E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bëjeni shtëpinë të rregullt



Në shkencat e fizikës (astronomi, kimi, gjeologji, meteorologji, fizikë), “ligji” dhe “rregulli” janë pothuajse sinonime të njëra-tjetrës. Merrni në konsideratë këta shembuj. Ligji i gravitetit përshkruan sesi masa të mëdha tërheqin njëra-tjetrën në një mënyrë të parashikueshme matematikisht apo të rregullt. Ligji i Bode-s përshkruan dhe predikon sesi planetët organizojnë veten e tyre në një grupim harmonik dhe të rregullt të eklipseve të përqendruara përreth diellit. Distancat nuk janë të barabarta, por distancat janë matematikisht të predikueshme dhe konform një rregulli apo ligji të zbuluar.
Shkencëtarët bihejvioristë që studiojnë rritjen dhe zhvillimin njerëzor, konceptojnë ‘ligjin’ dhe ‘rregullin’ sikur ndajnë një grup rrënjësh të zakonta në mendjen e një fëmije. I sapolinduri shfaqet i gatshëm me dëshirën për t’i mesuar të dyja këto gjatë lindjes, me sytë e tij që pyesin, “Nga vjen kjo dritë?” “Ai tingull ka një burim”, duket sikur thotë i mituri, “ç’është ai burim?”. Padyshim, siç theksoi dhe Dr. Maria Montessori, në faza të caktuara, i mituri duket sikur kërkon përgjigje për këto dhe njëqind pyetjeve të tjera, duke lënë të kuptosh se universi duhet të jetë i shpjegueshëm, duke iu bindur ligjeve dhe duke u sjellë në një mënyrë të rregullt. Ligji dhe rregulli kanë pothuajse të njëjtin kuptim, kur përshkruajmë gjithësinë. Dhe, ligji dhe rregulli kanë pothuajse të njëjtin kuptim kur përshkruhet evoluimi i mendjes së të miturve. çdo prind duhet të jetë i ndjeshëm ndaj këtij fakti bazë për zhvillimin e fëmijës. çdo prind duhet të gjejë rrugë për të lejuar fëmijën e tij të zbulojë të njëjtin kuptim siç kumtoi Ajnshtajni: “Universi është i rregullt, prandaj është i kuptueshëm”. Në fakt, Ajnshtajn ishte duke argumentuar që universi është i kuptueshëm nga çdo mendje njerëzore normale apo të arsyeshme. Ose, sipas fjalëve të ekologjistit të shquar, Gregory Bateson, ekziston një bashkim midis mendjes dhe natyrës.
Si e përcjellin prindërit këtë qëndrim thelbësor ndaj universit?
Këtu janë disa nga mënyrat më të unifikuara:
-Në shumë shtëpi përreth botës, një model i parashikueshëm i prezantohet fëmijës: mëngjesi në orën shtatë; dreka në mesditë; darka në gjashtë; një kohë me familjen në orën shtatë.
-Shumë fshatra përcaktojnë një ditë në javë për larjen e rrobave, një tjetër ditë për të dalë në treg, një ditë tjetër për të adhuruar, një tjetër ditë për projekte punë komunitare, një tjetër ditë për sport dhe lojëra, etj.
-Në shumë vende në botë, familjet që janë shumë të afërta planifikojnë një apo disa ditë në vit për një ribashkim dhe të gjithë anëtarët priten që të bashkohen për raste të caktuara festive apo ceremoniale.
-Në disa zona urbane, të rinjtë e fqinjëve priten të marrin leksione muzike apo kërcimi, apo arti në pasdite.
-Në disa shtëpi, çdo mjet ka vendin e vet; çdo libër ka vendin e tij në një raft; çdo enë kuzhine ka sirtarin e vet.
Të gjitha kulturat themelojnë, dhe deri në një masë të caktuar, përforcojnë, disa modele për qëllime të shumta. Këto modele i japin një rregull familjes dhe shoqërisë; këto modele veshin një “gramatikë” të cilën anëtari i ri mund të mësojë gjuhën sociale të kulturës së tij. Këto modele u mësojnë fëmijës se jeta, apo ajo pjesë e jetës që fëmija sheh në fakt, ka kuptim. Sociologët bëjnë thirrje për trajnimin e fëmijëve për të kuptuar dhe ata pranojnë këto konventa shoqërore të “socializimit” - përgatitja e fëmijës për të marrë pjesë, pa mangësi dhe me siguri, në jetën e kulturës.
