E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vjen Reali i Madridit, “blindohet” Tirana

 Leonard Karaj Policia e Shtetit ka lajmëruar bllokimin e rrugëve që të çojnë drejt stadiumit “Qemal Stafa”, teksa rreth 600 policë do të jenë në gadishmëri për sigurinë e Real Madrid.Real Madrid do të mbërrijë në aeroportin ndërkombëtar shqiptar “Nënë Tereza” rreth orës 12:00 të ditës së sotme. Skuadra spanjolle do të akomodohet në hotel “Rogner” dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp e trajnerit dhe dy futbollistëve të kësaj skuadre. Në orën 18:00 do të luhet ndeshja dhe pas këtij takimi 9-herë fituesit e Champions League do të nisen direkt për në Spanjë.Ndërkohë rreth 600 policë që do të garantojnë sigurinë e skuadrës së Realit të Madridit në kryeqytetin shqiptar. Policia e Tiranës ka bërë gati një plan të veçantë masash, për ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kjo sfidë është cilësuar e një rëndësie ndërkombëtare dhe për këtë arsye edhe masat e policisë janë speciale. Drejtoria e Policisë njofton se janë marrë masat organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv. Do të ndalohet parkimi i të gjitha automjeteve përreth stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, Sheshi “Italia”, Sheshi “Nënë Tereza” duke filluar nga ora 08.00 e ditës së sotme deri në përfundim të këtij aktiviteti. Po ashtu, nga ora 15.00 deri në përfundim të ndeshjes, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugët drejt stadiumit “Qemal Stafa” ashtu dhe përreth tij, si: rruga “Lek Dukagjini” dhe “Dervish Hima” në kryqëzimin me rrugën “Asim Zeneli”, etj. Gjatë hyrjes së tifozëve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm me qëllim ndalimin e sendeve të forta. Kjo edhe për faktin se në Shqipëri vjen ekipi më i madh i botës, por njëkohësisht edhe më i shtrenjti. Bëhet fjalë për një skuadër, lojtarët e së cilës në merkato kushtojnë mbi 600 milionë euro apo e thënë ndryshe sa 1/4 e buxhetit shqiptar. Vetëm verën e kaluar, presidenti Florentino Perez shpenzoi 252 milionë euro për të marrë futbollistë si Kristiano Ronaldo, Rikardo Kaka, Karim Benzema apo Ksabi Alonso. Veç skuadrës, në Shqipëri do të vijnë edhe një numër i madh gazetarësh spanjollë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›