E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajern lan me birrë Van Galin



Leonard Karaj

Bajerni i Mynihut ka fituar titullin e 22-të në Kampionatin gjerman duke festuar si zakonisht me “lumin” e birrës tipike të kësaj zone. E nëse fitimi i titullit nuk ka qenë një risi për trajnerin holandez, Luis Van Gal pasi e ka fituar edhe në Spanjë e Holandë, festa ka qenë tipike gjermane ku natyrisht ai ishte edhe “shënjestra” e shumë gotave të birrës. Pas marrjes së trofeut, Van Gal nuk ka mundur dot t’i shmanget traditës gjermane, ku bëri një “dush” me birën tradicionale gjermane “Vaisbirr”. Mesfushori gjerman, Shvajnshtaiger ishte i pari që e “pagëzoi” duke respektuar deri në fund këtë mënyrë festive. Më pas lumi i birrës u pasua edhe nga lojtarë të tjerë të Bajernit derisa holandezit nuk i mbeti pjesë e trupit pa u lagur nga birra.
Trajneri Van Gal është tekniku i parë holandez që fiton një titull kampion nën drejtimin e Bajernit të Mynihut dhe që shpresohet për tripletën e parë në historinë e rekordmenëve bavarezë. “Atë çfarë ka dhënë kjo skuadër, është për të marrë shembull. Mbi të gjitha ka qenë shpirti luftarak dhe stoicizmi i lojtarëve. Për mua e rëndësishme është që kemi fituar në të gjitha fushat. Kemi fituar me 70 pikë ku integriteti i lojës sonë na ka vlerësuar në mbrojtjen dhe sulmin më të mirë në Bundesligë. E merituam një kurorëzim të tillë! E përfunduam më së miri këtë sezon kombëtar, por ky ishte vetëm fillimi, pasi kemi dhe pak rrugë për të bërë, në mënyrë që ta finalizojmë më së miri karrierën tonë për këtë vit madhështor”, deklaroi ai.
Ndërkohë te Bajerni ka luajtur këtë sezon dhe lojtari me më shumë minuta gjatë këtij kampionati, Filip Lahm. Mbrojtësi bavarez është i pari lojtar në Bundesligë që luan nga minuta e parë deri në të fundit në të gjitha ndeshjet e kampionatit. Zëvendës/kapiteni ka luajtur 3060 minuta, kohë e cila nuk është përmbushur nga asnjë tjetër, dhe pas tij vjen përsëri një bavarez, ai është talenti Badshtuber, i cili mbetet një nga talentet më të mirë tek Bajerni. Ndërsa nga ana tjetër një 35-vjeçar titullar si portieri Jorg But ka ngritur trofeun e parë në karrierën e tij. “është hera e parë për mua që fitoj një titull. Mbetet i veçantë fakti që një portier feston titullin e tij të parë në moshën 35- vjeçare. Besoj që të arrij gjithçka me këtë klub. Për sa i përket botërorit, kemi kohë të reflektojmë”, nënvizoi portieri i Bajernit, i cili është dominuar edhe si portieri i tretë i Kombëtares gjermane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›