E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr te ‘banda e Durrësit’, Lul Berisha braktis gjyqin



Armand Bajrami

Prania në gjykatë e një dëshmitari të shumëpërfolur në procesin gjyqësor të "bandës së Durrësit" tek Krimet e Rënda u bë shkak dje për zhvillimin e një seance të tensionuar me debate të forta mes palëve. Geri Beja, person i pranishëm në listën e dëshmitarëve të kërkuar edhe nga prokuroria edhe nga mbrojta; po i njëjti që është bërë "molla e sherrit" mes palëve në seancat e fundit të procesit, ishte paraqitur dje në gjykatë, edhe pse më parë figuronte në Itali. Por ndonëse ndodhej pas derës së sallës së gjyqit, dëshmitari nuk u pyet, pasi seanca u ndërpre në një moment të paparashikuar nga debati mes palëve. Largimi i të pandehurit Lulzim Berisha e në vijim edhe i avokatit mbrojtës së tij nga salla e gjyqit detyroi gjykatën të ndërpriste seancën dhe të caktonte një datë të re.
TENSIONI
Mosmarrëveshjet mes palëve në procesin në ngarkim të 16 të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Durrësit" u thelluan pak seanca më parë, kur gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë për leximin e deklarimeve të dhëna në hetimet paraprake të dëshmitarëve, Geri Beja dhe Denis Xhilaga. Kërkesa e Prokurorisë për leximin e lejuar të thënieve u bë pasi u konfirmua zyrtarisht se dëshmitarët ndodheshin në Itali dhe nuk ishte e mundur ardhja e tyre në proces. Por, për shkak se Beja dhe Xhilaga ishin edhe dëshmitarë të mbrojtjes, përfaqësuesit e së cilës pretenduan sjelljen e tyre në gjykatë, kjo e fundit vendosi që "leximi i thënieve të dy dëshmitarëve të bëhet pas përfundimit të provave të tjera të prokurorisë".
Në seancën e djeshme avokatët kërkonin thirrjen në seancë të dëshmitarit Beja. Nga ana e tyre përfaqësuesit e akuzës këmbëngulën që nuk do ta pyesnin dëshmitarin Beja, pasi nga ana e gjykatës atij nuk i ishte dërguar njoftim për seancën e djeshme. "Dëshmitari është sjellë nga mbrojtja. Ne nuk do të ndryshojmë radhën e marrjes së provave. Do të vazhdojmë me pyetjen e dëshmitarëve të njoftuar nga gjykata dhe të paraqitur sot", u shpreh njëri nga prokurorët. Gjatë seancës u pyetën dy dëshmitarë të tjerë të paraqitur. Pas çdo përfundim dëshmie, "lakohej" emri i dëshmitarit Geri Beja. Ndërkohë që, një tjetër vendim i ndërmjetëm i marrë dje në lidhje me lexim të lejuar deklarimesh "ndezi" situatën deri në dështim të seancës. Avokati mbrojtës i të pandehurit Lulzim Berisha reagoi pas pranimit të leximit të deklarimeve të dëshmitarit Mustafa Mustafai, për të cilin rezultonte se ndodhej jashtë Shqipërisë. "Në përgjigjet e kthyera urdhrit të njoftimit të gjykatës nuk kishte të dhëna nga sistemi TIMS", pohoi avokati i Berishës. Në vazhdim klienti i tij dhe ai braktisën sallën, çka çoi në ndërprerje të seancës. Palët nuk kursyen t'i thoshin njëra-tjetrës që do të njoftonin zyrtarisht organet eprore përkatëse për qëndrimet e shfaqura në seancë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›