E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt nga vendi Kupat e Evropës



Tirana, nuk ka viza 6 lojtarë jashtë ekipit
Për Tiranën ka sërish telashe. Klubi i trembet mungesës së gjashtë lojtarëve për ndeshjen me Utrehtin, pasi ata nuk janë pajisur me viza nga Ambasada Holandeze. Ditën e djeshme futbollistët me përfaqësuesit e bardhebluve kanë bërë një kërkesë zyrtare, por kanë marrë një përgjigje negative. Ndërsa për pjesën tjetër të grupit, gjithçka është e qetë. Kjo, pasi ata zotërojnë viza “Shengen”, të cilat u mundësojnë lojtarëve që të udhëtojnë pa probleme në çdo shtet. Klubi bardheblu do të përpiqet ditën e sotme që të arrijë të marrë lejen për futbollistët e saj, në të kundërt, kjo do të shkaktojë vonesa në nisjen e ekipit në drejtim të Holandës. Lojtarët, të cilët kanë probleme me vizat, janë mesfushori Julian Ahmataj, Blerti Hajdari, Gerard Tushe, Ergys Sorra, Migen Metani dhe portieri Blendi Nallbani.

Halili: S’shkoj në Holandë, arsyet më pas
Refik halili nuk do të jetë me ekipin në ndeshjen e parë të turit të dytë të paraeliminatoreve të Ligës Europiane ndaj Utrehtit. Vetë ai u shpreh se do të merrej me disa probleme personale, të cilat nuk i mundësonin atij që të ishte pjesë e ekipit edhe për këtë takim. Por nga sa mësohet nga burime pranë tij, flitet për një polemikë të vazhdueshme të tij me shefin e klubit Dimraj, aq sa nuk mohohen edhe përçarje të tjera pas ndeshjes me Utrehtin. Arsyeja qëndron te kontratat e lojtarëve, të cilat janë bërë nga Halili, por që shfrytëzohen pa të drejtë nga Dimraj. Sponsori i vetëm i Tiranës, gjithmonë e ndjek ekipin në çdo aktivitet. Ai nuk mungoi edhe në takimin e dytë të luajtur në Hungari, ndaj ZTE-së, ku Tirana ia doli me sukses dhe siguroi kualifikimin.

Besa, ëndrra të mundë grekët e Olimpiakosit
Në Kavajë ëndërrojnë një fitore ndaj klubit grek Olimpiakos. Në ndeshjen e vlefshme për turin e dytë paraeliminator të Ligës së Europës, Besa do të kërkojë të shkruajë historinë përballë ekipit më të famshëm helen. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, është njeriu më optimist. Pavarësisht se i vlerëson shumë grekët, bosi kavajas thotë se skuadra e tij do arrijë ta fitojë ndeshjen e parë në “Qemal Stafa”. Për sfidën e së enjtes, kreu i klubit kavajas pohoi: “Unë jam shumë optimist se në ndeshjen e parë ndaj Olimpiakosit mund të arrijmë fitoren. E di shumë mirë nivelin e ekipit tim, ndaj besoj në forcën e tij. Olimpiakos është ai që është, megjithatë kjo ndeshje do të jetë e paparashikueshme. Ata nuk na njohin, prandaj jam i bindur që do ta kenë të vështirë. Ne do të japim maksimumin në këtë sfidë”.

Klubi, 150 mijë euro nga e drejta televizive
Klubi i Besës do të përfitojë 150 mijë euro nga shitja e së drejtës televizive. Burime të besueshme pranë presidentit Nexhat Bizhdili bënë të ditur për gazetës se, janë mbyllur bisedimet me platformën televizive greke “Nova Spor”. Shifra që do të përfitojë Besa është më e larta që ka përfituar ndonjëherë një klub shqiptar. Fakti që përballë kavajasve është Olimpiakosi bën që interesi të jetë i madh, pasi bardhekuqtë janë një prej klubeve më të famshme në Greqi. Konkretizimi i marrëveshjes mes presidentit Bizhdili dhe palës së interesuar për të blerë të drejtën televizive të ndeshjes Besa-Olimpiakos është bërë vetëm pak ditë më parë. Por nga ana tjetër mësohet se asnjë kanal shqiptar nuk do ta transmetojë direkt takimin e vlefshëm për Ligën e Europës.

Raul Bravo: Nuk e llogaritim fare Besën
Mbrojtësi spanjoll i Olimpiakosit, Raul Bravo, nuk e diskuton fitoren e skuadrës së tij në ndeshjen e së enjtes kundër Besës. Në një prononcim për uebsajtin helen “goalday.gr”, Bravo theksoi ndër të tjera se s’ka fare njohuri për ekipin shqiptar. Megjithatë, sipas tij, ky fakt nuk duhet ta trembë Olimpiakosin. Aktualisht situata te grekët nuk është më e mira, pasi pak ditë më parë ekipi u mund 1-0 në miqësoren me Steauan e Bukureshtit. Ka mjaftuar kjo humbje që kritikat të jenë të mëdha. “Unë mendoj se jemi plotësisht gati për ndeshjen ndaj Besës. Nuk duhet të alarmohemi pse humbëm një miqësore. Tani e rëndësishme është që të përqendrohemi te sfida me shqiptarët. Synimi ynë është që të mbyllim gjithçka në ndeshjen e parë përsa i përket kualifikimit”, është shprehur spanjolli.

Dinamo, Allmuça prish kartat e argjentinasit
Ndryshe nga çfarë kishte parashikuar argjentinasi i pankinës së Dinamos, Luis Manuel Blanko, Igli Allmuça ka ngatërruar “kartat” e bluve. Ishte parashikuar të luante si mbrojtës i djathtë, por një gjendje gripale, e shoqëruar me diarre, e ka vënë në pikëpyetje aktivizimin e tij. Megjithëse dje ai është stërvitur normalisht, gjendja e tij jo fort e mirë e ka vënë në dilemë Blankon ta aktivizojë, apo jo. Gjithsesi, argjentinasi do kërkojë ta shohë dhe stërvitjen e fundit, e cila do të zhvillohet në stadiumin ku do të luhet ndeshja të mërkurën, në ora 20:00, me orën lokale. Nëse Allmuça nuk rikuperohet, atëherë në vendin e tij kalon serbi Marko Putinçanin, i cili do të kthehet në pozicionin që ka pasur gjithnjë te Dinamo, pra mbrojtës i djathtë. Kurse pranë Garcisë do të jetë Diobi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›