Shkeljet në tenderin e Burgjeve, drejtori Dibra i përgjigjet gazetarit: Pyet mamin ose motrën
Ndëshkohen denoncuesit e "Tenderit të gomave" në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Me anë të një ankese dërguar Kryeministrit, ministrit të Drejtësisë dhe shumë institucioneve të tjera të pavarura pak kohë më parë, anëtarët e komisionit të tenderit, të ndëshkuar pasi denoncuan abuzimin, akuzojnë kreun e burgjeve, Gazment Dibra, për favorizimin e firmës fituese dhe ndëshkimin e të gjithë atyre që kundërshtuan furnizimin nga kjo kompani, për shkak të cilësisë së keqe të gomave dhe standardit të tyre jashtë kushteve të kërkuara në dokumentacionin e tenderit. Sipas tyre, pas zhvillimit të tenderit më 15 qershor 2009, një javë më vonë Dibra ngre një komision prej 5 vetash, ku Gjin Lleshi ngarkohej si kryetar komisioni ndërsa Simon Ulndreaj, anëtar dhe zëvendëskryetar. "çuditërisht në komision ishte "futur" edhe shoferi i titullarit (drejtorit Gazment Dibra), i cili pas dy ditësh njofton kryetarin Gjin Lleshi se përfaqësuesit e firmës janë "miqtë" e tij. Sipas kontratës, veç tjerash, gomat kërkohej të ishin prodhime të vitit 2009 dhe nga vende të BE-së, (të tipit "Kontinental"), me garanci 35 mijë km. Komisioni i kolaudimit vërejti se ato nuk u përgjigjeshin kushteve të kontratës, pasi ishin kineze dhe koreane, ndërsa një pjesë nga vende të BE-së, por që ishin prodhime të vitit 2004. Sipas teknicienëve të pranishëm, këto goma nuk përballonin as 5 mijë km, ose mund të shpërthenin në çast duke rrezikuar jetën e trupës policore dhe të burgosurve që do të lëviznin me automjetet e shtetit. Shoferi i titullarit mungoi, ndërsa përfaqësuesi i firmës nuk u paraqit. Këta nuk u paraqitën edhe në ditët e mëvonshme, me gjithë kërkesat tona", thuhet në ankesën e të ndëshkuarve. "Më 28 korrik 2009, pasi nuk u reflektua, vendosëm të zgjidhnim ngërçin duke zbatuar ligjin. Hartuam akt kolaudimi negativ për mospranimin e gomave, si dhe i bëmë raport (Memo) titullarit për zgjidhjen e kontratës dhe vazhdimin e procedurave. Pas këtij momenti, sipas dispozitave mbi prokurimin publik, firma duhej të penalizohej dhe të rifillonin procedurat, çështje këto që i përkisnin titullarit dhe strukturave të tjera të institucionit. Në vend të kësaj, disa javë më vonë jemi informuar se u ngarkua një specialist i logjistikës për bërë riverifikimin, (kontrollin) e gomave, të cilat i qenkëshin 'ruajtur' firmës ekzistuese, pra ky person do dilte mbi komisionin e kolaudimit, veprim ky i papranueshëm nga pikëpamja ligjore e logjike. Por edhe ky person me specialitet inxhinier mekanik, me gjithë përpjekjet e 'përmirësimet' e bëra, i raportoi gomat me probleme. Në fillim të tetorit jemi thirrur veç e veç nga Drejtorja e Burimeve Njerëzore, Financës dhe Shërbimeve, (në "prani" të përfaqësuesit të firmës që ne kishim refuzuar) që na transmetoi porosinë e Drejtorit të Përgjithshëm: 'Meqenëse firma ka vendosur të bëjë 'ndërrimin' e gomave, ne do të rilidhim kontratën me të'. Ne refuzuam kryerjen e kolaudimit me argumentin se nuk mund ta bënim për të mohuar vetveten në kolaudimin e parë dhe se firma duhet të penalizohej, pasi nuk ishte treguar serioze, madje ishte tallur me ne komisionerët. Kreu i komisionit, Lleshi, u pushua nga puna dhe vazhdon pa punë prej asaj dite, dhe se vendi i tij ka mbetur bosh që nga 6 tetori 2009, kur u arrestua personi i marrë joligjërisht në vend të tij. Zëvendëskryetari Ulndreaj disa javë më vonë pa shkaqe e motive u lirua nga detyra e shefit të Sektorit të Transferim Shoqërimit në DPB dhe u transferua në Kavajë dhe më pas në Spitalin e Burgjeve me ulje në detyrë". re.kro
Precedenti
Nuk është hera e parë që kreu aktual i Burgjeve, Gazment Dibra, kërcënon apo shan në mënyrë rrugaçërore nëpër telefona. Katër vjet më parë ai u bë objekt i një hetimi të prokurorisë dhe më pas gjykata i dha pafajësi për akuzat: "shpërdorim detyre" dhe "korrupsion". Atëherë, gjithçka nisi pas publikimit të bisedave telefonike të Dibrës, i cili i bënte shantazh një biznesmeni.
Pyetet për tenderin kreu i burgjeve, Gazment Dibra përgjigjet me fyerje
TIRANE - I kontaktuar dje për shkak të detyrimit etik nga gazeta "Panorama" për t'i dhënë mundësi kreut të burgjeve të sqarojë pozicionin e tij në historinë e abuzimit në "Tenderin e gomave", Gazmend Dibra iu përgjigj në mënyrë fyese pyetjes së redaksisë. Në orën 17:49 minuta Dibra u informua për artikullin me anë të mesazhit si më poshtë: "Përshëndetje z.Dibra! Na falni për bezdisjen. Po shkruajmë një artikull për "Tenderin e gomave" në DPB, në lidhje me shkarkimin e kryetarit të komisionit dhe transferimin e zv/kryetarit. Reagimi juaj? Faleminderit".Gjashtë minuta më vonë, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, dërgoi nga celulari i tij me numër 0672020888, tekstualisht mesazhin e mëposhtëm: "Pyte edhe mamin ose motren". Mesazhi i dërguar nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, për transparencë bëhet publik në foto.