Arjen Roben, ylli që urrehet në shtëpi
Arjen Roben është një nga futbollistët më të mirë në qarkullim, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe një gjuajtje shumë preçize. Pas një aventure me klube prestigjoze si çelsi dhe Reali i Madridit, ai shpërtheu akoma më shumë te Bajerni i Mynihut. Nën drejtimin e Van Galit, Robeni fitoi titullin kampion dhe Kupën e Gjermanisë, ndërkohë që humbi në finalen e Ligës së Kampioneve. Forma e mirë e treguar bëri që trajneri Van Marvijk t’i besojë atij ekipin kombëtar në fushën e lojës, pasi shumë prej skemave sulmuese vareshin pikërisht prej fantazistit. Holanda e Kupës së Botës ishte mjaft mbrojtëse, por duke pritur momentin e duhur që të kundërsulmojë me anë të Arjen Robenit. Një skemë që funksionoi në disa raste dhe që i ndihmoi “tulipanët” të shkojë deri në finale. Në fakt, ylli i skuadrës, i vlerësuar për talentin e tij të jashtëzakonshëm, ende nuk kishte dhënë atë që duhet të bënte tifozët që të thërrisnin emrin e tij. Ishte pikërisht Uesli Shnajderi, lojtari që shkëlqeu në pjesën më të madhe të ndeshjeve, duke ndihmuar si me pasimet, ashtu edhe me golat e shënuar, pavarësisht se ishte mesfushor. Në ndeshjen finale, të gjithë prisnin që Robeni do vuloste ndeshjen dhe do realizonte ëndrrën historike të të gjithë fansave dhe sidomos bashkatdhetarëve të tij. Por, ndodh edhe që një lojtar me një nivel të tillë, të mos duhet edhe në vendlindje. Pavarësisht se të gjithë e vlerësojnë talentin e lojtarit, mendojnë se ai është një “tradhtar” i ndeshjeve të mëdha. Robeni shpërdoroi dy raste të jashtëzakonshme për të shënuar, të cilat nuk mund të harrohen lehtë, si prej tij, ashtu edhe prej të gjithë fansave. “Për çfarë e duam një lojtar aq të mirë, nëse ai nuk shënon një gol aq të lehtë. Ai është një futbollist që e ndihmon Bajernin të fitojë, por jo Kombëtaren e tij”, ka thënë një prej tifozëve.