Klodiana Spahiu - Im bir s’donte të më linte, fshehu çelësin
Ani Jaupaj
Përpara hyrjes në godinën e Kryesisë së Kuvendit, aty ku është një nga hapësirat që të afërmit e grevistëve mund të shohin a takojnë njerëzit e tyre që janë brenda tendës, situata ndryshon nga dita në ditë. Prej ditës së parë, hapësira e çadrës nga dilnin grevistët ishte gjithnjë e dyndur nga hyrje- daljet e shpeshta, ndërsa tani, që energjitë kanë lënë pjesën më të madhe të tyre, dera e improvizuar plastike lëviz vetëm nga era. Stekat e cigareve që porositeshin në ditët e fillimit, janë reduktuar në dy a tre paketa. Pra, ka mbetur fuqi vetëm për të kthyer shishen e ujit. Në ditën e gjashtë të grevës, datë 5 maj, një nga deputetet e PS-së, Ledi Shamku, doli nga çadra me sy gjysmë të mbyllur prej kohës së gjatë që nuk shihte diellin, dhe nëpër dhëmbë shqiptonte pa ju drejtuar kujt “nuk i kam parë që të premten”. Nuk kaloi as një minutë kur drejt krahëve të saj vrapuan dy fëmijë të vegjël. Kurioziteti që linin fjalët e saj u shua sakaq. Qëndronin aty, pas gardhit të hekurit, të tjerë familjarë që prisnin djalin, të dashurin, bashkëshortin. “Ma thërrit pak Besnikun...” Kërkesa si kjo dëgjoje çdo çast. Për njerëzit e shërbimit, po aq të njohura sa fytyrat e grevistëve, ishin bërë dhe ato të familjarëve të tyre. Por e gjithë kjo ishte e mundur deri në ditën, kur greva e urisë u shpall pa afat. Nga ky vendim, rregullat ndryshojnë. Nuk ka më takime me të afërm. Me ta mund të përshëndeten vetëm në distancë. Pra, në ditën e shtatë, nuk është vetëm gjendja shëndetësore ajo që është rënduar, janë edhe faktorët e jashtëm. Turma e të afërmve që prisnin jashtë, deri sa i njeriu i tyre të gjente fuqitë e të ngrihej, të shfaqej, shtohej në numër nga minuta në minutë. Kishte po kaq edhe të tjerë, që nuk rrinin në diell me orë të tëra nga meraku për shëndetin e burrit apo vëllait. Një zonjë e moshuar, me shpinën e krusur nga vitet, mbështetej tek hekurat në pritje të një lajmi nga cilido që të ishte i lirë prej punonjësve të stafit. Jo se kishte ndonjë pyetje konkrete. Ishte e interesuar të merrte vesh ç’bëhej, në përgjithësi. “Pse keni ardhur, keni njeri aty brenda? – Kam Edin, si pse kam ardhur. Unë vij përditë, kam ndenjur dy net këtu, po tani paradite nuk është gjë, pasdite është mirë”. Tek largohet, me çantën e hedhur krahëqafë, zonja takon një të bashkinteresuar: -”Lere mos më fol, më preu vajza biletën për të ikur, po do jem me mendje mbrapa!”
Shqetësimi i saj më i madh ishte që nuk do të mund ta çonte mbështetjen morale deri në fund.
Brenda tendës...
Nuk ishte aq e lehtë sa mendohej të hyje brenda tendës për të parë gjendjen e grevistëve. Dukej sikur në çdo çast dilte një ‘mbrojtës’ i ri për ta bërë hyrjen, gjithnjë e më të largët. Që nga ora kur kishe lënë takimin kishte kaluar një ditë, e prapë gjendeshe përballë të panjohurve në pritje të një sinjali. Megjithatë, kur hyje brenda kuptohej lehtë që një frymë më shumë, atje brenda, nuk ishte fare e favorshme. Temperaturat e larta, ndihmonin ajrin të ndihej edhe më i rënduar. Brenda atyre rrugicave, rrethuar nga shtretër portativë, me bluzat e bardha që ju vinin përreth, nuk është se ndiheshe mirë. Tavolina ku bëhej matja e tensionit nuk rrinte asnjëherë bosh. Vetëm në rast se, i sëmuri nuk kishte fuqi të ngrihej e të vinte vet deri aty, pra priste mjekun në shtrat. Në çdo bllok shtretërish, gjendej nga një peshore e qelqtë. “5 kilogram paskam rënë, isha 84 kur hyra”. Pesha matej përditë dhe pas shifrës që tregonte peshorja, bëhej zbritja me peshën e dikurshme. Libra, domino, letra bixhozi, ujë, me këto shtyheshin orët e gjata të grevistëve, në pritje të një vendimi. Këndi i grave, ishte i dyndur nga tufat me lule. Ngjyrat e tyre dukeshin sikur përçonin njëfarë mbështetjeje, të paktën aq sa për të ekuilibruar zbehtësinë e fytyrës, rrathët e errët nën sy. Fuqitë për të biseduar me njëra- tjetrën kishin shteruar. Shfletonin me përtesë faqet e ndonjë reviste a libri, tek rrinin shtrirë.
