PS, nis ripërtëritja e forumeve
Aristir Lumezi
Socialistët kanë hyrë në fazën finale të zgjedhjeve të reja në parti. Dje ka përfunduar afati i propozimeve për kryetarë të PS së rretheve, në zbatim të statutit të ri të socialistëve, që u miratua në kongresin e prillit. Deri në fund të muajit, krerët socialistë të rretheve do të jenë zgjedhur në krye të strukturës së re, por përzgjedhjen e kandidaturave do ta bëjë kryesia socialiste. Brenda javës së ardhshme pritet të mblidhet kryesia socialiste, e cila nuk është mbledhur që nga vjeshta e vitit të kaluar, për shkak të qëndrimeve kritike të disa anëtarëve të saj ndaj vendimmarrjes së PS. Në mbledhjen e saj, kryesia do të përcaktojë se cilët do të jenë kandidaturat më të përshtatshme mbi bazën e disa kritereve të përcaktuara më parë përmes një rregulloreje të veçantë nga Asambleja Kombëtare. Më pas do të jetë asambleja e zgjeruar e rrethit, që do të votojë me votë të fshehtë kryetarin me kandidatura alternative. Kryetarët e rretheve janë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare socialiste, duke çuar në 38 numrin e anëtarëve të rinj të Asamblesë së ardhshme Socialiste. Do të jetë mbledhja e ardhshme e Asamblesë Kombëtare e cila pasi të ketë mbyllur zgjedhjet e kryetarëve të rretheve, do të bëjë dhe votëbesimin e kryesisë aktuale përballë kandidaturave alternative. Pritet që kryesia e re të ketë ndryshime të ndjeshme të saj, ku një pjesë e anëtarëve të largohen për t'i lënë vendin prurjeve të reja në PS, pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Situata politike në kryesinë aktuale u rëndua pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare nga PS, kur u kërkua zhvillimi i një analize të thellë për humbjen dhe nxjerrjen e përgjegjësive. Disa anëtarë të kryesisë, Blushi, Islami, Harasani, Allushi, Haxhiymeri, Hafizi akuzuan kryetarin Rama, si përgjegjësin kryesor për humbjen e zgjedhjeve, ndërsa ata u etiketuan nga Rama se po bënin lojën e Berishës në PS. Që atëherë, kreu socialist nuk e mblodhi më kryesinë socialiste ndërsa e gjithë vendimmarrja politike e PS u mor nga mbledhje në grupe të vogla deputetësh dhe tryezën e aleatëve të saj.