Buxheti, Bode llogari deputetëve
nertila maho
Ndryshimet në buxhet u diskutuan dje në Komisionin e Ekonomisë, ku kreu i Ministrisë së Financave, Ridvan Bode, mbrojti variantin e ri të buxhetit të vitit 2010. Sipas Bodes, ndryshimet nuk vijnë në kuadrin e një krize dhe mosrealizimi të ardhurash, por të një balancimi buxhetor, që lidhet me uljen e deficitit dhe borxhit publik në nivelet e sugjeruara edhe nga FMN-ja. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, e cilësoi ndryshimin në buxhet si të vonuar dhe jotransparent. Ajo theksoi se këto ndryshime duhet të ishin bërë që në periudhën e përmbytjeve, kurse deputeti Malaj e vuri theksin në faktin që duhet pasur më shumë kujdes me këshillat që japin institucionet ndërkombëtare, pasi vonesat sjellin pasoja. "Kemi dëgjuar FMN-në që ka kërkuar që deficiti të shkonte 3.5 për qind. Ne vijmë me një propozim prej 3.1 për qind, pra e kemi thelluar më tej atë që ata kanë kërkuar. Madje FMN ka edhe një propozim që vjen me idenë se, nëse do të kihet kujdes i veçantë nuk është e thënë që të ulet deficiti dhe borxhi të rritet", informoi dje ministri. Në thelb debati i djeshëm pozicionoi edhe deputetët e maxhorancës dhe opozitës në dy qëndrime. Pyetjet e opozitarëve ishin ato që lidheshin me pranimin e një krize, kurse ato të maxhorancës me historinë e suksesit. Gjithsesi, ministri i Financave "mbrojti" shkurtimet në buxhet me një sërë argumentesh, shumica e të cilave lidheshin me uljen e deficitit, mbështetjen e rritjes ekono-mike dhe uljen e borxhit publik. "Ne vijmë këtu me vullnetin e mirë për të krijuar një ambient më të mirë për nxitjen e përshtatshme dhe mbështetjen e rritjes ekonomike të vendit. I detyruar për të bërë shkurtime je kur nuk shërben dot. Nuk gjen dot para për të financuar deficitin tënd dhe ne nuk jemi në këtë vështirësi. Përkundrazi, kërkojmë të jemi edhe më të tërhequr nga tregu i brendshëm për t'i krijuar mundësi biznesit privat për t'u financuar", tha Bode. Pavarësisht deklaratës së tij, deputeti Arben Malaj u shpreh se rishikimi i buxhetit nuk është realist dhe se kjo përbën shqetësim më vete. "Nuk është se nuk e kuptojmë se ajo që po ndodh në ekonominë e vendit tonë është pjesë e krizës globale, por brenda këtij dështimi është fakti që po detyrohemi të shkurtojmë buxhetin edhe për shkak të keqqeverisjes së vendit tonë", tha Malaj. Ai u ndal edhe në debatet me FMN-në, duke theksuar se ky institucion absolutisht nuk ka kërkuar një deficit më të lartë. "Sa për deficitin nuk është e vërtetë që Fondi iu ka kërkuar ta mbani 3.5, madje dhe më lartë. Ajo që ne kemi parë është se iu është kërkuar që rritja e shpenzimeve duhet të jetë më e vogël se rritja e GDP-së. Kjo si e vetmja mënyrë për të ulur deficitin dhe borxhin. është momenti më i mirë për Qeverinë, për çdo politikë ajo që mund të ketë, mundësisht edhe shtrënguese, të kërkojë një lloj konsensusi dhe të orientohet në atë që ndihmon për menaxhimin e buxhetit për vitet e ardhshme. Kjo ka qenë ajo që ka kërkuar FMN-ja", tha Malaj. Debati në komision u mbyll me komentet e deputetëve të ndryshëm, ndërkohë që ndryshimet në buxhet do të vijojnë të diskutohen nen për nen në ditët në vazhdim në Komisionin e Ekonomisë.
Debatet nga Komisioni i Ekonomisë
Albert çaçi (PS): Duke parë relacionin gjithçka është rozë. është bërë ndonjë përpjekje për t'ua dhënë edhe vendeve të tjera këtë eksperiencë, se ata na mësojnë demokracinë, ne ekonominë.
Ridvan Bode: Vendet e rajonit kanë marrë masa drastike për të mundësuar sjelljen në balancë të buxheteve të tyre. Ne nuk jemi në këtë situatë fatmirësisht dhe për këtë arsye japim dhe eksperienca kur na thërrasin. Japim jo pak për mënyrën e menaxhimit të buxhetit tonë, që e kemi model në rajon për shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me politikën e taksave që i kemi më të ulëtat. Banka Botërore dhe FMN iu thanë që është një rast suksesi rasti i Shqipërisë, do tua thotë prapë nesër, sepse ua tha edhe në komision, që ju e shtrembëruat.