Një nga ish-grevistet, larguar nga koleget për shkak të gjendjes shëndetësore, deputetja e PS-së për qarkun e Durrësit, Klodiana Spahiu, kalonte nga këndi, ku deri dy ditë më parë kishte qenë e shtrirë edhe vetë, për të matur tensionin a pyetur për gjendjen e kolegeve. Dukej sikur ta shkëpusje nga njerëzit, qoftë edhe për një bisedë të shkurtër, ishte e pamundur. Sa largohej një, vinte një tjetër. Në tryezën ku u ulëm, Klodi i mbante duart e kryqëzuara mbi tavolinë dhe sapo gjendej një kohë, kur s’e thirrte kush, e linte kokën të mbështetej mbi duar. Në të kundërt, kur kthente përgjigje, mbështetej mbi pëllëmbët e duarve me bërryla të mbajtur mbi tryezë. Ishte e pamundur të rezistonte ndryshe. Po ja që radha e pacientëve nuk pakësohej, përkundrazi.
“Nuk ditëm të mbrojmë votën, po vëmë gabimin në vend”
Klodiana Spahisë, deputetes së re të PS-së, mjekes kardiologe 37-vjeçare, nuk i qëlloi të bëhej pjesë e partisë në kohë lulëzimi. Pas fitores së votave, jo vetëm nuk është ulur asnjëherë në parlament, por i erdhi koha të përballej edhe me një grevë urie, çka nuk e parashikonte. Vetëm se, kur mori vendimin për t’i hyrë politikës, i mendoi të gjitha, por jo deri në këtë pikë. E nëse nuk do ishte për shqetësimet e stomakut, që e detyruan të shkonte në spital, Klodi nuk do ndahej nga koleget. Po ishte pikërisht ky veçim, që solli pyetjet e tjera: “kush është Klodiana Spahiu që nuk ishte dëgjuar më parë?”
Si ka qenë historia e hyrjes suaj në politikë? Kur ka nisur?
Unë vij nga shoqëria civile, historia e të marrurit me politikë nis një vit më parë, kur mora propozimin nga PS-ja për të kandiduar në Qarkun e Durrësit.
Deri atëherë, e kishit menduar ndonjëherë veten pjesë të këtij rrethi?
Jo, asnjëherë. Kam qenë gjithnjë e pasionuar pas profesionit tim dhe nuk e kam parë ndonjëherë veten jashtë tij.
Atëherë si ndodhi që e pranuat propozimin?
Përgjegjësia, qoftë në politikë, qoftë në mjekësi, është pothuaj në të njëjtën masë. E vlerësova e shtyrë nga kjo ide.
Asnjë nga familja nuk kishte qenë pjesë e politikës më parë?
Jo, askush nga ne nuk kishte pasur lidhje me politikën.
Një terren i ri, i panjohur nuk është asnjëherë i lehtë, për ju si ka qenë?
Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë. Në fillim nuk njihja thuajse asgjë, më duhej të kaloja orë të tëra me përfaqësues të vjetër të PS-së, për t’u mësuar me mënyrën si funksiononte politika, por jo vetëm. Koha e fushatës kërkonte që të isha përditë me njerëz të rinj. Përveç kësaj, edhe natyra ime e tërhequr,e ndrojtur, nuk më ndihmonte.
Edhe në mjekësi kontakti me njerëzit nuk mungon, ku ndryshojnë?
Po, edhe profesioni im ma mundëson këtë, por jo në këtë masë, pastaj shqetësimet që dëgjon janë nga më të ndryshmet. Më duket sikur brenda këtij viti kam jetuar shumë vite njëherësh.
Si e priti familja përgjigjen ‘po’ ndaj politikës?
Pas propozimit, kaluam një kohë të mirë, duke e shqyrtuar përgjigjen së bashku me bashkëshortin, kështu që në momentin që vendosëm të ishte “po”, reagimi do ishte mbështetës. Puna më e vështirë ishte me fëmijët. Vajza, në moshë adoleshence, e kishte më të lehtë për ta ‘aprovuar’, se sa djali, 7- vjeçar.
Do i ndryshonin orët e vëmendjes...
Edhe 1 vit më parë, kur kam qenë mjeke në spitalin e Durrësit, orët në punë nuk ishin të pakta. Mjekut roje i duhet të rrijë 24 orë në shërbim, kështu që disi ishte i mësuar.
