Devolli rrezikon 20 familje në Komunën e Grekanit
Pas Shkumbinit, edhe lumi i Devollit ka nisur të rrezikojë banorët që ndodhen pranë brigjeve të tij. Reshjet e dy netëve më parë kanë bërë që së paku 20 familje të fshatit Rrenas në Komunën e Grekanit në Elbasan, të përjetojnë panik nga përmbytjet. Në fakt, është hera e parë që Devolli, edhe pse me shtrat jo të rrëmbyeshëm, rrezikon jetën e banorëve. Sipas këtyre të fundit, janë bërë shkak shfrytëzimi pa kriter i inerteve në shtratin e tij, që është devijuar rrjedha tradicionale. Sipas informacioneve më të fundit nga Prefektura e Elbasanit, rrezikohen 20 familje, nëse prurjet do të vazhdojnë në këtë nivel, por vetëm 4 prej tyre mund të konsiderohen për ndërhyrje emergjente. Edhe pse rreziku nuk ka qenë imediat, pushteti vendor ka mundur të aktivizojë forca ushtarake në mbrojtje të banorëve të fshatit Rrenas. Forcat e ushtrisë, edhe pse kanë qenë të pajisura me çadra kolektive për familjet në rrezik, nuk e kanë bërë një shpërndarje të tillë, pasi vërshimi i lumit ka qenë vetëm në brigje dhe pjesërisht në toka bujqësore, shtëpitë e të cilëve janë disi larg nga brigjet. Për katër familjet më të rrezikuara, prefektura ka vendosur që të shpërndajë mjetet e emergjencës jetike, në pritje të ndonjë rasti të përmbytshëm në këtë zonë. Ndërkohë, organet e pushtetit vendor, priten që sot të vënë para përgjegjësisë firmat e shfrytëzimit të inerteve pa leje në këtë gjatësi lumore, si shkaktare të devijimit të lumit dhe krijimit të precedencës për përmbytje banorësh.