E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arjen Roben: Nuk ishte argëtuese të luajë për Murinjon


Mesfushori i krahut te Bajerni i Mynihut, Arjen Roben, ka deklaruar se të luash për Zhoze Murinjon do të thotë të bësh gjithçka vetëm për të fituar dhe thekson se nuk e ka shijuar mënyrën e tij të lojës gjatë kohës nën drejtimin e trajnerit portugez. Të dy ata ishin së bashku te çelsi në Premier League. Holandezi lulëzoi nën drejtimin e Murinjos në Angli, para se dëmtimi të sillte humbjen e besimit të portugezit te lojtari dhe më pas trajneri ta largonte nga klubi. Roben tani është rikthyer në formën më të mirë dhe përballë Bajernit të tij në finalen e Champions League në Bernabeu është Interi i Murinjos. Por ai akuzon portugezin, se nuk bën futboll argëtues, pasi e vë theksin vetëm te fitorja me çdo kusht. Njeriu-fitues i Bajernit shprehet: “Murinjo ndërton një ekip fitues, dhe nuk i intereson nëse kjo arrihet nëpërmjet futbollit të bukur ose jo”. Kur u bë e qartë që Roben nuk mundej të tejkalonte problemet nga dëmtimet e shpeshta në Londër, klubi e shiti atë te Reali i Madridit, ku holandezi vuajti shumë, para se të shpëtonte në fillim të këtij sezoni me kalimin te kampionët e Bundesligës. Roben i fitoi të gjithë trofetë në ditët e tij te çelsi me Murinjo. Të dy ata kanë matur një marrëdhënie të vështirë, gjatë kohës që punonin bashkë, por kjo ishte e pritshme bazuar në temperamentet e të dyve. Me rilindjen e tij nën drejtimin e Luis Van Galit në Mynih, mesfushori i talentuar thotë se tani po e shijon sërish lojën e tij. Holandezi preferon të luajë mbështetur në parimet e futbollit, ku një ekip fiton, duke luajtur një lojë të hapur dhe të rrjedhshme. “Filozofia e Bajernit është, se trajneri dëshiron të fitojë, duke luajtur një futboll të bukur, tha Roben. Si lojtar them, se dua të luaj dhe të shijoj lojën, kjo është diçka e rëndësishme për mua”. Ndërkohë që në prag të finales, lojtarët e Bajernit u kanë shkruar një letër të hapur tifozëve gjermanë, duke i ftuar ata të heqin dorë për një natë nga ndasitë mes tyre dhe t’i mbështesin ata në finalen kundër Interit. Nëse Bajerni fiton në Madrid, Bundesliga fiton pjesëmarrjen e katër ekipeve në Champions League në sezonin e ardhshëm. Prandaj bavarezët u bëjnë thirrje gjermanëve të bashkohen kundër kampionëve të Italisë. “Ne e dimë që miliona tifozë në shtëpitë e tyre në Gjermani do të na mbështesin neve, thuhet në letrën e nënshkruar nga të gjithë lojtarët e Bajernit. Do të dëshironim që të gjithë ata gjermanë, të cilët nuk janë fansa të Bajernit, të na mbështesin neve. Ne do të japim gjithçka në Bernabeu, për veten, Bajerni dhe për të gjithë Gjermaninë”.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›