Spanja jep 30 mijë euro, Pauli do pensionin
Oktapodi Paul i është rikthyer jetës së tij normale pas parashikimeve të sakta mbi ndeshjet e Botërorit 2010. Paul u bë një yll i këtij evenimenti, përderisa gjeti të gjitha ndeshjet e Gjermanisë si dhe finalen Holandë-Spanjë. Vetëm prej këtij fakti akuariumi i Oberhauzenit ka pasur një dyndje vizitorësh gjatë ditëve të fundit për të parë oktapodin Paul. Parashikimi i tij se gjermanët do të humbnin në gjysmëfinale nga Spanja, bëri që Paul të urrehej në Gjermani aq sa shumë fansa dëshironin që ai të gatuhej në sallata. Në anën tjetër, në Spanjë ai është kërkuar me ngulm aq sa disa biznesmenë dhanë deri në 30 mijë euro për “kokën” e tij. Ndërsa sipas mediave gjermane, vlera reale e oktapodit nuk i kalon të 6 mijë eurove. Ndërkohë mësohet gjithashtu, se Paul po numëron ditët e fundit të jetës së tij, pasi jetëgjatësia e oktapodëve është tri vjet dhe nuk do ketë mundësi të parashikojë rezultatet e EURO 2012-të.