E Diel, 1 Nëntor 2026

Panajot Pano, shuhet legjenda e futbollit

 është ndarë nga jeta dje në moshën 71-vjeçare legjenda e futbollit shqiptar, Panajot Pano. Zemra e ish-sulmuesit dhe futbollistit më të mirë shqiptar i shekullit u ndal pas një ataku kardiak. Pikërisht për të kuruar zemrën e dobët por “gjigande” përsa i përket dhembshurisë, dashurisë dhe respektit, Panajot Pano i ishte drejtuar Amerikës prej disa muajsh. Lajmi i vdekjes së tij mori dhenë në shumë pak kohë (dhënë në kohë rekord nga mediat vizive) duke sjellë jo pak plogështi në gjithë komunitetin sportdashës por jo vetëm në Shqipëri. I zbuluar nga “profesori pa diplomë”, Xhavit Demneri, Joti, katër herë kampion i Shqipërisë (1961, 1962-1963, 1963-1964) dhe pesë herë fitues i Kupës (1961, 1964, 1966, 1968, 1975), autor i mbi 100 golave ndërkombëtarë, e mbi 500 të tillë në 700 ndeshje gjatë karrierës së tij të gjatë futbolltike, u nda nga fusha e blertë 35-vjet më parë, në vitin 1975, por të qenë përjetësisht e lidhur me të. Ai lindi në Durrës, më 7 mars të vitit 1939, por prindërit e tij janë me origjinë nga Delvina. Djaloshi Pano e nisi karrierën e tij si portier, por cilësitë e tij të rralla e shndërruan atë si sulmuesin më të madh me fanellën e Tiranës e Partizanit, përpos ndonjë ndeshje ndërkombëtare si i huazuar me Dinamon. Dikush në Shqipëri e quan një “Pele shqiptar”, një tjetër një “Pushkash i vogël”. Një i tretë e konsideron magjistar përpara portës si një “Gerd Myler në versionin shqiptar”. I pari që dalloi cilësitë e jashtëzakonshme të nxënësit 13-vjeçar të shkollës “10 Korriku” dhe e inkuadroi në një ekip sportiv ishte ish-trajneri i ekipit Kombëtar të Shqipërisë, Adem Karapici. Iljaz Dingu dhe Fadil Bakalli i japin mësimet e para për futbollin, ndërkohë që ishte merita e Xhavit Demnerit, i cili e gjeti djaloshit virtuoz pozicionin e sulmuesit te të rinjtë e “17 Nëntorit”, ku fitoi titullin kampion në vitin 1957 dhe u shpall golashënuesi më i mirë me të rinjtë. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, “mjeshtri i topit” drejtoi për disa kohë si zëvendës/trajner Partizanin dhe si trajner i parë Butrintin e Sarandës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›