Arkitektura italiane në Shqipëri, në fokus të specialistëve
"Perspektiva të reja të bashkëpunimit shqiptaro-italian dhe zhvillimit në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës", organizuar nga Ambasada Italiane në Tiranë, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ishte një diskutim i gjerë mbi të ardhmen, duke iu referuar trashëgimisë që i ka mbetur Tiranës nga puna e arkitektëve italianë në vitet ‘900. Ambasadori italian, Saba D‘Elia, solli në vëmendje të pjesëmarrësve, punët e arkitektëve italianë, që sot ngrihen në qendrën e Tiranës, si Bankën Kombëtare Shqiptare, hotel "Dajtin", Pallatin e Brigadave etj., dhe ftoi biznesin ndërtues italian për të ndërmarrë projekte të përbashkëta me ndërtuesit shqiptarë. Ndërsa prof. Maria Adriana Giusti nga Universiteti Teknik i Torontos, prezantoi përmes fotove që i përkasin 10-vjeçarit të dytë të nëntëqindës deri në vitin 1943, veprimtarinë e arkitektëve italianë në Shqipëri. Sipas saj, thelbi i këtij rrugëtimi studimor, duke filluar nga skicat, vizatimet e deri te projektet përfundimtare, tregojnë sesa e rëndësishme është njohja e tyre, për identifikimin historik midis dy vendeve, si dhe për t‘i bërë ato pjesë të debateve bashkëkohore për zhvillimin e projekteve të ardhshme novatore dhe sipas kërkesave të kohës. Ajo propozoi krijimin e një Muzeu të Arkitekturës në Tiranë, si pikë takimi ideale për sipërmarrësit e bizneset.