Fushaj: Fitojmë 1-0. Nexhat Bizhdili premton 70 milionë lekë
Finalja e Kupës së Shqipërisë, e cila do të zhvillohet sonte në stadiumin “Qemal Stafa” në kryeqytet në orën 20:30 është ndezur prej ditësh nga deklarata dhe premio të shumta. Sipas kreut të klubit shkodran, Valter Fushaj, nuk ka asnjë dyshim se kupa shkon në Shkodër. “Vllaznia ime fiton 1-0. Edhe nëse nuk del ky parashikim, atëherë do ta mundim Besën 2-1”. Kjo është parandjenja e presidentit të kuqebluve një ditë para ndeshjes. Ndërsa kreu i klubit verdhezi ka premtuar një premio prej 70 milionë lekësh (të vjetra) në dispozicion të ekipit për fitimin e trofeut. Bizhdili ua ka bërë të ditur shumën lojtarëve dje, në seancën e fundit stërvitore. Asnjëherë më parë ekipi kavajas nuk ka pasur një premio kaq të madhe për një ndeshje finale. Tri vite më parë shpërblimi ishte 50 mijë dollarë, aq sa e ka kundërshtari i kësaj finaleje, Vllaznia, për të fituar kupën. Tashmë, futbollistët e Besës kanë një motiv shumë të madh për ta fituar trofeun. Në takimin e zhvilluar dje me skuadrën, presidenti i Besës u ka kërkuar lojtarëve që të japin shpirtin në fushë, sepse nëse merret ky trofe, kavajasit do të luajnë në turin e dytë paraeliminator të Ligës së Evropës. Pra, nuk do ta nisin nga turi i parë, si skuadrat e tjera shqiptare. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe trajneri i Besës, Shpëtim Duro, i cili kërkon trofeun e parë si trajner. Ai është rikthyer nga presidenti Bizhdili në stolin verdhezi vetëm pak ditë më parë. “Jemi stërvitur në mënyrë intensive, por gjithashtu ekipi ka qëndruar i freskët nga ana fizike. Ngarkesa nuk ka qenë shumë e madhe, pasi jam munduar që ta mbaj ekipin gjithmonë në maksimumin e energjive. Për ndeshjen finale, ekipi është gati që ta përballojë me sukses. Në këtë sfidë shumë të rëndësishme unë kam besim tek lojtarët e mi. Besoj se ata do të japin maksimumin, për të arritur fitoren”, ka thënë Duro. Ndërsa trajneri i Vllaznisë, Edi Martini ka ironizur me faktin e deklaratave duke pohuar se nëse nuk flet për mediat atëherë me shumë gjasa do të fitojë titullin.