Ama nuk ishte i mësuar të dëgjonte fjalën grevë...
As ai e as unë. Kundrejt tyre nuk ishte aspak e lehtë, megjithatë sapo dëgjova për këtë vendim, mu shtua ndjenja e përgjegjësisë përpara njerëzve, që na kanë votuar e që votat ju janë fshehur. Isha e vendosur qysh në fillim për të përfaqësuar zërin e atyre njerëzve. Ne nuk ditëm të ruajmë votën që na dhanë shqiptarët, kështu që tani duhet t’i nënshtrohemi sakrificës, për të vënë në vend gabimin tonë.
Për shkak të shëndetit ju u larguat nga greva, tani qëndroni këtu si mjeke. Sa kohë lëvizni prej këtej?
Lëviz vetëm për aq kohë, sa më duhet për të plotësuar ndonjë nevojë timen, vazhdoj të rri këtu po aq orë sa në fillim, pa dalë. Të paktën të shërbej në këtë mënyrë.
U rikthyet në shtëpi pas daljes nga spitali?
Po, shkova për pak orë të pushoja. Kur kam ikur, e kam bërë fshehtas tim biri, që përpiqej në të gjitha mënyrat të pengonte largimin tim. Mbyllte derën e fshihte çelësin.
Vijnë t’iu takojnë?
Jo, nuk kanë ardhur. Nuk kam dëshirë që t’i bëj pjesë të këtyre ambienteve. Edhe pse vajza nuk është aq e vogël dhe është sensibilizuar disi nga realiteti që sheh, prapë nuk është e lehtë. Për më tepër edhe gjendja ime nuk është e mirë, nuk dua të më shohin kështu. Me vajzën komunikoj disa herë gjatë ditës me mesazhe.
Si është gjendja e grevistëve?
Sa më shumë kalojnë ditët, aq më shumë rëndohet. Ata vetë nuk pezmatohen po unë që i shoh dhe e kuptoj më mirë situatën nga ana mjekësore, shqetësohem. Në çdo kohë, më mundon ideja e një situate të papritur, e një shqetësimi që mund t’i kushtoj dikujt jetën.
Të sëmurët që deri tani janë shtruar në spital, janë rikthyer?
Jo, nuk janë rikthyer, përveç meje që erdha si mjeke.
Po nëse situata vazhdon kështu, pra ju nuk merrni asnjë reagim, të sëmurët do shtrohen në spital dhe me kalimin e ditëve do pakësohen... çdo të ndodhë?
Zëvendësimi i tyre është një vendim politik, nuk më takon mua, por ne të gjithë shpresojmë që gjendja të mos shkojë deri atje, sa të sakrifikohen jetët e njerëzve.
Cilat janë disa nga shqetësimet e tyre fizike?
Deri tani më së shumti ka pasur probleme me tensionin arterial, me dhembjet e muskujve. Së fundmi diareja ka qenë një tjetër shqetësim.
Cila është përgjigjja për ato që protestojnë kundër jush... konkretisht ndaj fjalimeve të mësuara të Raimonda Bulkut?
Më habisin deklaratat e atyre grave. U habita edhe më tepër, kur pashë mes grave, kolege të mija nga Durrësi, që jam e bindur që nuk do vinin nëse nuk do rrezikonin vendin e punës. Sa na dhimbset ne shëndeti ynë dhe fëmijët tanë, nuk ju dhimbsen atyre që flasin.
Në fakt, a është fizikisht apo psikologjikisht më e vështirë për një femër për ta përballuar situatën krahasimisht me meshkujt?
Nëse flasim për kushtet fiziologjike, organizmi i femrave deri tani ka rezultuar shumë më i mirë se ai i meshkujve.
Historia e grevave të urisë
Njihet qysh në lashtësi. Arsyet që i kanë çuar në këto veprime ekstreme kanë qenë nga më të ndryshmet, që nga protesta kundër ligjeve, për të fituar të drejtën e votës, deri tek të drejtat e kafshëve. Të shumta kanë qenë gratë greviste, të cilat kanë protestuar për të drejtën e votës. Historia botërore e grevave të urisë njeh edhe rekorde Gines, i cli numëron plot 94 ditë.
Agjërimi është përdorur fillimisht si një metodë e proteste në Irlandën para kristiane, ku njihej me emrin Troscad ose Cealachanìì. është përshkruar në detaje në kodet bashkëkohore civile, dhe ka rregulla të veçanta që duhet të respektohen gjatë saj.
