E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompozimi i Hasan Nallbanit fiton “Onufrin”

 Të ulura mbi një gomone, ato kanë përpara një botë të panjohur, ndërsa pas lënë një breg, shtëpitë, të kaluarën... Dikush mund ta lexojë si një reflektim mbi një plagë sociale, një tjetër mund të shijojë veç të bukurën që frymëzon autorin. Me tablonë “Kompozim”, (vaj në kanavacë), piktori Hasan Nallbani u shpall fitues i edicionit të 16-të të Konkursit të Arteve Pamore, “Onufri 2009”. Mbrëmë, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve të edicionit të radhës, i cili u hap në 24 dhjetor 2009, nën kurimin e artistit Parid Teferiçi. Juria e përbërë nga Francesco Poli, kritik i njohur arti në Itali dhe në Francë, Suzana Varvarica Kuka, studiuese dhe kritike arti dhe Alma Mile, gazetare, pasi shqyrtuan gjatë punët e paraqitura në ekspozitë, vendosën mbi fituesit e këtij edicioni. Duke u bazuar mbi strukturën e ndërtuar këtë vit nga kuratori Teferiçi, i cili vendosi pranë e pranë punët e një brezi më të vjetër artistësh, me ato të më të rinjve, çmimet u ndanë pikërisht mes këtyre dy brezash. Dhe çmimi i parë i shkoi piktorit Hasan Nallbani, i cili vjen me një frymë të re në fazën më të fundit të krijimtarisë së tij. Dhe motivacioni ishte pikërisht freskia dhe origjinaliteti që karakterizon punën e Nallbanit, tashmë 76-vjeçar. “Për një liri kompozimi, i cili karakterizohet nga një tension vital shprehës”. “Kompozimi” i Nallbanit është përzgjedhur nga kuratori mes një serie të tërë punësh, që ai ka mbi tema sociale dhe janë prezantuar edhe në një ekspozitë personale të piktorit në GKA. çmimi i parë shoqërohet edhe me një vlerë monetare prej 300 mijë lekësh të rinj. Sa i përket çmimit të dytë, që iu atribua të rinjve, ai u nda në mënyrë të barabartë mes dy të rinjsh me referime të ndryshme të linjave të tyre artistike. Bëhet fjalë për piktorët Aldi Zguro dhe Enkelejd Zonja. I pari paraqitej me një distik të titulluar “Sit still seeking!”, e cila u shqua për elegancën me të cilën ishte trajtuar. Ndërsa ndërmjet dy punëve të Enkelejd Zonjës u zgjodh ajo me titullin “Përrallë nga ’97-a”, ku autori në formën e një përralle, të rrëfyer nga një personazh shumë i njohur për fëmijët, aktorja Marika Kallamata, tregon për situatën e krijuar në Shqipëri në vitin 1997. Puna e tij u vlerësua për nivelin e lartë të teknikës dhe narracionin përmes simbolikës sociale dhe asaj metaforike. çmimi i dytë shoqërohet me një vlerë monetare prej 200 mijë lekësh, por duke qenë se juria vendosi ta ndajë këtë çmim mes dy të rinjsh, edhe vlera monetare, e cila duhet thënë që është simbolike do të ndahet gjithashtu mes tyre. Ndonëse mes të rinjve kishte edhe të tjera punë të goditura, u vendos për këta dy artistë, duke marrë parasysh edhe faktin që ata jetojnë e krijojnë në Shqipëri. Ishte ky një lloj stimuli, për të krijuar më tej në një atmosferë ende tranzitore në fushën e artit. Nuk qe më e lehtë për të zgjedhur mes punëve të artistëve të një gjenerate më të pjekur. Në këtë edicion merrnin pjesë emra si Gazmend Leka me një triptik mistik, Robert Aliaj Dragoti me një punë të titulluar “Hijena dhe minj”, ku trajtonte temën e dhunës, jo thjesht fizike, por edhe atë që ushtrohet nga mediat, sidomos tek brezi i ri, Vladimir Myrtezai me videoprojeksionin e tij mbi ciklin e jetës, Gjelosha Gjokaj me “hartat” e tij abstrakte, për të vijuar me të tjerë piktorë si Anastas Kostandini, Ziso Kamberi, Gëzim Tafa, Gazmend Muka, Edmond Gjikopulli, etj, të cilët ishin paraqitur gjithashtu me punë interesante në këtë edicion. Kryetari i jurisë, kritiku, Francesco Poli e vlerësoi “Onufrin 2009” si një aktivitet të kuruar me kujdes, ku ndesh punë të një niveli të lartë mbi stile dhe koncepte të ndryshme artistike. Ndryshe nga edicionet e mëparshme “Onufri 2009”, ishte tërësisht shqiptar. Por nuk bëhet fjalë për një kthim të “Onufrit” në origjinën e tij shqiptare, ashtu si 16 vjet më parë. Teferiçi e pa të udhës të mos ftonte autorë të huaj, me qëllim që të paraqiste një panoramë të artit shqiptar në 20 vitet e tranzicionit. Madje, siç ndodh rëndom, ai nuk përcaktoi as një koncept kuratorial, mbi të cilën të ndërtoheshin punët, por anasjelltas. Duke hulumtuar në këtë atmosferë krijuese shqiptare, mes punësh dhe studiosh, doli edhe tema e këtij edicioni: “Dëshira dhe dëshmi”. Qysh në përgatitjet e kësaj ekspozite, kuratori Teferiçi pranoi tërheqjen e tij kah pikturës, çka edhe u reflektua në përmbajtjen e saj. Kështu që, mediumi që mbizotëronte më së shumti në këtë edicion ishte piktura, por nuk mungoi edhe fotografia, apo videoprojeksioni e instilacioni, të lëvruara më së shumti nga artistët e brezit të ri.çmimetçmimi i parë:Hasan Nallbanime veprën “Kompozicion”, vaj në kanavacë(210 x 150 cm)çmimi i dytë:Andi Zgjanime distikun “Sit still seeking!”, vaj në kanavacë (70 x 80 cm dhe 70 x 90 cm)Enkelejd Zonjame punën “Përrallë nga viti ‘97", vaj në kanavacë (140 x 230 cm)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›