Mimi Kodheli (PS): Ju nuk keni qenë në komision zoti ministër.
Ridvan Bode: Unë kam folur me përfaqësuesit e FMN. Nëse ju ka thënë ndonjë gjë në vesh juve, mbajeni për veten, kam folur dhe i kam pritur në takim zyrtar. Kam pasur konsulta pune dhe pas komisionit tuaj. Kam prapë nesër konferencë shtypi me të për t'ua thënë në mënyrë publike atë që mendon.
Shrefedin Shehu (PD): Meqenëse kjo krizë po shoqërohet edhe me krizën e financimeve, përse Qeveria nuk zbaton skenarë të shpejtimit të disbursimit të projekteve, të cilat tashmë janë të kontraktuara, ose të garantuara?
Ridvan Bode: është e vërtetë ajo që lidhet me përshpejtimin e financimeve të projekteve të huaja. Ne po e shikojmë këtë si një mundësi mbi të cilën do të mbështesim dhe zhvillimin e ekonomisë në perspektivë. Kemi rreth 1.8 miliardë euro investime kontrata të lidhura apo në negocim e sipër me bankat e zhvillimit, që do të ishte e mjaftueshme për një periudhë 4-vjeçare që Shqipëria çdo vit të mund të merrte rreth 500 milionë euro dhe të mund të financonte aktivitete përmes bankave të zhvillimit.
Edmond Spaho (PD): Në kushtet e ndryshimit që po bëjmë në buxhet, do doja të dija cilët janë prioritet më të spikatura tek investimet.
Ridvan Bode: Investimet që janë proces nuk do të ndërpriten. Ne në gjithë këtë rialokim që kemi bërë, i kemi shtuar Ministrisë së Punëve Publike dhe Transporteve edhe 4.3 miliardë lekë të tjera për të financuar kontratat që janë në proces.
Mimi Kodheli (PS): Duam një listë të shpenzimeve për Rrëshen Kalimash për këtë vit dhe detyrimet e papaguara.
Ridvan Bode: Do t'ju sjell një listë të shpenzimeve. Kurse për detyrimet e papaguara, kjo pjesë pretendohet edhe publikisht nga ana juaj, por ju nuk mund të na nxirrini një listë se kush i ka këto detyrime, sepse buxheti nuk mund të ketë detyrime të papaguara. Nuk ka asnjë faturë të papaguar në thesar, se kemi tepricë parash.
Sybi Hida (PD): Para tre-katër vitesh Ministria e Financave ka filluar një reformë me Bankën Botërore për skemën e sigurimeve. çfarë po bëhet me atë reformë, sepse nëse do t'i hidhnin një sy sigurimi suplementar na dilte se 6 për qind e kësaj skeme financohet nga buxheti. Normalisht kërkohet një reformë e sigurimeve dhe e skemës, pasi ajo ka efekte afatgjata në sigurinë fiskale.
Ridvan Bode: Ky është një risk që njihet tashmë. Skema e sigurimeve shoqërore dhe aq më tepër kur protagonizimin e caktimit të pensioneve e merr edhe gjyqësori, merre me mend çfarë risku paraqet për buxhetin një veprim i tillë. Gjërat dalin jashtë planit, por gjithsesi ne do t'i mbajmë në kontroll.
Arben Malaj (PS): E para që dua të them zoti ministër është që kisha shpresuar shumë që të paktën mundësia e krizës ndahet në dy pjesë: kriza dhe mundësia për ta përmirësuar dhe për të dalë nga ajo dhe parakushti i parë për çdo qeveritar është që ta shohë realitetin në sy. Po ju kthej përgjigje për FMN-në. Unë e gjeta FMN në vendin tim me një program antikonflikt, njësoj si ca vende afrikane dhe arritëm në vitin 2005 ta bënim fondin të fokusohej në vende të tjera. Por nuk është këtu debati se kush e dëgjon dhe kush e ka respektuar më shumë FMN-në, problemi është që jemi në një situatë që nëse vonohemi, pasojat do të jenë më të rënda.
Ridvan Bode: Jam dakord me zotin Malaj në një pikë, kurse për tjerat zoti Malaj duhet të jetë më korrekt dhe të mos i kthejë në historia, sepse janë me shkrim jo me llafe. Nuk është e vërtetë që kemi një ngadalësim të ritmeve të rritjes së të ardhurave në buxhet. Rritja e të ardhurave nga viti në vit ka qenë pozitive. Lidhur me koston e parasë në treg, nuk është e vërtetë që është shtrenjtuar në krahasim me vitin 2005. Ditën e parë që jam ulur në karrigen e ministrit e kam pasur 9.1 për qind normën e interesit të bonos së thesarit 1-vjeçare, sot është 8.1.