Të mësuarit fëmijës për të respektuar rregullsinë është theksuar nga leximet tona rreth jetës së grave dhe burrave vërtetë kreativë që na tregon se shtëpia e tyre, ku u rriten ishte një shtëpi e tillë. Encyclopaedia Britannica, për shembull, ka cituar, për Mahatma Gandhi-n: “.....u rrit në një mjedis të sertë moralisht....ai shpejt takoi idealistët e mirënjohur socialë dhe shokohej nga diskriminimi racor”. Në jetën e Gandhi-t një zinxhir efektesh sugjerohet: Gandhi u trajnua nga prindërit e tij dhe nga mentorët e prindërve të tij që ta shihte universin si shoqërisht dhe moralisht të rregullt. Kur ai përceptim u bashkua me idealizmin e ndriçuar, rezultati ish një neveri e moralshme ndërsa shihej një individ duke cënuar dinjitetin e tjetrit.
Për Ajnshtajnin, një tjetër problem i “rregullit” në univers u prezantua. Orbita e planetit të Mërkurit dukej kaotike, nga mosbindja e ligjeve të njohura. Ajshtajni i dha peshë faktit se ligji i forcës së gravitetit të Njutonit nuk dukej të ishte i fuqishëm mjaftueshëm për të mbajtur Mërkurin në orbitën e tij. Mërkuri, mendoi Ajnshtajni, nuk mundej që realisht të mos i bindej një ligji të natyrës. Kjo do të thoshte se, siç dukej, lëvizja konfuze dhe jonormale e Mërkurit vinte si rezultat i ndjekjes së një ligji tjetër nga ai i Njutonit. Natyra nuk është pa ligje, arsyetoi ai. Këto dhe meditime të ngjashme e udhëhoqën Ajnshtajnin të themelonte Teorinë e Relativitetit, një grup ligjesh më të fuqishme se ato të zbuluara nga Njutoni.
çështja nuk shtrohet se masa e Mërkurit ishte indiferente apo kundërshtonte masën e Diellit. “Ligji” dhe “teoria” që zbuloi Ajnshtajni kish të bënte me reagimin “fetar” të Mërkurit për t’i dhënë formë hapësirës, jo thjesht masës së Diellit. Në universin e Njutonit, hapësira nuk kish formë dhe, si rrjedhojë, pa influencë. Ajnshtajni i dha botës një pikturë më të plotë të hapësirës, kohës, dhe çështjes, sepse ai e dinte se nevojiteshin ligje që lidheshin me lëvizjen e çdo trupi, çdo atomi, në hapësirë. Ai e dinte se asnjë planet, asnjë atom, nuk është mbi ligjin.
Në mënyrë të ngjashme, vëllezërit Wright nuk kishin dëshirë të mos t’i bindeshin ligjit të gravitetit, kur vendosën të shpiknin aviacionin e fuqishëm. Ata thjesht po kërkonin mënyra për të kuptuar ligjet që u mundësonte zogjve të fluturonin, ligje që nuk binin ndesh me ligjin e gravitetit të Njutonit. Prandaj, aviacioni modern, idetë jo të dhunshme të Gandhit dhe teoritë e Ajnshtajnit të universit procedojnë nga një burim i njëjtë bazë: respekti, por dhe dashuria, për “Ligjin dhe Rregullin”. Ky respekt dhe kjo dashuri është një farë e mbjellë në ditët e para të jetës së fëmijëve dhe kjo prodhon një mendje njerëzore të disiplinuar, në këmbim, prodhon ide, të cilat avancojnë racën njerëzore. Kur profesor Everett C. Hagan nga Instituti i Teknologjisë së Massachusetts tha se “individi kreativ mendon se bota është e rregullt”, mund të ketë pasur në mendje studimin e Anne Roe. Roe i referohet një prej pjesëmarrësve të saj më të veçuar: “Në një familje të madhe, mësova të lexoj para se të shkoja në shkollë... Sapo erdhi koha të shkoja në shkollën e mesme ne u shpërngulëm në një fermë dhe babai kërkonte që ferma të funksiononte shkencërisht... Ne duhet të mbillnim një pjesë të