Gandhi
Në Indi, praktika e “dharna”-s, një formë e grevës së urisë, ku protestuesi ndërmerrte grevën e urisë, ulur përpara derës së “objektivit”, është shfuqizuar në vitin 1861 nga Qeveria, çka tregon ekzistencën e kësaj mënyre proteste, qysh përpara kësaj date. Një nga njerëzit që e ka përdorur më shumë këtë instrument është Mahatma Gandhi, i cili u burgos në vitet 1922, 1930, 1933 dhe 1942. Për shkak të rëndësisë së fituar nga Gandi në botë, ishte e qartë se autoritetet britanike nuk donin ta lejonin që ai të vdiste në qelitë e burgut. Gandhi ka marrë pjesë në dy greva të famshme urie. Në të parën protestoi kundër rregullave britanike në Indi, ndërsa në të dytën kundër ligjeve autokratike të Indisë së re, të pavarur.
E drejta e votës
Në fillim të shek. XX, ishin të shpeshta grevat e urisë së grave për të drejtën e votës në Angli. Marion Dunlop ishte e para, në vitin 1909, por u lirua sepse autoritetet nuk dëshironin që ajo të kthehej në një martire. Më tej u zhvilluan edhe të tjera greva urije në burg. Autoritetet e burgut e kthyen të ushqyerit me detyrim dhe kategorizohej si një formë torture. Mary Clark dhe disa të tjera vdiqën si rezultat i të ushqyerit të detyruar. Në 1913 ndryshuan politikat. Grevat e urisë lejoheshin, por me fillimin e problemeve shëndetësore, të burgosurat liroheshin për trajtim mjekësor, dhe në fund të mjekimit, ato ktheheshin në qeli, për të mbaruar dënimin.
Rekordi Gines
Kjo taktikë u përdor edhe nga Republikanët irlandezë që nga viti 1917 dhe më vonë gjatë luftës anglo-irlandeze në vitet ’20. Rasti më i famshëm është ai i kryebashkiakut të Cork Terence, MacSëiney, i cili vdiq gjatë grevës së tij në burgun e Brixton, në tetor 1920. Rastet e para të grevave të urisë u neutralizuan me anë të ushqimit të detyruar, që kulmoi në vitin 1917 me vdekjen e Thomas Ahe në burgun Mountjoy në Dublin. Libri i Rekordeve Gines, ka të regjistruar një rekord botëror të një greve urie, pa ushqim të forcuar, i gjatë 94 ditë, kryer nga 11 gusht - 12 nëntor 1920 nga John Croëley dhe Peter, Thomas Donovan, Michael Burke, Michael O’Reilly Christopher Upton, John Power, Joseph Kenny dhe Seán Hennessy në burgun e Cork. Pas mbarimit të Luftës Civile irlandeze, në 1923, më shumë se 8000 të burgosur të IRA-s bënë një grevë urie për të protestuar kundër dënimit të tyre. Megjithatë, grevat përfunduan pa vdekjen e askujt.
Të burgosurit në Turqi
Të frymëzuar nga republikanët irlandezë, të burgosurit politikë turq kanë zhvilluar një traditë grevash urie, që vazhdon edhe sot. Pas fshirjen e lëvizjeve të sapolindura civile socialiste, për shkak të një grushti shteti në 1980, shumë militantë si dhe aktivistë civile, u burgosën në kushte çnjerëzore. Në përgjigje të torturave dhe keqtrajtimeve, e para grevë urie u zhvillua në 1984 dhe i kushtoi jetën katër militantëve të Dev-Sol: Abdullah Meral, Haydar Baþbað, Fatih Öktülmüþ dhe Hasan Telci..
Në vitet në vijim, lëvizjet sociale kanë qenë gjithnjë e më të margjinalizuara dhe të detyruara për tu fshehur. Megjithatë, shumë grupe marksiste –leniniste, kanë mbijetuar. Për këtë arsye, numri i të burgosurve politikë ka qenë gjithnjë i lartë. Në 1996, kur ministri nacionalist i Qeverisë islamike / Konservatore filloi një politikë izolimi të të burgosurve politikë, filloi një grevë urie, me pjesëmarrjen e grupeve të ndryshme militantësh të majtë. Greva zgjati 69 dite dhe me koston e 12 jetëve. Qëndrimi indiferent i Qeverisë provokoi një protestë të fortë publike. Si rezultat, me iniciativën e intelektualëve si Yaºar Kemal, Orhan Pamuk dhe Zülfü Livaneli, u arrit një marrëveshje mes të Qeverisë dhe të burgosurve. Ata rifituan shumë prej të drejtave të tyre, çka u konsiderua si një fitore nga ana e tyre.
Të drejtat e kafshëve
Aktivisti për të drejtat e kafshëve Barry Horne, vdiq në 5 nëntor 2001, pas një serie prej katër grevash urie, më e gjata prej të cilave zgjati 68 ditë (nga 6 tetor - 13 dhjetor, 1998) duke e lënë atë pjesërisht të verbër dhe me dëmtime në veshka.