Etoo: Champions fitohet duke luftuar
Dy sfidantët kanë zënë pozicionet, ringu i Madridit po përgatitet për ndeshjen e vitit, atë që përcakton mbajtësin e kurorës së kampionit të Europës. Interi mbërriti në kryeqytetin spanjoll të mërkurën në mbrëmje, ndërsa Bajerni të enjten në mesditë. Sot skuadra e drejtuar nga Van Gal do të provojë terrenin në “Santiago Bernabeu”, ndërsa italianët do të vazhdojnë të përgatiten në Valdebabas, qendrën stërvitore të Realit të Madridit. Dashur pa dashur, edhe skuadra “merengue” është pjesë e finales së Champions League: mediat iberike nuk flasin për asgjë tjetër, përveç emërimit të Zhoze Murinjos në vend të Manuel Pelegrinit. Spekulimet janë një arsye për të shqetësuar tifozët interistë, që gjithsesi mbeten më të përqendruar tek e tashmja dhe te triumfi në aktivitetin më prestigjioz për klube.
Fitoren e dëshirojnë edhe të gjithë futbollistët zikaltër dhe kjo konfirmohet nga Samuel Eto’o gjatë një interviste në faqen zyrtare të UEFA-s. Sulmuesi kamerunas, i cili e ka fituar dy herë Champions-in, nuk i ka kursyer as lëvdatat për trajnerin e tij: “Zhoze është unik, si trajner dhe si njeri. Në çdo rast mbron pozicionin e tij dhe thotë gjithmonë atë që mendon. Rezultatet e mira të deritanishme të Interit kanë ardhur falë lidhjes që skuadra ka me trajnerin: ai ka arritur që të marrë maksimumin nga lojtarët”. Sulmuesi nuk ngurron të përsëritë edhe një prej “parullave” të Mou: “Kjo finale duhet të jetë një ëndërr për ne, nëse shndërrohet në fiksim do të humbasim. E kam të qartë se tifozët e presin prej një jete këtë moment, por ne nuk duhet të ndikohemi nga ky fakt. Në fushë është e domosdoshme të shfaqim dëshirën për të luftuar që të marrim rezultatin e dëshiruar”. Eksperienca e Eto’o në finalet e Ligës së Kampioneve cilësohet si një prej pikave të forta të Interit: “Kam luajtur dy finale dhe në të dyja rastet kam dalë fitues përballë dy skuadrave angleze. Kjo ndeshje do të jetë ndryshe: Bajerni po kalon një formë të shkëlqyer dhe si pikë të fortë përdor lojën e skuadrës”. Mes rivalëve, lojtarit të cilit kamerunasi i trembet më tepër është Van Bomel: “Mark është një lider i lindur dhe një lojtar i madh. në karrierën time kam takuar shumë yje të futbollit dhe natyrisht që ai është njëri prej tyre. Në fushë është një luftëtar i vërtetë, mund të jetë një armë më shumë për kundërshtarët tanë”.
Gjatë “zbarkimit” në Madrid, Interi është pritur nga një grup tifozësh të Realit, që i dedikonin këngë Murinjos dhe mbanin një parullë me frazën “Vamos a Madrid”. Tekniku portugez, lëshoi një deklaratë të shkurtër dhe natyrisht nuk mund të mungonte “provokimi” i radhës. “Shpresoj që tifozët e Realit të mbështesin Interin në finalen e së shtunës”, deklaroi ai. “Speciali” i është futur punës për t’i dhënë “dorën e fundit” skuadrës në prag të sfidës me Bajernin e Mynihut, duke zhvilluar stërvitje me dyer të mbyllura për tifozët dhe për mediat. Murinjo ka dy pikëpyetje për formacionin që do të hedhë në fushë në “Santiago Bernabeu”, ku do të përdorë skemën 4-2-3-1. Për rolin e sulmuesit të majtë, Pandev duket më i avantazhuar se Baloteli. I paqartë edhe roli që do të ketë kapiteni Zaneti: sipas zërave më të fundit pranë zikaltërve, argjentinasi do të spostohet në mesfushë, përkrah Kambiasos, Kivu do të aktivizohet si mbrojtës i majtë, ndërsa Stankoviç do të qëndrojë në stolin rezervë.
#