E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: “Paraqitja e mirë na çon te rezultati”



Partizani, ekipi i parë shqiptar, që ka marrë pjesë në një kompeticion Europian, ai kundër Norkepingut në Ligën e Kampioneve (1962), i ka nisur me optimizëm ditët anti-Shiroki Brijeg, pikërisht në Bosnjë. Në orën 10-të të ditës së djeshme drejtuesit e Partizanit dolën në konferencë për shtyp, ku deklaruan se kishin mbërritur për një rezultat pozitiv. Nënkampionët e Shqipërisë kryen paraditen e djeshme edhe seancën e parë, vrapime në pyll, ndërkohë që në mbrëmje (ora 19:00) u stërvitën stadiumin “Pecara” ku do të luhet dhe ndeshja. Porta është një problem më vete për Partizanin. Pas largimit të Orges Shehit dhe mospasjes mundësi të angazhimit me huazim të portierit të Tiranës, Blendi Nallbani, Edvan Bakaj pritet të jetë në katërkëndëshin e kuq. Për portierin e huazuar për dy sezone me radhë të Luftëtari, ndeshja kundër Shiroki Brijeg do të jetë ndeshja e parë ndërkombëtare. Por çuditërisht, Lika thotë: “Të shohim kush do të jetë në portë, pasi nuk e kemi vendosur akoma se kush do të luajë nga dy portierët (Bakaj apo Xhika), - thotë trajneri Hasan Lika, i cili synon një rezultat pozitiv me skuadrën e kuqe, pavarësisht se takimi do të luhet në “skrofullën e armikut”.

Lika do ta drejtonin Partizanin në ndeshjen e parë ndërkombëtare. Të paktën në letër Shiroki Brijeg duket më i fortë...
...Më i fortë?!...Edhe ata si ne kanë dalë nënkampionë në vendin e tyre. Ne jemi munduar të bëjmë më të mirën në ditët e fazës përgatitore, duke pasur parasysh edhe kontingjentin e lojtarëve. -Në përgjithësi, skuadra është e përgatitur për të dhënë më të mirën këtë takim
Si duket skuadra pas fazës në Pogradec?
- Skuadra ka marrë një gjendje përgatitore të mirë për momentin. Megjithatë,jemi stërvitur për një kohë relativisht të shkurtër. E rëndësishme për ne është të bëjmë një paraqitje të mirë, dhe besoj se kështu do të marrim edhe rezultate.
Sa optimizëm ka Partizani për ta kaluar turin e parë?
- Të gjitha skuadrat në kompeticionet europiane luajnë për t’u kualifikuar. Ne do të japim maksimumin e mundësive tona.
A e kanë përligjur ardhja e lojtarëve të rinj mungesën e disa titullarëve të sezonit të kaluar?
- Ne e kemi bazën e grupit të lojtarëve, pavarësisht mungesave të atyre lojtarëve. Mendoj se në vazhdimësi ne do të përforcohemi akoma më tepër, për të bërë një kampionat të mirë. Besoj se në të ardhme do të jemi në një gjendje më të mirë.

Kupa UEFA

Turi i parë
17-31 korrik 2008
Shiroki Brijeg (Slloveni)-Partizani
Koper (Slloveni)-Vllaznia

Bakaj: Kemi forcat për të kaluar turin

Elis Bakaj është një nga lojtarët më të spikatur të Partizanit, tek i cili shpreson jo pak trajneri Hasan Lika në një rezultat pozitiv në Bosnjë. Elis Bakaj është edhe mbajtësi i një rekordi shqiptar, atij të futbollistit më të ri në moshë të aktivizuar në një ndeshje ndërkombëtare. Bakaj është aktivizuar në ndeshjen Dacia Kisinau-Partizani (2-0), të zhvilluar më 5 korrik 2003, në Kisinau në moshën 16 vjeç e 10 ditë. Përpara nisjes drejt Bosnjës, Elis Bakaj dha këtë intervistë për “Albania”-n.

