E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbipopullimi, ndërtohen 4 shkolla të reja

Në Bashkinë e Kamzës do të ndërtohen katër shkolla të reja, pasi dendësia e popullsisë është mjaft e madhe në këtë zonë. Afro 1 milion euro do të kushtojë secila shkollë dhe do të financohen nga Banka Botërore. Ndërtimi i tyre do të nisë në vitin 2008. Godinat e reja do të ngrihen në Valias, në qendër të Kamzës, në Zallmner dhe një tjetër në zonën e Bathores. Ministri i Arsimit gjatë prezantimit të buxhetit në Parlament, ka theksuar se këtë vit do të investohet shumë për infrastrukturën shkollore.

Në bazë të objektivit "30 nxënës në klasë" është parashikuar në buxhet ndërtimi i 13 shkollave të reja në arsimin bazë. "Këto objekte do të ndërtohen në Kamzë, Paskuqan, Zallmner, Tiranë, Durrës, Lezhë, Shkodër, Tropojë, Has, Sarandë etj.", sqaroi Pollo. Po kështu, do të ndërtohen edhe 7 shkolla të reja në arsimin e mesëm të përgjithshëm, si në Durrës, Lezhë, Fier, Vlorë, Dibër, Shkodër, Tiranë etj. Të gjitha këto investime janë të llogaritura në projektin "Cilësi dhe barazi në arsim".

Por, ky nuk është i vetmi projekt i MASH-it në fushën e investimeve. Që vitin e kaluar funksionon skema e grandit konkurrues, i cili vlen edhe për ndërtimet e shkollave. Ky grand menaxhohet nga bashkitë dhe komunat dhe për vitin 2008 do të jetë 25% më i lartë, ose me vlerë afro 14.3 milionë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›