E Diel, 1 Nëntor 2026

Arkeologët,në gjurmët e Ilirisë së lashtë

 U zhvillua në Torino konferenca arkeologjike “Alla scoperta dell’antica Illiria” (“Në gjurmët e  Ilirisë së lashtë”) e organizuar nga Shoqata Kulturore Italo-Shqiptare Vatra. Takimi, i konceptuar si një udhëtim i ilustruar  arkeologjik nëpër tokën shqiptare, u prit me interes mjaft të madh nga publiku i  kualifikuar torinez. Pjesëmarrësit, - një pjesë e mirë të cilëve e ndoqën konferencën në këmbë, pasi salla prestigjioze e Circolo dei Lettori ishte e tejmbushur që shumë kohë përpara orarit të fillimit të takimit, - patën rastin të njiheshin me qendrat kryesore të zbuluara të Ilirisë, si edhe me pasuritë që ato përmbajnë. I ftuari kryesor i konferencës ishte eksperti i shquar i kësaj fushe, arkeologu i mirënjohur shqiptar, profesor Neritan Ceka. Në takim morën  pjesë gjithashtu edhe Sandro Caranzano, arkeolog, Chiara de Filippis, historiane dhe profesore e Universitetit të Torinos dhe Benko Gjata, gazetar. Veprimtaria u përshëndet edhe nga përfaqësues të rëndësishëm të pushtetit vendor si Gianni Oliva, asesor i kulturës në Rajonin e Piemontit, Marco Borgione, asesor i politikave sociale në Bashkinë e Torinos dhe Michele dell’Utri, asesor i marrëdhënieve ndërkombëtare pranë këtij institucioni. Veprimtaria u zhvillua në kuadër të projektit “Festivali i Kulturës Shqiptare”, i ideuar nga Shoqata Vatra dhe i realizuar me mbështetjen e Rajonit të Piemontit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›