E Diel, 1 Nëntor 2026

Pronari kërkon para borxh lojtarëve

 Duket qesharake por është mëse e vërtetë. Pronari i Mançester Junajtid, Malkolm Glazer ka menduar të kërkojë para borxh nga lojtarët për të shpëtuar falimentimin e shoqërisë, e cila llogarit aktualisht një debit prej 550 milionë eurosh. Sipas tabloidit “The Sun”, manjati amerikan u ka bërë një propozim të tillë surprizë lojtareve, duke u kërkuar nga 50 mijë stërlina me afat 1-vjeçar dhe me interes 7 përqind. Oferta e Glazer u është drejtuar të gjithë punonjësve të shoqërisë. Situata financiare e “Red Devils” është shumë e keqe dhe për këtë, Glazer kishte menduar të shiste qendrën sportive të Karrington por edhe stadiumin legjendar “Old Trafford”. “Lojtarët nuk dinë çfarë të bëjnë. Shumë prej tyre janë konfuzë sepse nuk arrijnë ta kuptojnë që punëdhënësi i tyre u drejtohet pikërisht atyre për likuiditet”, thekson një burim anonim në të përditshmen angleze. Gjithsesi, pjesa më e madhe e lojtarëve duket se nuk është dakord me këtë propozim. Ndërkohë Mançester shiti gjatë merkatos së verës për një shifër rekord 64 milionë euro edhe lojtarin e saj më të mirë, Kristiano Ronaldo tek Relai i Madridit, por edhe kjo gjë nuk ka mjaftuar që klubi të mund të dalë nga bataku financiar ku është zhytur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›