Përplasje mes marinarëve dhe policisë
Një incident është shënuar ditën e djeshme mes marinarëve të anijes së bllokuar prej disa ditësh në Portin e Vlorës dhe uniformave blu të policisë lokale. Marinarët kanë goditur dy prej policëve, pasi këta të fundit nuk i kishin lënë që të largoheshin nga ambientet e anijes. Më pas policat kanë shoqëruar për në komisariat kapitenin e anijes dhe një marinar.
Kështu, mbrëmjen e dy netëve më parë, ekuipazhi i anijes me flamur bolivian "Bancar", ka dhënë alarmi se kapiteni i anijes, si dhe një nga marinarët është sëmurë. Menjëherë Kapitaneria e Vlorës është vënë në lëvizje dhe ka marrë një nga pilotinat e Portit të Vlorës dhe së bashku me 2 policë të postës policore të Portit Vlorë ka shkuar menjëherë pranë anijes "Bancar" për t‘u dhënë ndihmën e parë, por menjëherë sapo kanë arritur pranë anijes dhe kanë lidhur cimat e pilotinës me anijen ata kanë parë se ekuipazhi i anijes kishte kërkuar që të ikte nga anija, madje kishin bërë gati edhe çantat e tyre për t‘u larguar. Pjesëtarë të ekuipazhit të anijes "Bancar" nuk janë lejuar të zbresin nga anija e tyre për te pilotina, e cila kishte ardhur pas sinjalit SOS që ka dhënë kapiteni i saj. Por, gjithsesi, situata nuk ka kaluar pa incidente me policinë e Vlorës. Një nga pjesëtarët e ekuipazhit ka qëlluar dy nga efektivët e grupit të gatshëm, pasi këta të fundit nuk i linin që të zbrisnin në pilotinën që kishte ardhur për ndihmë anijes. Pas incidentit, blutë e Vlorës kanë raportuar ngjarjen, duke bërë dokumentimin e saj, si dhe depozituar kallëzimin për marinarët e huaj, të cilët ndodhen prej javësh në Vlorë. Ndërkohë, si kapiteni dhe një nga marinarët e anijes "Bancar" janë shoqëruar për në spitalin rajonal të Vlorës për të marrë mjekimin e duhur, por kur mjekët e spitalit rajonal Vlorë i kanë ekzaminuar të 2 marinarët, ata nuk kanë pasur asnjë shqetësim, si dhe nga shëndeti ishin shumë mirë, por thjesht kanë stimuluar. Me të marrë këtë konfirmim nga doktorët e spitalit, uniformat blu kanë shoqëruar si kapitenin dhe marinarin që shtirej si i sëmurë, sërish për në Portin e Vlorës.
Anija "Bancar" me flamur bolivian dhe me ekuipazh egjiptian, ndodhet e bllokuar në Portin e Vlorës, që në fund të muajit nëntor. Anija ishte nisur nga Turqia me hekur për ta transportuar atë në Tunizi, por ka ndërruar kurs për në drejtim të Portit të Durrësit e më pas për të përfunduar në Portin e Vlorës, ku dhe ka shitur të gjithë ngarkesën e hekurit te biznesmenët vlonjat. Mbasi ngarkesa nuk ka mbërritur në Tunizi, pronari i ngarkesës së mallit ka marrë vesh se ngarkesa me hekur është shkarkuar e shitur në Shqipëri dhe pikërisht në Portin e Vlorës. Një përfaqësues i kompanisë turke të hekurit ka kryer kallëzim në Prokurorinë e Vlorës për mallin që i është shitur në mënyrë të jashtëligjshme. Sipas burimeve nga Prokuroria e Vlorës, pas kallëzimit të kryer nga përfaqësues të kompanisë turke, ka filluar hetimi i kësaj çështjeje, për pasojë është bllokuar edhe anija me ekuipazhin.