ku një i burgosur tentoi vetëvrasjen duke u hedhur vetë në tela që ta qëllonin ushtarët.
“Tuk Jakova nuk vdiq, por e vranë pabesisht. U sëmurë një ditë nga apendisiti dhe shkoi si cjapi te kasapi. Kërkoi ndihmë për të shpëtuar, por e lanë të vdiste në vetmi. Vrasjet në sëmundje e sipër janë nga më të dëshiruarat për diktatorat.”
Mënyra si është përshkruar në ditarin e Bedri Spahiut, kjo ngjarje i kapërcen kufijtë e një dëshmie të zakonshme. Teksa u kthehet momenteve, kur është ndarë me të për herë të fundit në korridorin e burgut, Spahiu përshkruan me detaje çfarë ndodhi deri në çastet kur u hap lajmi se Tuk Jakova vdiq. Në letrën drejtuar komandantit të burgut, ish-prokurori i Përgjithshëm, denoncon dhunën dhe terrorin ndaj të burgosurve dhe vë në vëmendjen e tij peripecitë e shumta në përballjen me gardianët e pashpirt....

Letër komandantit të burgut
Objekti i testamentit: Ju padis! I nderuari Hysen Kapllani. Komandanti i Kampit 303 Elbasan.
Në datën 7 prill, në mungesën time, në mbledhjen që bëtë me të burgosurit, ju u thatë se Bedri Spahiut i pret gjuha brisk, por do t’ia presim. Po të kundrohet në kontekstin e fjalimit tuaj, kjo do të thotë se Bedri Spahiu bën agjitacion e propagandë dhe do të marrim masa kundër tij. Eshtë për të vënë re se këtë akuzë ju ma bëni ditën që hordhitë fashiste sulmonin skelat tona. Mirë do të ishte të mos ta kishit përdorur shpatën e antiligjorit vëllavrasës në këtë ditë që mendimet e atyre, që kanë luftuar për çlirimin e Shqipërisë, ishin përqendruar në atë ditë të zezë të të pushtimit. Nga ana tjetër, është për të vënë re se ju emrin tim e kishit vënë në krye të një liste prej tre vetash. Nuk gaboj po të them se dy vetat e tjerë janë një koperturë që ju shërben të mbuloni faktin se akuza kundër meje është një fabrikim i paramenduar. Eshtë për t’u vënë re gjithashtu, se njëri nga shokët në listë është akuzuar si socialdemorat, tjetri është prift katolik. Unë kam të drejtë, pra, të mendoj se mbasi nga pikëpamja ideore ju më quani revizionist, puna juaj ka dashur ta paraqisni atë “të folur brisk” si një agjitacion të frontit revizionist-socialdemokrat-klerikal. As që denjoj të merrem me vetë akuzën, e cila e drejtuar ndaj një të dënuari politik është një turp i shekullit të XX.

Ne, pengjet e gardianëve
Unë dua vetëm të vë në dukje: E para, se në bazë të opinionit të shëndoshë të të burgosurve, zotëria juaj, deri më sot, njiheni si një partizan i ligjshmërisë dhe i rregulloreve të administrimit të të burgosurve. Nga pikëpamja e të kuptuarit të problemeve politike të kohës, ne jemi dy të kundërta antagoniste, por nga pikëpamja e qëndrimit ndaj ligjit, jemi dy të kundërta unitare. Në fakt, juve ju duhet të mbroni ligjet dhe rregulloret se me atë mënyrë kryeni detyrën; mua më duhet ky qëndrimi juaj se me atë mënyrë mbrohen të drejtat e mia si i dënuar. Bash për këtë arsye unë kam për ju atë respekt që duhet të ketë çdo njeri për atë zyrtar që nuk e vë vetveten mbi ligjet. Ka katër muaj që jam në kampin tuaj dhe nuk jemi njohur as përpara kësaj kohe. Më imponohet të nxjerr konkluzionin se ju nuk keni pasur asnjë arsye personale që të më akuzonit kot. E dyta: unë mendoj se komanda që ju drejtoni, po të gjendej përpara një informacioni të besuar, do të përdorte ose metodën e këshillimit, siç e ka përdorur edhe për të tjerë, ose do të përdorte metodën e intensifikimit të përgjimit dhe të spiunazhit. Ju përdorët me mua metodën e provokacionit dhe të kërcënimit publik. Ju nuk jeni pasur motive vetjake për një gjë të tillë, prandaj unë nuk mund të besoj që ju të jeni zgjedhës i metodës në fjalë. E treta: Në kampin e