Bakaj, në turin e parë eliminator të Kupës UEFA, Partizani do të përballet me boshnjakët e Shiroki Brijegut. Sa i përgatitur është ekipi për këtë sfidë?
-Jemi stërvitur intensivisht për rreth dy javë dhe unë besoj se Partizani do të tregojë atë nivel, me të cilin është paraqitur edhe në kampionat”
Në merkaton e verës janë larguar shumë lojtarë të formacionit bazë. Sa mund të ndikojë kjo në takimin e parë kundër Shiroki Brijeg?
- Kanë qenë lojtarë titullarë në ekipin tonë, por unë besoj se do t’i mbushim boshllëqet e largimeve.
A keni njohje për skuadrën e Shirokit, pasi nga informacionet është skuadra nënkampione e Bosnjës, ndërkohë që kanë dhe lojtarë të huaj në gjirin e tyre, brazilianë e të tjerë.
- Personalisht nuk kam njohje për atë, por megjithatë ekipi ynë i ka ta forcat për ta kaluar këtë tur. Ka optimizëm në skuadër se mund t’i eliminojmë.
E ardhmja juaj vazhdon të jetë akoma enigmë. Keni qenë për provë në Ukrainë, ndërkohë që është folur edhe për Borusian e Dortmundit në Gjermani. Vazhdojë të qëndrojnë këto pista?
- Pistat ekzistojnë akoma, por si klubi dhe unë jemi duke parë ofertat më të mira për të zgjedhur. Shpresoj se do të largohem në një kampionat të huaj.

Kataliniç: “Të sulmojmë që nga sekonda e parë”

Ivan Kataliniçit i kanë mbetur edhe pak orë për të përgatitur debutimin e këtij sezoni të Shiroki Brijeg në Evropë. Me fjalë të tjera, ajo çka është arritur deri më tani është arritur. Janë zhvilluar pesë ndeshje testuese, të cilat kanë treguar përparësitë dhe mangësitë e skuadrës e cila ka pësuar mjaft ndryshime prej përfundimit të sezonit. Në vlerësimin e tij Kataliniç ka thënë se pret që skuadra të përshtatet sa më shumë si dhe pret zgjimin e brazilianëve të ardhur së fundmi. Në provën gjenerale përballë Zrinjskit nuk ishte i kënaqur me repartin e mbrojtjes, por mbi të gjitha deklarata me reale e tij ka qenë se nuk do të dijë nivelin e Shirokit pa zhvilluar një ndeshje zyrtare. Dhe sot në “Pecara” do të zhvillohet një e tillë. Të gjitha përparësitë dhe mangësitë e përgatitjeve do të shfaqen në lojën përballë nënkampionit të Shqipërisë, Partizanit.
“Mendoj se fizikisht jemi të përgatitur”, vlerëson Kataliniç. “Për t’u përshtatur skuadra ndoshta nuk ka pasur shumë kohë, por edhe futbollistët brazilianë janë përshtatur mjaft mirë. Fytyrën e vërtetë të skuadrës do ta shohim pas ndeshjes së parë. Aty do të shohim se sa vlejnë futbollistët e rinj dhe çfarë mund të presim prej tyre tani dhe gjatë kampionatit”. Kritikat negative për lojën në mbrojtje pas ndeshjes ndaj Zrinjskit ndoshta pak e kanë dëmtuar atmosferën, por ndryshime në skuadrën e parë vështirë se do të ketë. “Për çdo ndryshim duhet kohë, dhe nuk e kemi. Mund të llogaris në lojtarët që kemi në dispozicion dhe kaq. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Më e rëndësishmja është se jemi përgatitur mirë e edhe motivimi është i lartë. Kupa UEFA gjithmonë është një vitrinë e mirë për klubin, lojtarët”, thotë Kataliniç. Me gjithë përpjekjet për të mësuar sa më shumë, përsëri Partizani mbetet një mister i madh. Por Kataliniçin kjo nuk e shqetëson shumë. “Nuk dimë shumë për ta. Kemi shikuar videon e ndeshjes së fundit të kampionatit shqiptar mes Dinamos dhe Partizanit, por prej atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar. Vërtetë nuk do të dimë shumë derisa të jemi në fushë”. Taktika? Kataliniç në këtë pikë ka qenë gjithnjë i qartë.“Mua më pëlqen të luajmë në sulm, çka e treguam edhe ndaj Zrinjskit, të cilit i shënuam katër gola. Nuk dëshiroj që të presim kundërshtarin. Kështu do të jetë edhe kesaj radhe. Do të sulmojmë prej minutës së parë dhe shpresoj me pak shpresë do të shënojmë”, - ka thënë Kate. Për fat të mirë të tij, Kataliniç në kohët e fundit nuk ka pasur shumë probleme me dëmtimet e futbollistëve. Më parë ishin dëmtuar mbrojtësit Topiç e Oroz që do të mungojnë në ndeshjen e parë, ndërsa nuk do të jetë as mesfushori Zelenika për shkak të kartonit nga sezoni i kaluar.

GJYQTARËT NGA SLLOVAKIA
Ndeshjen në stadiumin “Pecara” do ta gjykojnë një treshe e gjyqtarëve sllovakë. Kryesor do të jetë Pavel Olsiak, ndërsa ndihmësit e tij do të jenë Milan Palusak e Dushan Kubacka.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›