E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrijnë kampionët, “çmenden” spanjollët



Leonard Karaj

Spanja ka festuar përgjatë gjithë natës dhe ditës së djeshme fitoren e Kupës së Botës në “Afrikë e Jugut 2010”. Të gjithë kanë dalë në rrugë duke i dhënë jetë një gëzimi të paimagjinueshëm.Tifozët e shumtë që patën ndjekur ndeshjen nga ekranë gjigantë të vendosur enkas në sheshe, kanë festuar si të çmendur për orë e orë të tëra. Pas vërshëllimës të fundit të arbitrit anglez, katër minuta pasi Andres Iniseta kishte shënuar golin e vetëm të sfidës, e gjithë Spanja u ndez nga fishekzjarre, kërcime, thirrjeve pa pushim dhe lot gëzimi. Futbolli ka bashkuar si rrallëherë popullin spanjoll, teksa askush nuk ka ngurruar të gëzojë për ngritjen në majën e futbollit botëror. Ndërkohë lojtarët dhe stafi drejtues i Kombëtares janë pritur dje për një orë edhe në Pallatin Mbretëror nga Mbreti Haun Karlos dhe Princi i Asturias. Një orë më vonë ekipi është pritur zyrtarisht edhe nga Kryeministri Zapatero, i cili ka uruar “heronjtë” e Boëtrorit për Kupën e parë të Botës në historinë e Spanjës.
Ndonëse kanë qenë të vetmit që janë treguar disi indiferentë përkundrejt vijimësisë pozitive të Spanjës në Kupën e Botës, edhe katalanasit kanë festuar fitimin e trofeut. Deri para disa ditësh në media qenë publikuar edhe mesazhe ku ata uronin dështimin e Spanjës në Botëror (kujtojmë se katalanasit kërkojnë prej kohësh ndarjen nga Spanja si republikë më vete, të njëjtën gjë sikundër edhe baskët në veri të vendit), por duke qenë se në këtë skuadër luajtën tetë futbollistë të Barçës, atëherë festa nuk mungoi edhe në Barcelonë. Ndërkaq, disi më të vakëta kanë qenë festimet në veri të vendit, ose më mirë në pjesët baske, rajone këto që kërkojnë prej vitesh shkëputjen nga Spanja.
Airbusi me Kampionët e Botës në bord mbërriti në orën 15:00 (ora lokale) në aeroportin e Madridit, në dy anët e të cilit valëviteshin flamuj të Spanjës. Në aeroportin Barahas numri i tifozëve nuk ishte i shumtë, pasi festa e vërtetë ishte lënë për më vonë, në rrugët dhe sheshet e Madridit. I pari që zbriti nga avioni ishte kapiteni Iker Kasijas së bashku me trajnerin Del Boske, ndërsa më pas ka qenë radha e Pikesë, Ksabi Alonsos dhe futbollistëve të tjerë. Kombëtarja e Spanjës u nis nga Johanesburgu pak orë pas finales së fituar 1-0 ndaj Holandës pa fjetur për asnjë sekondë dhe pas 9 orë e gjysmë fluturim ka qenë në Madrid. Futbollistët më pas i janë drejtuar hotelit në qendër të Madridit për të ngrënë e për t’u çlodhur dhe për të vijuar me pritjet nga familja mbretërore dhe nga krerët e lartë të shtetit. Në orën 20:00 ka filluar edhe përshëndetja e kampionëve në rrugët e kryeqytetit dhe festa, e cila vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›