Fushë-Krujës edhe në kampin që administroni ju, është një tabelë, ku thuhet se nuk mund të përfitojë falje, lirim me kusht dhe takim special ai që shprehet kundër situatës së vendit. Kjo është e drejta e shtetit. Asnjë shtet që dënon agjitacionin dhe propagandën nuk i fal ata kundërshtarë që nuk janë rehabilituar sipas pikëpamjes së tij, në situatën e dhënë. Por duke qenë se çështja qëndron kështu, lind pyetja: Mbi cilin nen të Kodit Penal e ngritët ju akuzën kundër meje? çfarë masash të tjera ju lejohet të merrni kundër një të burgosuri politik, që e akuzoni se bën agjitacion në mes të burgosurve të dënuar gjithashtu për agjitacion e tradhti. Unë nuk mund të besoj që një njeri i ligjit, siç jeni ju, t’i lejojë vetes të ngrejë akuzë të pambështetur në ligj, prandaj më duhet të arrijë në përfundimin se akuzën e ka ngritur tjetër kush dhe juve ju ka vënë në rolin e zëdhënësit.

Burgu: Aty ku jetohet me litar në grykë
Jua them këtë që t’i thoni atij që ju ka servirur materialin provokues, se nuk i shitet mish kasapit dhe se nuk mund të zihet i papërgatitur dhe në befasi, ai që ka respekt për dinjitetin e njeriut sado të rrojë me litar në grykë, siç po jetoj unë. Eshtë një veprim kontradiktor fakti që nuk ju dorëzoj juve letrën që shkruaj për ju. Kjo kontradiktë shpjegohet: Asgjë nuk do t’i vlente antiligjorit, kjo letër që do të binte në dorën tuaj, në qoftë se procesi i arbitraritetit ka arritur apo do të arrijë në atë shkallë që ka qenë, në të cilin i burgosuri është një dash kurban në pritje të dasmës. Edhe nëqoftëse gjendja nuk do të zhvillohet në drejtim të pasigurisë së të burgosurit, nuk do të ishte kjo letër që do të përmbante antiligjorin. Unë kuptoj dhe e përligj plotësisht rolin tuaj si zëdhënës i antiligjorit. E çfarë mund të bënit tjetër kur antiligjori të del përpara me flamurin e partisë, të republikës, të socializmit, të cilëve zotëria juaj i keni kushtuar ndjenjat më fisnike të njeriut dhe jetën tuaj? Në luftën që bën ndërgjegjja juaj si njeri, si ligjor, si komunist, ju i thoni ndërgjegjes po ashtu siç i kam thënë edhe unë dikur ndërgjegjes sime: “Pra! S’ka të drejtë!” Megjithëse veprimi juaj i tanishëm na vë në opozicion me njëri-tjetrin, ne të dy përbëjmë një unitet nga pikëpamja e perspektivës. Po! Se sado e rëndë që të jetë situata e ligjshmërisë, sado pisk që ta ketë kjo, sado e rëndë që të bëhet në të ardhmen (mjaft e rëndë ishte edhe ajo e 1948-ës) në fund të fundit kontradikta ndërmjet zyrtarëve ligjorë e antiligjorë do të zgjidhet në favor të ligjshmërisë së Republikës, të kësaj Republike, të këtij takimi, se shteti ynë si çfarëdo shtet tjetër nuk mund t’i veshë vetvetes funksionet e arbitraritetit. Ripërtëritja e 1966 ishte një dukuri simbtomatike në këtë drejtim. Në qoftë se dikushi, e kam fjalën tek ai që të përdori si zëdhënës, u kujtua të më vërë në shënjestër pikërisht mua, në qoftë se këtë e bëri në kushtet e çiltërsisë së dëshpërimit të të burgosurve dhe të heroizmit të dëshpërimit, në qoftë se këtë e bëri në kushtet që shfaqen konturet e shtypjes me të gjitha format e tija antiligjore, banditeske, ganksteriane dhe mafioze, në qoftë se mbahet parasysh se ai që keni vënë në shënjestër është një personalitet dhe shok i ngushtë i Tuk Jakovës, të cilin e vranë antiligjorët zyrtarë (unë i kam faktet e kësaj që po them, por nuk dua ti jap), në qoftë se mbahet parasysh se unë nga pikëpamja e antiligjorëve nuk jam më pak i rrezikshëm se Tuk Jakova, po të mbahen parasysh të gjitha këto nuk mund të mos arrihet në përfundimin se provokacioni i 7 prillit është preludi i fundit, vënia në zbatim e planit të zhdukjes së Bedri Spahiut.

