E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ribotohet “Britma” e Zhitit

 Pritet të hidhet në treg botimi i dytë i romanit të shkrimtarit Visar Zhiti, “Në kohën e britmës”. Romani më i fundit i Zhitit ka tërhequr vëmendjen e lexuesit çka i shtyu drejtuesit e Shtëpisë Botuese “Omsca1” ta ribotojnë këtë roman. I hedhur në treg disa muaj më parë, “Në kohën e britmës” rezultoi një ndër librat më të tërhequr në Panairin e Librit “Tirana 2009”. Në stendën e “Omsca 1” ai konkurronte me librat best seller “Lugina e kukullave” dhe “Gjuetari i balonave”. Romani “Në kohën e britmës” është një dëshmi e Shqipërisë së tranzicionit. Ai pasqyron një pjesë nga ikjet më të fundit. Njerëzit largoheshin nga dhuna dhe varfëria, në kërkim të një jete më të mirë, duke dalë shpesh dhe nga vetja, dhe kjo duket se i intereson më shumë autorit, ikja nga vetvetja, pjesë të së cilës i rigjejnë apo i humbin përgjithmonë, ndeshen me krimin dhe të keqen, u bëjnë ballë atyre, mposhten dhe mposhtin. Autori duket sikur nuk pret që realiteti t’i zgjidhë problemet e veta, e llava e ngjarjeve të ftohet, por ai ndërfutet në vorbullat e këtij realiteti, është në grykë të kraterit, madje dhe paraprin, duke marrë përsipër përgjegjësi dhe misione. Gjithmonë në pozicionin e shkrimtarit, Zhiti duket sikur do të na thotë me këtë libër se shpresat janë më të mëdha se zhgënjimet dhe bukuria, sipas një sentence të njohur, pritet të triumfojë duke na bërë të gjithëve më të mirë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›