E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëna e Bleona Matës: Vajza u rrëmbye ditën në kullotë



Nga Zapodi, Jonuz Hallaçi

Në ditën e 20 të humbjes enigmatike të 6-vjeçares, Bleona Mata, nga Zapodi i Kukësit, janë venitur shpresat e familjarëve dhe policisë, se ajo mund të gjendet në bjeshkët mbi fshat, aty ku dhe është parë për herë të fundit më 22 maj. Familjarët e Bleonës janë të bindur se tashmë nuk kemi të bëjmë me një humbje aksidentale, por me një rrëmbim për qëllime trafikimi apo birësimi të paligjshëm. Babai i Bleonës, Zamiri thotë se asnjëherë nuk ka pasur asnjë problem, as këtu as në Maqedoni ku ka punuar. Ashtu si dhe e ëma e 6-vjeçares, Bukurija, dyshimet ata i kanë hedhur mbi vajzat, me të cilat e mitura ka dalë në kullotë ditën e zhdukjes. Njëra prej tyre është vetë halla, si dhe 3 të afërme të familjes Mata. "Mendoj se thëniet e vajzave të rritura që ishin atë ditë në kullotë me Bleonën janë të dyshimta. Ato duhen hetuar më shumë se mund të fshehin ndonjë gjë", thotë Zamiri. E ëma e Bleonës, shprehet se është më e bindur se kurrë që vajzën ia kanë rrëmbyer. Në një intervistë për gazetën, në ditën e 20-të pa Bleonën në shtëpi, Bukurije Mata bën apel për autorët që t'ia kthejnë vajzën shëndoshë e mirë në shtëpi.
Kanë kaluar afro 20 ditë nga humbja pa asnjë gjurmë e vajzës suaj Bleonës. Si e vlerësoni punën e bërë për kërkimin e saj?
Janë bërë kërkime, por kërkimet më të thella u bënë në ditën e 10-të dhe të 18-të të humbjes së Bleonës. Në ditët e para janë bërë kërkime vetëm në mal dhe asgjë tjetër.
Po ku këmbëngulni ju se duhet kërkuar?
Të kërkohet shtëpi më shtëpi edhe jashtë kufirit, në Kosovë e Maqedoni, në të gjithë fshatrat rreth e rrotull. Ku shkoi Bleona?! Atë nuk e përpiu toka.
A keni vetë ju ndonjë dyshim, se kush mund ta ketë marrë Bleonën?
Dyshime, unë nuk e di se ku mund të jetë. Nuk kemi të qara e të bërtitura, nuk kemi gjurmë të saj. Unë jam e bindur se ajo është marrë me dorë nga njerëzit. Një fëmijë 6-vjeçar vetëm mund të grabitet. Këtu rreth e rrotull e kemi kërkuar me policë dhe qen e s'kemi gjetur gjë. Unë këmbëngul edhe njëherë të kërkohet në Kosovë, në të gjithë Kosovën, por dhe në Maqedoni. është rruga që na lidh me Kosovën.
Më parë, a u ka bërë ndokush presion apo kërcënime?
Jo, jo, askush nuk na ka bërë presion. Ka qenë hera e parë që Bleona ka shkuar në mal me vajzën e axhës dhe sapo është ulur, ajo është rrëmbyer direkt.
Policia ka bërë kontroll tek motrat tuaja në Kosovë e Maqedoni. Pse mendoni se e ka bërë?
Nuk e di, nuk e kam të qartë nëse ka bërë kontrolle tek motrat e mia. Unë nuk e di.
Po tek vajzat e rritura që ishin atë ditë me Bleonën, a keni dyshime?
Unë nuk dyshoj tek të gjitha, por tek disa po. Si ka mundësi ajo braktisje e fëmijës me qëllim dhe sapo e lanë vetëm, ajo u rrëmbye. Dyshimi është i padiskutueshëm, është në meidan dyshimi, si ka mundësi me e braktisë.
çfarë ju kanë thënë vajzat kur i keni pyetur?
E kemi lypur më kanë thënë, si gjithë të tjerët. Nuk e kemi parë, e kemi thirrur nuk na është përgjigjur dhe asgjë tjetër.
Ditën e humbjes si u sollën vajzat?
Nuk e di, unë kam qenë hutuar. Unë duke kërkuar dhe ato duke kërkuar, të gjithë kemi qenë në mal. Kanë qenë të tranuara se si e kishim në dorë dhe si na iku kaq shpejt. Unë e mora vesh pas çerek ore kur më humbi vajza dhe i kam rënë fshatit rreth e qark, duke pyetur në fshat burra, gra fëmijë, se mos e kanë parë Bleonën. Pastaj të gjithë kemi dalë në mal për të kërkuar, jo vetëm Zapodi, por edhe Pakishti, Kosharishti, Orgjosti, fshatra përreth nesh, duke thërritur Bleonën, duke shtënë me çifte, por asgjë.
Kush e solli lajmin e parë për humbjen e Bleonës?
Kunata na mori në telefon dhe pyeti në ka ardhur Bleona në shtëpi se ka humbur, nuk është në mal. "E lashë duke ngrënë bukë dhe nuk e gjeta kur u ktheva. Nuk ka asnjë të qarë apo të bërtitur dhe asnjë shenjë të Bleonës", na tha.
Edhe një njeri i familjes tënde nga prindërit është shoqëruar në prokurori. çfarë mund të thoni?
S'kam çfarë të them. Ai nuk është në gjendje të mirë fizike. është i sëmurë për vete. Ka nëntë vite që është i paralizuar nga një aksident. Ndien shumë dhimbje për mbesën që i ka humbur. Ai nuk lëviz fare nga krevati. Prindërit e mi po e përjetojnë shumë keq humbjen e Bleonës. Edhe ata po kërkojnë, janë interesuar shumë për gjetjen e Bleonës, por deri tani nuk ka asnjë lajm.
A shpreson se do të kthehet Bleona dhe çfarë apeli keni për atë që e mban ende?
Shpresat nuk i humbas asnjëherë sepse ne jemi njerëz që nuk i kemi bërë keq askujt, asnjëherë. I lutem Zotit në radhë të parë, atje ku ndodhet vajza ime dhe ai që e mban, nëse është prind ose jo, të vërë dorën në zemër dhe të thotë a ka zot. Lutem të mos ma dëmtojnë. Të më kërkojnë çfarë të duan: lekë, organe të trupit vetëm të mos prekë Bleonën. Ne jemi të gatshëm t'i përgjigjemi, vetëm dëm të mos m'i bëjë fëmijës. Bleona është e pafajshme, nuk e di çfarë është tortura, e rrahura dhe rrëmbimi. Ju lutem mos ma prekni dhe ma riktheni Bleonën!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›