tokës me diçka, një pjesë tjetër me diçka tjetër dhe të mbanim të dhëna mbi të”. Personaliteti me arritje të larta motivimi pothuajse gjithmonë shënon lart në këto dy cilësi: një dashuri për rregullin dhe një dashuri për të eksperimentuar. Fëmijët fillojnë së eksperimentuari nga momenti që lindin për të zbuluar ligjet e natyrës dhe të njeriut. çdo eksperiment, qoftë e një burri, një fëmije, apo foshnje, përfaqëson një shpresë që një rregull apo ligj më i lartë apo i pazbuluar më parë do të zbulohet. Prindërit e mençur, si rrjedhojë, inkurajojnë fëmijët e tyre të eksperimentojnë, të përpiqen të zbulojnë vetë rregullin themeltar, i cili mban universin bashkë. Nga një anë prindërit duhet të mbështesin rendin dhe rregullsinë brenda në shtëpi, nga ana tjetër ata duhet t’i lejojnë fëmijës lirinë për të zbuluar, të kërkojnë shpjegime të reja për mënyrën sesi gjërat sillen, për të eksperimentuar. Shtëpia e rregullt, atëherë, është fillimi i një intelekti shkencor dhe burimi i koshiencës sociale.
Përktheu dhe përshtati Albana Canollari Baze, Drejtuese e Departamentit te Psikologjise, Universiteti Kristal.

Në kopshtin e shtëpisë sime
Përkundër rrjedhës së përditshme, e cila na merr orë të tëra nëpër zyra, ambiente të mbyllura, apo ku ka shumë beton e asfalt, kontakti me natyrën, me gjelbërimin, u rekomandohet të gjithëve, për të pasur një jetë më të shëndetshme dhe me më pak stres. Në pamundësi për t’u larguar gjithnjë nga rrëmeti i qytetit, drejt periferive të gjelbëruara, në ndihmë të vjen kopshti i shtëpisë. Kush ka pak metra tokë, mund t’i shfrytëzojë për të ndërtuar një kopësht të vogël me lule, pemë, pse jo edhe ndonjë perime, e cila, më shumë se lehtësim xhepi, është kënaqësi, tek sa i sheh të rriten. Megjithatë, duhet bërë kujdes. Një kopsht nuk duhet improvizuar asnjëherë. Gjithçka duhet studjuar, si kur bëhet fjalë për kopshte disa hektarëshe, ashtu edhe ato oborret e vogla para shtëpisë. Kjo për të mënjanuar shpërdorimin e parave dhe të nervave. Një rregull i artë thotë: pak është më mirë. Nuk duhen menduar projekte madhështore, me shumë elementë, pasi kjo do të sillte më shumë rrëmujë. është shumë e rëndësishme të mendohet mirë se çfarë bimësh duhen mbjellë dhe ku. Janë një sërë faktorësh, që të çojnë në një zgjedhje të kujdesshme.
Kështu, pemët, duhen mbjellë në një vend ku mund të zhvillohet lirisht. Të evitohen speciet që bëhen shumë të mëdha, krahasuar me hapësirën e kopshtit, në hapësira të ngushta janë më të përshtatshme pemët e larta, kolonare, ndërsa ato që zgjerohen anash, e me shumëgjethe këshillohen për hapësira që kanë nevojë të mbushen. Pemët e mëdha mund të dëmtojnë shtëpitë, duke u bërë hije e duke krijuar lagështirë, kështu që është mirë, që pemët e mëdha të mbillen larg ndërtesave. Gjithashtu këshillohet të mos krijohen shatrvanë, pellgje uji, apo zona rëre për fëmijët nën pemë, për shkak të rënies së gjetheve. Në hapësirat e vogla, në vend të pemëve mund të mbillen edhe shkurre dekorative, të cilat gjithashtu krijojnë një ambient të këndshëm, aq më shumë kur janë të gjelbëruara gjatë gjithë vitit. Por kopshti nuk mund të kuptohet pa gjelbërimin e barërave, të cilat kombinohen përgjithësisht me pemët e vogla dekorative.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›