Ja si e terrorizuat Tukun
Mund të bëhet vërejtja se, po të kishte një plan të tillë, do të më kishin vrarë bashkë me Tuk Jakovën. Para së gjithash duhet thënë se në atë periudhë (gusht 1959) antiligjorëve nuk u paraqitej nevoja e zhdukjes as e Bedri Spahiut dhe as e vetë Tuk Jakovës. Përkundrazi, ata kishin nevojë që Tuku të jetonte. Ata dyshimomanë besonin se Tuku dhe unë do të kishim material të padeklaruar, që mund t’iu interesonte për goditje në udhëheqje. Ata shpresonin nga ana tjetër, se do të na detyronin të viheshim në pozitë që të na përdornin si jallanshahitë për goditje në udhëheqje. Përjashtohet, pra, një dëshirë e antiligjorëve që të vinin në zbatim planin e tyre qoftë mua, qoftë Tukun. Në atë kohë, ndodhën tri ngjarje kompleksiteti i të cilave i përcaktoi:
1-Në muajin maj 1959, në takimin që pati me familjen, salloni i burgut oshëtiu nga britmat e Tukut: “ç’janë këto që na bëni, o faqezinj? Ne nuk luftuam 20 vjet për këtë gjendje. Këtë as fashistët nuk na e kanë bërë!”. Tuku u inatos pasi i deleguari i hetuesisë, i cili asistonte në takimin me familjen, nuk pranoi ta lejonte Tukun të puthte fëmijët. Vetë prania e të deleguarit ishte e dënueshme nga pikëpamja ligjore, pasi ne nuk kishim asnjë lidhje me hetuesinë. 2-Pak përpara kësaj ngjarjeje Tukun e thirri një antiligjor duke e bërë që roja ta lidhte me hekura dhe ta kalonte, para se ta çonte tek ai, në të gjitha ato rrugë apo vende ku kishte vuajtur në kohën e hetuesisë dhe të izolimit të vetmuar, pas gjyqit. Ky antiligjor cinik kujtonte se nga një trajtim i tillë po aq cinik paraprak, Tuku do t’i shkonte në duar si ajo pula e trembur nga qifti. Ndodhi e kundërta: Kur antiligjori e porositi që të kërkonte rrugën e rehabilitimit, thënie kjo e nxjerrë nga goja e një profesionisti të proceseve të rreme dhe drejtuar një personaliteti si Tuk Jakova, i cili vazhdimisht përpara dhe pas arrestimit ka qenë në pozita autokritike, donte të thoshte: “Shërbena si jallashahit se do të lirojmë!”, Tuku iu përgjigj: “Mjaft më keni mashtruar deri më sot. Këtej e tutje nuk do të mundni kurrë të më mashtroni!”.
3- Tuku u sëmur nga apendisiti dhe u shkoi në dorë si cjapi te kasapi. Unë nuk jam sëmurur ndonjëherë. Vrasja në sëmundje e sipër është më me leverdi nga të gjitha të tjerat. Nga ana tjetër ai u shkoi në dorë pas ngjarjeve të lartpërmendura, kur antiligjorët ishin mbushur plot urrejtje, nervozizëm dhe dyshime ndaj tij, se mos u zbulonte makinacionin e vetakuzës për të cilin e dënuan. Ky është kompleksiteti i atyre rrethanave që përcaktuan vrasjen e Tukut. Shfarosja e të burgosurve për antiligjorët ka një bazë teorike. Zyrtarët tashmë e kanë deklaruar hapur tek të burgosurit se në prag të një rreziku të mundshëm do të shfaroseshin paraprakisht të gjithë ata. Sikur një gjë e tillë ta thoshte një shtetas i lirë i çfardoshëm, ligji do ta dënonte si disinformator të shtetit. Oh ç’ironi e fatit të njeriut të lirë! Hej, ti njeri i lirë i kohës sonë dhe i brezave të ardhshëm! Ti që asgjë s’ke vuajtur, asnjë s’ke parë me sytë e tu dhe që asgjë s’ke dëgjuar të tillë me veshët e tu, po të kishte mundësi që t’lexoje të dy testamentet e mija, do të arrije në përfundimin se shkruesi është relatues i hatave fantastike...
