E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa, rritni pensionet e profesorëve

Kontributi që japin profesorët në punë nuk shpërblehet në pleqëri. Madje, kontributet që ata derdhin për sigurimet janë shumë më të ulëta se pensioni. Këto shqetësime iu bënë të ditura dje parlamentarëve të Komisionit të Medias. Në një seancë dëgjimore, përfaqësuesit e Sindikatës së Profesorëve kanë shprehur shqetësimet e tyre për një sërë problemesh, ku më kryesorja është ajo e pensioneve. Ata kanë kërkuar që qeveria të ndryshojë menjëherë skemën e pensioneve.

Kryetari i kësaj sindikate, Angjelin Shtjefni, u shpreh se "niveli i kontributit për sigurimet shoqërore është më i lartë se sa pensioni i përfituar prej tyre, ndaj ne gjykojmë se duhet bërë një skemë e re për pensionet". Sipas tij, ky është shqetësim kryesor i profesorëve të dalë në pension, si dhe i stafeve akademike.

Një tjetër problem për punonjësit e universiteteve është edhe mungesa e investimeve për qëllime kërkimore-shkencore, për pasurimin e bibliotekës universitare me tituj të rinj etj. Po ashtu, Shtjefni kërkoi dhe një lehtësim të ngarkesës mësimore të studentëve, përmes rishikimit të programeve. Nënkryetari i komisionit, ish-dekani Gëzim Karapici, u shpreh në mbështetje të pedagogëve, duke theksuar nevojën e shqyrtimit të statusit të profesorit. "Kryeministri ka ndjeshmërinë më të lartë për profesorët", u shpreh Karapici, duke përçuar fjalën e Berishës te sindikalistët e universitetit.

Komisioni Parlamentar i Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, në seancën e djeshme dëgjimore u njoh me problemet kryesore të profesoratit, përmes deklaratave të përfaqësuesve të sindikatës. Rritja e pensionit, siç u pa edhe nga biseda, është problemi më i madh i tyre. Ndërkohë, edhe shoqatat e pensionistëve e kanë ngritur këtë problem disa herë. Sipas tyre, qeveritë i kanë rregulluar më së miri pagesat e profesorëve kur janë në punë dhe i kanë harruar ata kur dalin në pension. Statusi i profesorit është një projekt i hartuar nga përfaqësues të universiteteve dhe parashikon trajtim të veçantë për këtë kategori, nëse arrin të gjejë miratimin e qeverisë dhe Parlamentit. Aty parashikohen kushtet e punës, të karrierës dhe pensionit të çdo individi që mban grada dhe tituj shkencorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›