Arkeologjia pa fonde. Rrezikohen 15 ekspedita!
Petrika GROSI
Qysh nga krijimi i Qendrës të Studimeve Albanologjike, e cila përfshin një pjesë të mirë të instituteve kërkimore shkencore që i përkisnin deri dje, (para shkrirjes) Akademisë të Shkencave, mësohet se gjendja financiare shfaqet tejet problematike. Burimet tona nga Istituti i Arkeologjisë pohojnë për gazetën “Albania” se asnjë fond nuk është kaluar për ta, ndërkohë që janë zhvilluar disa ekspedita arkeologjike me grupe vendas e të huaj. “...madje edhe punëtorët janë paguar me paratë e arkeologëve, tregojnë burimet pranë QSA-së, ndërkohë që janë rreth 140 milionë lekë të vjetra të cilat shteti, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e Qendra e Studimeve Albanologjike, i detyrohen Arkeologjisë”. Për sezonin veror mësojmë se janë planifikuar rreth 15 ekspedita arkeologjike, përfshi edhe bashkëpunime me universitete dhe arkeologë të huaj. Nëse heqim rastet kur donacionet janë krejtësisht nga jashtë, pjesa tjetër e ekspeditave rrezikon seriozisht zhvillimin e saj dhe fshirjen nga kalendari. Kjo situatë nuk është e tashme por vazhdon prej muajsh, madje dhe drejtori Ardian Marashi, shprehet me rezerva në këtë drejtim: “Lëvrimin e fondeve e ka në dorë Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e pastaj ajo e Financave. Ne kemi paraqitur projektet dhe nevojat tona dhe asnjë prej tyre nuk është kundërshtuar, ndërkohë që fondet nuk lëvrohen.” Sipas Marashit, ndoshta kjo situatë është rezultat i mungesës së një projektligji të plotë mbi vetadministrimin dhe menaxhimin e burimet e Qendrës së Studimeve Albanologjike.” Qendra e Studimeve Albanologjike ka në varësinë e saj disa institute tepër të rëndësishme, sidomos për kulturën, traditën, historinë dhe vlerat kombëtare, zbulimin, konfirmimin ruajtjen dhe menaxhimit e tyre. Nën umbrellën e QSA-së futen Instituti i Kulturës Popullore, Instituti i Gjuhës dhe Letërsisë, Instituti i Studimit të Arteve si dhe Instituti i Arkeologjisë, që padyshim duhej të ishte ndër më të rëndësishmit për nga përparësia, për vet faktin se në anën tjetër, qeveria në përgjithësi, e ministri i Turizmit dhe Kulturës në veçanti, promovojnë e deklarojnë në çdo rast si prioritet dhe sukses të tyre për këtë vit turizmin kulturor. Gjendja paraqitet po kaq problematike edhe në institutet e tjera të cilat vuajnë për fonde, në mënyrë që të zhvillojnë punën e tyre kërkuese, botuese dhe kërkimore shkencore. Nëse i rikthehemi sërish problemit të fondeve të ngrira të Institutit të Arkeologjisë, rrezikohet të humbasim edhe seriozitetin me bashkëpuntorët e huaj, të cilët tashmë kanë planifikuar ekspeditat e përbashkëta me stafin shqiptar. Ndërkohë, që drejtori Ardian Marashi na premton se do të flasë më tepër këto ditë, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Albania”, mbi detajet dhe problematikën e Qendrës të Studimeve Albanologjike, natyrshëm lind pyetja: “A janë turizmi kulturor e Albanologjia prioritete të qeverisë?”
17 Korrik 2008