Kur shtypja arrin deri atje sa i burgosuri të kërcënohet me reprezalie ndaj familjes, për shkak të qëndrimit politik të tij në burg, kur i burgosuri dënohet për dëshmi të rreme pse nuk pranon të përsërit para gjyqit shpifjet që ka qenë i detyruar nga torturat t’ia bënte qytetarit të lirë, kur i dënuari politik kërcënohet, apo dënohet për të dytën herë se mbron në burg, para të burgosurve politik, po ato pikëpamje politike për të cilat është dënuar e izoluar nga shoqëria, kur provokimi i ndarjes, i shkatërrimit të familjeve për shkaqe politike është ngritur në sistem, ku, pra, ka dukuri të tilla, i nderuari zoti komandant, kjo është se zyrtarët ligjor e kanë pisk. Nga të gjitha sa ju relatova, ju z. Komandant do të keni në mos bindjen, të paktën një farë dyshimi se “Dikushi” nuk më zgjodhi kot dhe nuk më përdori kot mua si daulle Ramazani me provokacionin e 7 prillit.

Do të vras me dorën time si Dali Nderun e Liri Gegën
Dikush! Me këtë emër të kam pagëzuar ty, zyrtar i pashpirt dhe antiligjor. A të kujtohet që në testamentin tim të parë, unë u nisa nga shprehja jote: “Do të më shohësh!” Tani po nisem nga ajo shprehja e dytë e jote: “Me dorën time do të të vras, siç vrava Dali Nderun dhe Liri Gegën” Dhe unë t’u përgjigja: “Lavdi atyre që vriten nga dora e një vasali feudal!”. Nuk po ta përmend emrin kurrë, sepse e individualizuar figura jote nuk do t’i shërbente më përgjithësimit. Të gjithë xhelatët janë njësoj. Ju me tmerrin e torturave, po i bëni të burgosurit, që të shkojnë drejt telave me gjemba duke i thirrur rojes: Të lumtë ajo dorë! Qëllo!” Ju e keni hallin te herezia e të burgosurve, tek ato muhabetet e tyre, që nuk cenojnë aspak autoritetin e shtetit, ligjet dhe rregulloret, por që zbulon krimet tuaja. Ju kërkoni me krime të reja të zhdukni krimet e vjetra. Tani punoni që të krijoni një tmerr të tillë te të burgosurit dhe askush të mos guxojë e të thotë: “Unë jam viktimë!” A do të fitojë ky kursi juaj? Të lë pra t’i konsumosh qetësisht viktimat. Me pospërfillje Bedri Spahiu.
Elbasan 15 prill 1967
vijon nesër...

Dokumenti i mjekëve: Vdekja mund të shmangej
“Po të zbatohej regjimi klinik i nevojshëm, vdekja e Tuk Jakovës mund të shmangej” Në këtë përfundim ka konkluduar komisioni zyrtar i ngritur me urdhër të ministrit të Brendshëm Kadri Hazbiu për të shqyrtuar rrethanat në të cilat ndërroi jetë i burgosuri Tuk Jakova. Gazeta “Panorama” ka mundur të sigurojë një kopje të raportit mjeko-ligjor që mban datën 29/09/1959. Tre nga mjekët më të njohur të kohës Fejzi Hoxha, Xhavit Gjata dhe Petro Cani, pas një studimi të kujdesshëm të kartelës dhe dokumentacionit spitalor, bëjnë të ditur se pacienti Jakova është sjellë me vonesë së klinikë, nuk i është dhënë terapia e plotë për diagnozën e kostatuar dhe i ka munguar asistenca sanitare! Ky raport i tyre, pasi është studiuar nga Kadri Hazbiu, është redaktuar dhe është adresuar në Sekretariatin e KQ me siglën “Tepër Sekret”. Pra, ajo që dëshmon Bedri Spahiu për vdekjen e Jakovës, provohet qartësisht edhe nga bluzat e bardha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›